Të rinjtë europianë shkollë restaurimi në qytetin e gurtë
Rreth 40 të rinj restauratorë, arkitektë etj nga vende të ndryshme të Europës kanë çelur së fundi në qytetin e Gjirokastrës një shkollë restaurimi. Projekti i cili do të zgjasë për dy javë rresht realizohet nga organizata “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” në bashkëpunim me Universitetin Mbretëror të Arteve në Suedi, partnerët lokalë me financim të Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar. “Në këtë kamp restaurimi marrin pjesë rreth 40 profesionistë nga Bosnja Hercegovina, Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mal i Zi, Serbia dhe Suedia, të cilët gjatë kësaj periudhe do të kryejnë skicat e para të dokumentimit për tre banesa karakteristike në Gjirokastër”, thotë koordinatorja e projektit, Lejla Haxhiç. Një aspekt tjetër i kampit është edhe studimin mbi strukturat historike të qytetit në formën e një plani të integruar për ruajtjen e tyre. “Ne, thotë Haxhiç, shpresojmë të zgjerojmë njohuritë tona mbi Gjirokastrën, por gjithashtu edhe të rrisim interesin e qytetarëve të Gjirokastrës për këto vlera, duke i inkurajuar dhe mbështetur ata të përballen me çështjet e përditshme që kanë lidhje me trashëgiminë kulturore që i rrethon”.