Rudi Vata: “Kërkesat e klubeve të drejta”

Rudi Vata, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare dhe një ndër kritikët më të rreptë të presidentit të FSHF-së, Duka, shprehet i bindur se tëtë klubet e Kategorisë Superiore kanë të drejtë në kërkesat e tyre. "Presidentët e tyre, apo donatorët quajini si të doni, kanë të drejtë të shqetësohen për të ardhmen e klubeve që ata financojnë", - tha Vata përmes një komunikimi telefonik.
"Ata derdhin shumë jashtëzakonisht të mëdhaja dhe marrin përsipër t'i japin jetë një futbolli, që në epokën e Dukës është menaxhuar jo në mënyrë profesionale".
Vata, tashmë edhe me licencën e menaxherit të FIFA-s dhe me marrëdhënie të shumta në rang ndërkombëtar, shton: "Kudo që shkoj për motive pune në Gjermani, Itali, Suedi, Danimarkën, Anglinë, Skocinë ku jetoj, por edhe në Bullgari, Poloni, apo dhe në Malin e Zi dalloj lehtësisht një organizim shumë korrekt dhe profesional, por në Shqipëri ai që bën ligjin është amatorizmi i drejtuesve të federatës".
Ish-lojtari i Vllaznisë shqetësohet edhe për fatin e kombëtares: "Si është e mundur që këta drejtues të mos e kuptojnë se më metodën e punë së tyre po i bëjnë një dëm kolosal e riparueshëm futbollit në nivel ndërkombëtar. Futbolli shqiptar dhe qindra mijërat e tifozëve nuk mund të mbetet peng i një njeriu. Dorëheqja e Dukës do ishte veprimi më i ndershëm i tij dhe jo të fshihej pas vendimeve të FIFA-s".