E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kokëfortësia e Maqedonisë”, Greqia do të përdorë veton

Autori i Lajmit: Redaksia
Athinë - Zëvendësministri i Jashtëm grek, Dhimitris Drucas, ka deklaruar se pa zgjidhjen e çështjes së emrit nuk do të ketë datë për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE. I pyetur për kontaktet bilaterale me liderët në Maqedoni, dhe se ato kontakte a janë pjesë e procesit që po zhvillohet nën ombrellën e OKB-së, Dhrucas ka deklaruar se negociatat për emrin po zhvillohen vetëm nën patronazhin e OKB-së. “Kontaktet direkte nuk janë të dëmshme, por përkundrazi ndihmojnë procesin. Kur keni një linjë të pastër duhet të keni besim në drejtimin tuaj”, theksoi Dhrucas për gazetën greke “Elefterotipia”. Ditën e djeshme Dhrucas ka pasur një takim me zëvendëssekretarin amerikan të shtetit, Xhejms Shtajnberg, në të cilin ka marrë pjesë edhe kryeministri grek, Jorgos Papandreu. Ata zhvilluan bisedime për rreth një orë, në të cilat janë përmendur shumë çështje bilaterale dhe vizita e paralajmëruar e Papandreut në Uashington. Liderët grekë kanë njoftuar zyrtarin amerikan për të gjitha zhvillimet në rajon, dhe posaçërisht për faktin se Athina zyrtare po angazhohet për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE deri në vitin 2014. Kryeministri grek, Jorgos Papandreu, dhe zëvendësministri i Jashtëm, Dhimitris Dhrucas, edhe dy ditë më parë, në takimet e ndara me shefin e diplomacisë së Maqedonisë, Antonio Milloshoski, kanë përsëritur qëndrimet e njohura greke lidhur me zgjidhjen e kontestit të emrit. Kjo është konfirmuar edhe nga vetë Milloshoski, i cili është ndarë i zhgënjyer nga takimi me krerët e shtetit grek, të cilët kanë dhënë sinjale të qarta se vendimi për të arritur kompromisin i takon Shkupit dhe se Greqia është e qartë me “vijën e saj të kuqe” lidhur me pozicionet për emrin. Jorgos Papandreu dhe Dhimitris Dhrucas kanë përsëritur se pa zgjidhjen e kontestit të emrit, nuk do të ketë anëtarësim apo dhënie të datës për Maqedoninë. “Nuk ka dallime në pozicionet e Greqisë lidhur me aspiratat e Maqedonisë për fillimin e negociatave me BE-në. Në prag të Samitit të BE-së, Greqia duhet të mendojë për hapat e saj dhe të jetë pragmatike në raport me eurointegrimet që synon Maqedonia”, - ka theksuar Milloshoski. Ministri i Jashtëm maqedonas ka shtuar gjithashtu se nëse data për fillimin e negociatave për anëtarësim nuk do të jetë në axhendën e 7 dhjetorit në Samitin e BE-së, atëherë sipas tij, do të rrënohet kredibiliteti i BE-së dhe i Komisionit Evropian. Greqia, përveç ndryshimit të emrit të shtetit, kërkon edhe ndryshimin e emërtimeve që mbajnë emrin “maqedonas”, duke përfshirë identitetin, gjuhën dhe emërtimet e tjera në të gjitha sferat. Milloshoski në takimet me Papandreun dhe me Dhrucas ka ngritur dy iniciativa për përparimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. E para për ngritjen e nivelit të marrëdhënieve diplomatike, respektivisht Zyra për lidhje e Greqisë në Shkup të shndërrohet në Ambasadë, ndërsa e dyta për nënshkrimin e marrëveshjes për shmangien e tatimit të dyfishtë, e inicuar nga afaristët grekë në Maqedoni, me qëllim që të lehtësohet puna e tyre, për përforcimin shtesë të bashkëpunimit ekonomik. Pala greke premtoi se këto propozime do të shqyrtohen seriozisht.
Ky lajm është publikuar: 03/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›