E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia-Kenedit: “Ne nuk ndërhyjmë në punët e Shqipërisë”

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
SHBA, 17 dhjetor 1961 – Satelitët sovjetikë vazhdojnë të bëjnë të kundërtën çka u kërkohet – megjithatë fundi nuk ka ardhur akoma. Sigurisht që e gjitha kjo nuk ka kaluar ende mbrapa perdes së hekurt kur mendon se gjithçka ka ndodhur në hapësirën kohore të katër muajve. Kremlinit i është dashur të izolojë të gjithë popullin e Gjermanisë Lindore për ta mbajtur këtë të fundit në bllokun sovjetik. Arsyeja është e thjeshtë: “Qeveria e tyre është shumë e pavarur”. Perandoria evropianolindore e Moskës nuk është më ajo që ishte dikur. Stalini nuk mund ta mbante Titon në radhë me të tjerët dhe shumë shpejt Jugosllavia u shndërrua në satelitin e parë sovjetik që fitoi pavarësinë e saj. Marshalli Tito nuk është se ishte një antikomunist, ai thjesht donte që të ndiqte rrugën e komunizmit jugosllav, jo atë të Stalinit. E njëjta gjë mund të thuhet se ndodhi dhe me gjeneralin Enver Hoxha, udhëheqësin komunist shqiptar. Ai nuk mund të thuhet kurrsesi se është një antikomunist; Edhe ai, thjesht do që të ndjek komunizmin e llojit stalinist dhe jo hrushovian. Dhe përse u desh që Kremlini të merrte kaq masa të forta disiplinore ndaj Shqipërisë së vogël? Sigurisht, jo për shkak të rëndësisë së Shqipërisë. Unë mendoj se arsyeja e vërtetë është se pasi Shqipëria guxoi të shpallte pavarësinë e saj nga procesi i destalinizimit i Hrushovit, Kremlinit i duhej të bënte një shembull që në këtë rast ishte Shqipëria, për të mbajtur në linjë të gjithë satelitët e tjerë. Jo se polakët apo gjermanolindorët për shembull, duan që të kurorëzojnë stalinizmin; Jo, ato nuk duan. Atyre do tu pëlqente më mirë të ishin antistalinistë sesa antihrushovianë. Dukshëm, Hrushovi do të preferonte më mirë të humbiste një satelit të vogël sesa të pajtohej me një pavarësi të tillë siç qe ajo që shfaqën komunistët shqiptarë.

Komentet e Hoxhës

Kongresin XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (shkurt 1956) Hoxha do ta komentonte kështu: “Udhëheqësit e rinj, të cilët ishin të njëjtë dhe në të shkuarën, me përjashtim të Stalinit, po shfaqeshin si liberalë për tu thënë njerëzve: “Merrni frymë lirisht, ju jeni të lirë, jeni në demokracinë e vërtetë, sepse tirani dhe tirania tashmë janë eliminuar”. Kulti i Hrushovit po ndërtohej nga mashtruesit, liberalët dhe karrieristët, sahanlëpirësit dhe servilët. Autoriteti i madh i Stalinit, i mbështetur në punën e tij të pavdekshme, u minua brenda dhe jashtë Bashkimit Sovjetik. Vendi dhe autoriteti i tij u uzurpuan nga sharlatani, kllouni dhe shantazhuesi. Duke analizuar shkaqet e grushtit të shtetit të drejtuar nga Nikita Hrushovi, Enver Hoxha tha: ”Pas luftës së madhe patriotike, disa fenomene negative u shfaqën në Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik... Kjo parti kishte një reputacion të madh dhe kishte arritur suksese të mëdha gjatë gjithë ekzistencës së saj, por në të njëjtën kohë ajo kishte humbur shpirtin e saj revolucionar e po infektohej dita-ditës nga burokracia dhe rutina. Normat leniniste, mësimet e Leninit dhe të Stalinit ishin transformuar nga aparatçikët në banalitete bajate dhe slogane të marra me qira që u mungonin fuqitë vepruese... Nuk ishte linja e gabuar e Stalinit ajo që ndali zhvillimin. Përkundrazi, kjo linjë ishte korrekte dhe marksiste-leniniste, por ajo vihej shpesh në mënyrë të gabuar në zbatim, madje shtrembërohej dhe sabotohej nga elementë armiq. Këta elementë e çorganizuan revolucionin, ndërsa organizonin kundërrevolucionin. Ata shfaqën ashpërsinë e tyre kundër armiqve të brendshëm në mënyrë që të përhapnin frikë dhe terror në parti, shtet dhe popull... Nëse bëhet një analizë e detajuar politike, ideologjike dhe organizative e direktivave të Stalinit për sa i përket udhëheqjes dhe organizimit të partisë, në përgjithësi lufta dhe puna apo gabimet në ligje nuk do të mund të gjenden, por nëse ne kemi ndërmend të shohim se si janë shtrembëruar ato nga armiqtë dhe janë vënë në zbatim, ne do të shohim rrjedhojat e rrezikshme të këtyre shtrembërimeve e do të bëhet e qartë se partia nisi të bëhej më shumë burokrate...

