Livorno-Rexhina, Bogdani, kundër ish-të kaluarës

Livorno pret Rexhinën në javën e 29-të Serisë A, në një sfidë mbijetese, ku asnjërës prej dy skuadrave nuk i lejohet të gabojë. Gjithsesi të dyja ekipet i lidh me një nyje të fortë një emër shqiptari. Erion Bogdani.
Sulmuesi, aktualisht në forcë me Livornon, fillimet e tij në Itali i ka nisur pikërisht me Rexhinën, në vitin 1999, kur Erioni pasi u transferua nga Partizani në kampionatin kroat me Dinamon e Zagrebit (25 ndeshje, 8 gola) u ble nga skuadra italiane. "Er-Bomber" në 68 ndeshje me Rexhinën realizoi 17 gola.
Bogdani, i cili në sfidën e fundit luajti për gati 20 minuta, ku humbi edhe një rast të artë, pritet të luajë nga minuta e parë, pasi trajneri i tij Xhankarlo Kamoleze beson shumë në njohuritë që ka shqiptari për ish-skuadrën e tij.
30-vjecari Bogdani (mbush 31, më 17 prill ) pritet të formojë dyshen sulmuese me Tavanon. Sulmuesi gjigand, i njohur në Itali me nofkën "Princi i Epirit", ka shënuar vetëm një gol gjatë këtij sezoni, kundër Juventusit.
Në Serinë A dy skudrat janë ndeshur vetëm tre herë midis tyre: një fitore për Livornon dhe dy barazime. Intriga bëhet edhe më interesante: trajneri i Livorno, Xhankarlo Kamoleze ka drejtuar Rexhinën në sezonin 2003-2004.
Në një shkrim të saj të para disakohshëm, gazeta më e madhe sportive italiane "La Gazzetta dello Sport", shkruante se Bogdani, atëherë sulmuesi i Sienës, ishte një ndër beqarët luksozë të futbollit italian dhe më të përkëdhelurit e vajzave që frekuentojnë lokalet trendi. Aktualisht, Erioni i diplomuar për administrim biznes bashkëjeton me një italiane, e cila pritet të jetë edhe bashkëshortja e tij e ardhshme.