Kokë me kokë me Kaleshin
Piktori i njohur i kokave, Omer Kaleshi, u nderua nga Universiteti Iliria me çmimin ‘Anëtar Nderi i Bordit të Universitetit Iliria’. Këtë çmim Universiteti e jep për figura të shquara, në mesin e të cilëve janë edhe princi shqiptar Leka i II-të Zogu, arbëreshi nga Zagrebi, Aleksandër Stipçeviq, ilirolog me famë botërore si dhe nobelisti shqiptaro-amerikan Ferid Muradi, i shquar për kontributin e tij në shkencat mjekësore.
Fjalën e rastit në këtë eveniment e mbajti akademik Rexhep Qosja, i cili e vlerësoi lartë punën dhe veçantinë e pikturës së Kaleshit.
Qosja tha se duke e shpallur anëtar nderi të bordit të vet piktorin Omer Kaleshi, ky universitet po i tregon përkushtim jo vetëm atij, por edhe artit në përgjithësi.
“Në këtë mënyrë Universiteti Iliria po e nderon Omer Kaleshin, por, në këtë mënyrë, duke u bërë anëtar nderi i bordit të tij, edhe Omer Kaleshi, me veprën dhe me emrin e vet, po e nderon këtë universitet të çmuar në arsimin e Republikës së Kosovës”, tha Qosja, duke e konsideruar këtë nderim si të ndërsjellë dhe shumë domethënës midis një krijuesi artistik dhe një institucioni të arsimit të lartë.
Në fjalën e tij, Qosja u shpreh se për atë vepra e Omer Kaleshit ishte një zbulim i papritur dhe, siç tha ai, mjerisht, i vonuar.
“Isha gjetur në një botë të jashtëzakonshme, në një botë në të cilën mbizotëronin koka artistike njerëzore. Portrete njerëzore. Isha gjetur në një botë artistike së cilës kuptimin, ndjenjat, përjetimet, bukurinë dhe vlerën ia caktonin kokat. Ani çfarë kokash se!”, tha Qosja, paksa i habitur, pasi që kishte pritur mos do të shihte ndonjë kokë burrështeti, komandanti historik, ideologu, politikani a diplomati me lavdi botërore, të ndonjë filozofi a shkencëtari me lavdi të gjithmonshme.
“Jo. Asnjërin prej tyre aty nuk do ta gjeja”, tha ai, për të shtuar më pastaj, “në vend të tyre do të gjeja koka dervishësh, koka çobanësh, koka vajzash, koka fëmijësh, koka kosovari, koka të verbërish, koka bareshash, koka çifti të ri, koka të lypëseve në central park dhe shumë koka të paidentifikuara: koka të madhësive të ndryshme, të moshave të ndryshme, të shikimeve të ndryshme, të mendimeve të ndryshme, të disponimeve të ndryshme dhe, natyrisht, të fateve të ndryshme!” Qosja shtoi se në vend të gjeografisë, në vend të etnografisë dhe në vend të historisë së kokave, Omer Kaleshi sjell antropologjinë, psikologjinë dhe metafizikën e kokave.
Shumë koka të njëjta dhe shumë koka të ndryshme. Koka veç. Koka bashkë. Koka në shportë. Katër, pesë, gjashtë, shtatë, dhjetë, pesëmbëdhjetë, tetëmbëdhjetë koka në një shportë. Koka me këmbën mbi to. Koka me këmbën afër fytyrës. Koka me litarin afër. Koka në vegsh. Koka në çanak. Koka në trung. Koka mbi një fill. Koka melankolike. Koka pikëlluese. Koka me pavendosmëri hamletiane”, tha, në fjalën e tij, Qosja.
Në shenjë respekti për pritjen dhe çmimin që i dha, Omer Kaleshi i dhuroi Universitetit Iliria një pikturë të veçantë të tij.