Kur udhëheqësit kryesorë komunistë grinden me njëri-tjetrin, ata përdorin epitete në një mënyrë që edhe Henri Luis Menken do të tingëllonte si një mësues i një shkolle të diele. Hrushovi e quan Hoxhën një aleat të imperialistëve dhe më revoltuesja nga të gjitha një “dogmatist”. Nga ana tjetër, udhëheqësi shqiptar e quan Hrushovin një “revizionist” dhe një përdhosës të “marksizëm-leninizmit”. Në një pikë të letrës së Shqipërisë dërguar Bashkimit Sovjetik, qeveria shqiptare shkruan: “Pasi ka vendosur në mënyrë sistematike një bllokadë ekonomike njëra pas tjetrës, bllokadën e heshtjes dhe të izolimit politik, në mënyrë që të ulte partinë e tonë në gjunjë në Kongresin e 22-të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita S. Hrushovi arriti deri në atë pikë sa sulmoi publikisht me akuza shpifjeje dhe dashakeqe Partinë e Punës të Shqipërisë dhe udhëheqjen e saj, duke bërë haptazi apele kundërrevolucionare për rrëzimin e drejtimit të partisë dhe shtetit shqiptar, dhe duke ndërhyrë më shumë se çduhet në çështjet e brendshme të një shteti sovran socialist, një miku dhe një aleati”. Është shumë interesante po të krahasosh atë që gazetari rus, Aleksei Ivanoviç Axhubei, i tha presidentit Xhon Kenedi gjatë intervistës së fundit të tij, me faktet e jetës reale të shfaqura nga udhëheqësi shqiptar. Axhubei e siguroi presidentin amerikan se Bashkimi Sovjetik nuk ndërhyn kurrë në çështjet e brendshme të një vendi tjetër, dhe se është kundër eksportimit si të revolucionit ashtu edhe të kundërrevolucionit dhe gjithmonë do që të jenë njerëzit ata që vendosin llojin e qeverisë që duan. Gjenerali Hoxha tregon se këto fjalë janë thjesht diplomaci e pavërtetë, dhe se praktika sovjetike është krejtësisht e kundërta. Rëndësia e kësaj çarjeje të re në bllokun sovjetik shkon përtej marrëdhënieve të mundimshme mes Tiranës dhe Moskës. Kësaj here, parti të shumta komuniste janë në krah të Shqipërisë. Ato nuk do dëshironin që linja antishqiptare ti godiste dhe ato pa paralajmërim në Kongresin e Moskës. Dhe kur Kina e Kuqe foli hapur kundër trajtimit që po i bënte Moska Shqipërisë, më pak se gjysma e 81 partive komuniste iu bashkuan qëndrimit rus për të dënuar Shqipërinë. Ndasitë për vendin e vogël ballkanik janë si një pasqyrë e thyer; Thyerja është më e madhe diku, por krisjet janë prezente në çdo drejtim – pothuajse kudo në botën komuniste.
Ky lajm është publikuar: 03/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›