E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-polici vret bashkëshorten, arratiset me të bijën 2-vjeçare

Krimi brenda familjes, në një vilë të marrë me qira nga Ismet Hysa në periferi të Tiranës. 25-vjeçarja Edlira Doçi është goditur me 5 thika në kokë e në trup, pak muaj pasi kishte vendosur të ndahej nga i shoqi

Një 25-vjeçare u masakrua me 5 goditje thike dje nga bashkëshorti i saj, ndërsa ky i fundit, pasi ka kryer krimin, është larguar nga shtëpia duke rrëmbyer dhe vajzën e mitur 2 vjeçe. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 12:45 pranë Unazës së Madhe në Tiranë, në katin e dytë të një vile, ku autori jetonte me qira prej më shumë se gjashtë muajsh. Burime policore i thanë dje MAPO-s se, ndonëse ishin martuar prej disa vitesh, çifti në muajt e fundit nuk jetonte bashkë. Pasi ka kryer vrasjen, kryefamiljari 41-vjeçar Ismet Hysa është larguar duke marrë me vete dhe vajzën 2-vjeçare, ndërsa ka qenë e motra e viktimës ajo që ka shkuar e para në vendin e ngjarjes dhe më pas e terrorizuar ka njoftuar fqinjët e më pas policinë. Nga ekzaminimi që i kanë bërë viktimës mjekët ligjorë, ka rezultuar se 25-vjeçarja Doçi ka marrë gjithsej 5 goditje me thikë. “Ka patur dy goditje në kokë dhe tri goditje në trup. Ka humbur jetën menjëherë pasi ka marrë goditjet”, - u shprehën dje burime nga grupi hetimor. Për policinë kanë qenë të afërmit e viktimës ata që kanë hedhur dritë dhe mbi motivet e mundshme të bashkëshortit vrasës për kryerjen e këtij akti të rëndë. Paraprakisht mësohet se 25-vjeçarja Edlira Doçi, në muajt e fundit kishte vendosur të jetonte te prindërit e saj, të cilët banojnë në Sauk. Ajo kishte vendosur të ndërpriste bashkëjetesën me bashkëshortin e vet, një ish-polic objektesh me profesion, për shkak se në muajt e fundit vështirësitë ekonomike kishin sjellë dhe debate të forta dhe një situatë të nderë në familjen e tyre. Sipas dëshmive të mbledhura nga hetuesit, rezulton se mëngjesin e djeshëm, vrasësi i dyshuar, Ismet Hysa, ka telefonuar bashkëshorten e tij që ndodhej në Sauk dhe i ka kërkuar që të shkonte te shtëpia ku ai jetonte me qira për të marrë vajzën, pasi ai do të duhej të lëvizte disa ditë për arsye pune. Viktima ka shkuar për te shtëpia ku jetonte bashkëshorti, e shoqëruar nga e motra e saj, ndërsa është futur e vetme në vilën ku ndodheshin Ismet Hysa dhe vajza e saj 2 vjeçe. Dëshmitë dhe të dhënat paraprake flasin për një krim të mirëmenduar nga autori, pasi sapo ka hyrë në katin e dytë të vilës, 25-vjeçarja Doçi është qëlluar menjëherë pas koke me thikë dhe më pas është goditur dhe në pjesë të tjera të trupit. Vrasësi i dyshuar ka marrë në krahë të bijën 2 vjeçe dhe është larguar nëpër rrugicat e lagjes, ndërsa policia është vënë në ndjekje të tij dhe të vajzës. Familjarë të viktimës, të kontaktuar dje nga gazeta MAPO, thanë se nuk dëshironin të komentonin ngjarjen e rëndë, duke shtuar se janë të shokuar dhe nuk prisnin në asnjë moment këtë degradim të marrëdhënies mes vajzës së tyre dhe bashkëshortit të saj 41-vjeçar.

Policia: Krimi, i menduar nga 41-vjeçari

Gjatë gjithë pasdites së djeshme, policia e Tiranës ka ngritur postblloqe dhe ka ushtruar kontrolle në disa apartamente në Tiranë, te të afërm të Ismet Hysës si dhe në të njohur apo miq të tij, por kërkimet deri dje në mbrëmje nuk kanë dhënë rezultate. Policia, nisur dhe nga dinamika e orëve para vrasjes, dyshon se i dyshuari mund të ketë përgatitur gjithçka me paramendim dhe mund të jetë i përgatitur edhe për të realizuar fshehjen ose arratisjen jashtë vendit, së bashku me të bijën. Javët e fundit, viktima punonte si kameriere në një restorant, ndërsa bashkëshorti i saj për një kohë të gjatë kishte qenë i papunë dhe së fundmi kishte nisur të punonte si efektiv në një kompani private të sigurimit të objekteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›