Kokona: “Mbledhja e klubeve e organizuar nga Pango”

"Nuk do të kemi një reagim zyrtar për deklaratën e klubeve, pasi ajo është një deklaratë që është servirur nga ministria, është shpërndarë prej saj". Ky është reagimi i "ftohtë" i zëdhënësit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Tritan Kokona, në lidhje me kërkesat e bëra tashmë publike, ku në to kërkohej edhe dorëheqja e presidentit Duka.
"PSE NUK REAGOJMË?"
"Po të shikoni te emrat e nënshkruesve, do të dalloni se nga Tirana ka nënshkruar vetëm njëri (Halili) nga katër donatorët, ky nuk është presidenti dhe nuk e përfaqëson ai klubin. Kjo është edhe një arsye pse nuk dalim të gjithë". Bosët e klubeve shqiptare ngritën shqetësimin se pas pëzullimit nga FIFA, e ndoshta më vonë edhe përjashtimin e Shqipërisë për një periudhë dyvjecare, klubeve që ata drejtojnë do t'u hiqet e drejta për t'u përfaqësuar në kompeticionet europiane. Duhet të kujtojmë se skuadra kampione e Shqipërisë për pjesëmarrjen e saj në Ligën e Kampioneve veëm për pjesëmarrje në turin e parë eliminator përfiton rreth 260 mijë franga zvicerane (1 frangë= 0.644 euro, rreth 167 mijë euro), ndërkohë që ato që marrin pjesë në Kupën UEFA (70 mijë franga) dhe në Kupën Intetoto (40 mijë franga zvicerane).
ASNJË KËRKESË ZYRTARE
Edhe pse drejtuesit më të lartë të tetë klubeve elitare: Tirana, Partizani, Vllaznia, Elbasani, Besa, Shkumbini, Kastrioti e Skëndërbeu i drejtuan një letër të ashpër me katër kërkesa Federatës Shqiptare të Futbollit, përfshirë edhe dorëheqjen e presidenitit të FSHF-së, Armand Duka, në rast të moszgjidhjes së konfliktit MTKRS-FSHF brenda datës 21.03.2008, ende nuk ka një kundërpërgjigje apo reagim zyrtar nga ana e qeverisë së futbollit shqiptar. I pyetur rreth një reagimi të mundshëm pas kërkesës së ashpër të tetë klubeve, zëdhënësi i FSHF-së, Tritan Kokona, pohoi se nuk për të pasur asnjë kundërpërgjigje. Ai shton se në FSHF nuk kishte mbërritur zyrtarisht letra e klubeve. "As nuk ishim në dijeni për të, madje të gjithë e vunë re se shpërndarjen e saj e organizoi ministria e sporteve përmes adresave të mailit të gazetarëve. Madje edhe në federatë e solli një gazetar, duke na bërë të ditur se klubet kishin bërë një deklaratë".