E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK’ja akuzon RTK’në

Nga Express më 09 korrik 2011 në ora 19:02

Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Radio Televizionin e Kosovës për njëanshmëri.

Sipas kësaj partie, RTK’ja ka marrë përsipër të bëjë zëdhënësin e munguar të Qeverisë, duke u bërë zë i pushtetit të PDK’së dhe Kryeministrit Hashim Thaçi.

Partia më e madhe opozitare nuk është pajtuar me kohën e rezervuar nga RTK, të premten për LDK’në dhe Grupin e ekspertëve për shëndetësi.

“Opozita ngelet ndjeshëm pa u përfaqësuar në raportimet e RTK’së, ndërsa minutazhi mbulohet me propagandë për kryeministrin dhe Qeverinë”, thuhet në një komunikatë të LDK-së.

Sipas tyre, në edicionin qendror të lajmeve të së premtes, RTK-ja mezi dha dy fjali nga konferenca për medie e Ekipit të ekspertëve të shëndetësisë të LDK’së dhe konstruktoi kronikën, duke sjellë si reagim ndaj fjalës së opozitës një paraqitje të ministrit të Shëndetësisë në Kuvendin e Kosovës, që nuk kishte të bënte aspak me konferencën e Ekipit të ekspertëve të LDK-së.

“LDK’ja këtë veprim të RTK’së e konsideron të papranueshëm, joprofesional dhe joetik. LDK’ja i bën thirrje RTK’së që t’u përmbahet rregullave të punës së transmetuesit publik, për informim të paanshëm dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve”, thuhet në këtë reagim, duke kërkuar njëkohësisht edhe nga kryeministri që të heqë dorë nga përdorimi i transmetuesit publik si mjet për të manipuluar opinionin.

Ndryshe, RTK vazhdon të kritikohet nga raportet ndërkombëtare për mungesë të balancimit të përmbajtjeve informative.

Televizioni që paguhet nga qytetarët e Kosovës vazhdon të funksionoj pa Kryeredaktor të lajmeve, pasi menaxhmenti i ri i RTK ende nuk ka hapur konkurs për këtë pozitë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›