E Diel, 1 Nëntor 2026

Punëtorët pa rroga, bllokohen punimet në autostradën Levan-Tepelenë

FIER Bllokohen punimet në autostradën Levan-Tepelenë. Punëtorët që punojnë në këtë aks rrugor në shenjë revolte për mospagesën e tyre kanë bllokuar dje punimet. Rreth 100 punëtorë janë mbledhur para firmës italiane “Todini Construksion Generali”, duke protestuar. Ata nuk kanë marrë pagesat nga firma në fjalë prej 8 muajsh. Punonjësit janë shprehur se nuk mund të vazhdojnë punën në këto kushte, kur firma nuk respekton afatet për pagat. “Ka 8 muaj që s’po shpërblehemi për atë që po punojmë. Na kanë thënë në kontratë që do marrim rrogat çdo muaj. Tani janë mbushur tetë muaj dhe po futemi në muajin e nëntë pa çuar vlerën e djersës sonë në familjet tona. Nuk do të punojmë derisa të na jepet çdo qindarkë për të cilën kemi derdhur djersën, jemi ngopur deri tani me fjalë boshe. Punimet do të ndërpriten pa afat” ka deklaruar Shemsi Lato.

Shuma e pa lëvruar kap shifrat nga 500 mijë deri në 1 milionë euro. Pretekstet e mospagesës kanë bërë që faji për këtë gjendje të kalojë nga firmat nënkontraktuese tek firma kryesore “Todini”. Kjo e fundit nxjerr pretendimet se nuk paguhet nga shteti.

Ndërkohë Angelo Cangemi, administrator i Firmës “Todini Construksion Generali”, duke parë situatën, ka dalë në një konferencë për shtyp përpara punonjësve dhe mediave. Ai ka marrë përsipër se do të shfaqë interes për rastin dhe se do të jetë i interesuar për të zgjidhur në kohë problemin, megjithëse këmbëngul se firma në fjalë i ka shlyer detyrimet e saj.

“Ne kemi shlyer detyrimin tonë ndaj firmës nënkontraktore “Edil 4” dhe këta të fundit duhej të bënin shlyerjen e pagave të punonjësve. Ne do të verifikojmë situatën dhe më pas do të shohim sesi do të veprojmë”, ka theksuar Cangemi. Ndërkohë ende nuk ka patur deklaratë nga firmat nënkontraktore. Këta të fundit nuk kanë patur asnjë përfaqësues të pranishëm gjatë zhvillimit të protestës. Punimet për këtë aks të rëndësishëm financohen nga BEI dhe BERZH dhe kapin një vlerë prej rreth 70 milionë euro. Seksioni Levan – Tepelenë paraqet një rrugë me gjatësi 70 km dhe është e projektuar me dy kalime, sipas standardeve europiane. Gjerësia e asfaltuar e rrugës është parashikuar të jetë 10.5 m. Përveç përfitimeve direkte në shkëmbimin tranzit të mallrave drejt qendrave të banuara në jug, rruga e re është parë si shërbim për lidhje më të mirë me zonën dhe pjesën tjetër të vendit. Segmenti rrugor Levan-Tepelenë është pjesë e korridorit veri-jug që shtrihet nga Hani i Hotit në kufirin shqiptaro-malazez në veri deri në Kakavijë në kufirin shqiptaro-grek në jug.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›