Kokaina nga Panamaja, 13 vjet burg pritësve
Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi Arben Ukun dhe ish-policin Ilia Xoxe, të cilët u arrestuan pas sekuestrimit të 1 kilogram kokaine, të mbërritur në Shqipëri me postë
Tiranë Dy pritësit e 1 kilogram kokaine të nisur me postë nga Panamaja janë shpallur dje fajtorë nga Gjykata për Krime të Rënda, e cila i ka dënuar me 22 vjet burg. Arben Uku është shpallur fajtor për akuzën e trafikut të narkotikëve në bashkëpunim dhe është dënuar me 10 vjet heqje lirie. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Klodian Kurushi ka dënuar me 11 vjet burg të akuzuarin e dytë për trafik kokaine nga Amerika Latine, Ilia Xoxe. Të dy të pandehurit kanë përfituar uljen e një të tretës së dënimit, pasi kishin kërkuar gjykim të shkurtuar, duke u dënuar kështu përfundimisht me rreth 6 vjet e gjysmë burg. Arben Uku dhe ish-punonjësi i policisë, Ilia Xoxe, u arrestuan më 12 nëntor të vitit të shkuar, sapo kishin marrë një pako postare e cila vinte nga Panamaja. Pakoja përmbante pjesë për automjete, ndërsa brenda saj ishte montuar mjeshtërisht edhe sasia prej 1 kg kokainë, që kishte si destinacion përfundimtar tregun e brendshëm të kryeqytetit. Prokuroria për Krime të Rënda urdhëroi edhe arrestimin e një tjetër personi, por nga hetimet rezultoi se ai ishte përdorur nga pritësit e kokainës për të tërhequr pakon postare. Nga hetimet e Prokurorisë rezultoi se kokaina ishte nisur me postë nga Panamaja dhe kishte si pritës një person, gjenealitetet e të cilit dyshohet se janë të falsifikuara, ndërsa adresa e pritësit gjithashtu është e rreme. Në këtë çështje dyshohet se janë përfshirë edhe të paktën tre persona të tjerë, të cilët janë ende nën hetim për trafikun e kokainës që nisi në Panama dhe kishte si destinacion përfundimtar Shqipërinë. Mes personave që po hetohen, dyshohet se është edhe një shtetas italian, i cili është pjesë e policisë së këtij shteti. Ky person, sipas Prokurorisë ka shoqëruar pakon nga Roma në Tiranë, me qëllim garantimin e kokainës që do të shitej në Tiranë. Nga hetimet e deritanishme rezulton se personat e tjerë të përfshirë janë shtetas shqiptarë, të cilët momentalisht nuk ndodhen në Shqipëri. L.Bakillari