Videoja Meta-Prifti, eksperti britanik sjell rezultatet në Tiranë
Tiranë Eksperti britanik sjell në Tiranë rezultatet e tij për videon Meta-Prifti. Eksperti Adrian Phillips, i caktuar nga Prokuroria e Përgjithshme për pastrimin e zërit në videon e përgjimit, ka përfunduar një pjesë të ekspertimit, rezultatet e të cilit i ka vënë në dispozicion të akuzës shqiptare. Përgjigjja zyrtare ka mbërritur në fund të javës së kaluar, por një burim i tha MAPO-s se kjo përgjigje nuk mund të quhet përfundimtare, pasi ka të bëjë vetëm me një nga detyrat e caktuara prej Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas të njëjtave burime, mësohet se përgjigjja e ekspertit britanik ka të bëjë me pastrimin e zhurmave që dëgjohen në sfondin e bisedës mes ish-zv.kryeministrit Ilir Meta dhe ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, zhurmat së bashku me tik-takun e orës ku ishte montuar kamera e bëjnë të padëgjueshëm dialogun Meta-Prifti. Mësohet se deri tani specialisti i audios, Adrian Phillips, i cili është i punësuar në një kompani private në Britaninë e Madhe, ka dhënë përgjigjen e tij rreth zhurmave në sfond. Duke qenë se Prokuroria e Përgjithshme nuk ka dhënë asnjë koment rreth përgjigjes së ekspertit britanik, përmbajtja e saj, të paktën momentalisht, mbetet e panjohur. Burimet konfirmuan se pjesa e dytë e përgjigjes, që do të kompletonte akt-ekspertimin mbi audion e video-përgjimit, pritet të mbërrijë në Shqipëri javën e ardhshme. Por përfaqësuesit ligjorë të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta thanë se, sipas informacioneve të tyre jozyrtare, është konfirmuar se përgjigjja e ekspertit britanik Adrian Phillips ka mbërritur tashmë, por kjo gjë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme. Avokatët thanë se organi qendror i akuzës ka detyrimin të njoftojë menjëherë palët për çdo rezultat të ekspertizës, por deri tani atyre nuk u ka mbërritur asnjë njoftim zyrtar. Sipas Prokurorisë, rezulton se vendimi për kryerjen e ekspertimit të dytë është marrë më 21 mars të këtij viti, pra rreth një muaj e gjysmë pas përfundimit të ekspertimit të parë. CD-ja ku ishte kopjuar videoja e pastruar nga eksperti amerikan është dërguar në Britaninë e Madhe vetëm pak ditë më pas. Duke marrë si referencë kohëzgjatjen e ekspertimit të parë të video-përgjimit, teorikisht ekziston mundësia që pastrimi audio të kishte përfunduar në fund të muajt të shkuar. Kur kanë kaluar rreth një muaj nga vendimi i prokurorisë për kryerjen e një tjetër ekspertimi, organi qendror i akuzës nuk ka ende një përgjigje për këtë çështje, duke lënë kështu të hapur mundësinë e një përgjigjeje negative nga eksperti britanik, i cili rezulton i punësuar në kompaninë private “Control Risks Forensics” në Londër.