E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e Trebickës, pyeten 20 dëshmitarë

Kosta Trebicka, dëshmitari kyç i Gërdecit, është parë nga 20 persona të ndryshëm në udhëtimin e tij në Voskopojë

Grupi i prokurorëve: Po presim përgjigjen e ekspertizave të tjera të nevojshme për Trebickën

TIRANË- Vdekja misterioze e dëshmitarit kyç të çështjes së Gërdecit, Kosta Trebicka, i ka detyruar oficerët e policisë gjyqësore të prokurorisë së Korçës të marrin në pyetje mbi 20 dëshmitarë të ndryshëm, për të zbuluar rrethanat e ngjarjes.Sipas burimeve zyrtare pranë organit qendror të akuzës, mësohet semenjëherë pas ngjarjes janë marrë në pyetje me cilësinë e personave që kanë dijeni për këtë vdekje mbi 20 persona. “Oficerët e policisë, me vajtjen në vendin e ngjarjes mes fshatit Voskopojë dhe Lekas, ku u gjet i vdekur, pa shenja jete dhe i shtrirë në mes të rrugës shtetasi Kosta Trebicka kanë filluar të mbledhin informacione dhe prova për shkakun e vdekjes. Për këtë arsye, me kërkesë të prokurorit, hetuesit kanë marrë në pyetje dëshmitarë të ndryshëm, mes tyre ata që kanë lajmëruar policinë, persona që kanë qenë të parët në vendngjarje, personelin e hotelit “Akademia” në Voskopojë dhe banorë të ndryshëm të zonës”,-bëjnë me dije burime të prokurorisë.

“Asnjëri nga dëshmitarët e pyetur nuk ka hedhur dyshime apo të ketë dhënë ndonjë detaj të mundshëm që mund të lërë dyshime se vdekja e Kosta Trebickës ka ardhur si pasojë e një vrasjeje të sofistikuar. Dëshmitë e tyre përputhen me përfundimin paraprak të policisë”,-bën me dije një pjesëtar i Prokurorisë së Përgjithshme në grupin e hetimit. Megjithëse deri më sot, Prokuroria i ka rezervuar vetes të drejtën e mosshprehjes në lidhje me këtë ngjarje që tronditi opinionin publik, zëra brenda saj flasin për një konkluzion paraprak, që nuk ndryshon shumë nga ai i policisë. E ndërsa autopsia është marrë për e mirëqenë nga grupi hetimor i Prokurorisë së Përgjithshme, mbetet ende për të hetuar mbi shkaqet që mund të kenë shkaktuar këtë aksident të dyshuar të Kosta Trebickës.

Arsyeja që e ka bërë prokurorinë të heshtë zyrtarisht është një listë e gjatë ekspertimesh, që janë të nevojshme për t’u kryer në rastin e vdekjes së Trebickës. Megjithëse Prokuroria e Përgjithshme ka në dorë një autopsi të Mjekësisë Ligjore, këtij institucioni i mungon ekspertimi auto-teknik i makinës së Trebickës, dinamika e ngjarjes apo analizat kimike të lëndëve të gjetura në trupin e viktimës, për të përjashtuar dyshimet e shumta që lidhen me këtë vdekje të mistershme. 

Grupi prej 14 ekspertësh të FBI-së do të marrë pjesë në të gjitha nivelet e hetimit

Hetimi, ekspertët nga SHBA pritet të mbërrijnë sot në Tiranë

TIRANË- Ekspertët amerikanë që do të hetojnë vdekjen e Kosta Trebickës pritet të mbërrijnë sot në Tiranë, për t’u nisur më pas në drejtim të Voskopojës. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë me dije se pas konfirmimit të marrë nga ambasada amerikane në Tiranë për një grup prej 14 ekspertësh të ndryshëm, janë njoftuar edhe për ditën e mbërritjes së tyre. Ekspertiza auto-teknike e makinës tip “NISSAN” me targa TR 8843 J, makinë e cila është e mbyllur dhe e dyllosur në një nga garazhet e drejtorisë së policisë së Korçës, pritet të jetë edhe puna më e rëndësishme që ekspertët amerikanë do të bëjnë në hetimin e kësaj çështjeje. Sipas burimeve të mësipërme të Prokurorisë, makina e Trebickës vetëm sa është zhvendosur nga fshati Lekas, ku ndodhi ngjarja në policinë e Korçës, por askush prej hetuesve shqiptarë nuk e ka prekur atë. Sipas specialistëve të ndryshëm që janë marrë me hetimin e deritanishëm të kësaj ngjarjeje të dyshimtë, ekspertiza e makinës pritet të hedhë më shumë dritë mbi pikat e errëta të vdekjes së Kosta Trebickës. Një tjetër element i domosdoshëm i dosjes hetimore, që pret përgjigjen e amerikanëve është edhe dinamika deri më sot e munguar e ngjarjes. Megjithëse versioni zyrtar i policisë është ai i aksidentit, në një përfundim të saktë mund të arrihet vetëm pas krijimit të dinamikës, me sende të improvizuara, gjë e cila nuk është bërë deri më sot. Ekspertët amerikanë pritet të marrin gjithashtu pjesë në të gjitha nivelet e hetimit, për të cilat do të ofrojnë njohuritë dhe eksperiencën e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›