E Diel, 1 Nëntor 2026

Kokainë dhe heroinë në makinë, pranga dy të rinjve

Arrestohen Jetmir Hallunaj dhe Klodian Shllaku, po trafikonin për në Tiranë më shumë se 1 kilogram drogë, e ndarë në kokainë dhe heroinë, në banesa u gjenden armë

Dy persona janë arrestuar dje në Fushë-Krujë, pasi policia u ka gjetur rreth 1 kilogram drogë, gjysma e së cilës ishte kokainë dhe gjysma tjetër heroinë. Droga u gjet pas një kontrolli në makinën në të cilën udhëtonin Jetmir Hallunaj 28 vjeç dhe Klodian Shllaku 27 vjeç, të dy banues në Shkodër dhe, sipas policisë, ajo duhej të mbërrinte në Tiranë, ku edhe do të tregtohej.

Forcat e antidrogës duket se kanë pasur informacion për sasinë e kokainës dhe heroinës që po transportohej nga Shkodra në kryeqytet. Ata kanë organizuar shërbimet dhe kanë ndaluar makinën në një postbllok në aksin rrugor Fushë-Krujë - Thumanë. Të dyshuarit, Hallunaj që drejtonte mjetin, dhe Shllaku, që ishte pasagjer në të; nuk kanë bërë rezistencë në momentin e ndalimit që u është dukur rutinë. Kur policia ka filluar kontrollin, ata e kanë pasur të pamundur të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve.

Policia nuk e ka pasur të vështirë të zbulojë drogën që ndodhej në një kuti kartoni në sediljen pas shoferit të makinës. Policia njoftoi se kishte “gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy pako të mbështjella me natriban, njëra nga të cilat dyshohet se përmbante lëndë narkotike të llojit kokainë, me peshë 527.45 gramë, ndërsa tjetra lëndë narkotike të llojit heroinë, me peshë 632.75 gramë”.

Menjëherë pas kësaj, policia ka arrestuar dy personat e përfshirë në trafik, ndërsa është autorizuar një kontroll i mëtejshëm i tyre. Kështu pas ndalimit të dy të rinjve policia ka ushtruar kontroll në banesën e 27-vjeçarit Shllaku në Shkodër, ku, sipas saj, “u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 pistoletë Mini Blou me një krehër me 3 fishekë, 1 pistoletë Ecol Special 99 me një krehër me 3 fishekë dhe 1 automatik model 56 me dy krehra me 18 fishekë”. Ndërkaq në banesën e Hallunajt u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 123 fishekësh model 54 të kalibrit 7.62 mm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›