E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kola: Me këta lojtarë e nxjerr Tiranën kampione

Distanca 4 pikëshe mes Vllaznisë kryesuese dhe Tiranës së vendit të dytë, nuk është pak, por nuk është as shumë. Të këtij mendimi janë të gjithë në klubin bardheblu, të cilët besojnë shumë se ky do të jetë sezoni i tyre. Objektiv i panegociueshëm i tyre është rikthimi te titulli kampion i Shqipërisë, por për këtë do të duhet të përballem me konkurrencën e shkodranëve të etur, ndaj të cilëve duhen rikuperuar më parë 4 pikët e distancës. Zhvillimet e fundit në kampin bardheblu janë premtuese. Rokada e trajnerëve, duket se ka rikthyer entuziazmin në radhët e Tiranës. Menjëherë pas ardhjes së Agustin Kolës në vendin e boshnjakut Blazhe Slishkovic, 23 herë kampionët e demonstruan forcën e tyre përballë Apolonisë. Ndaj fierakëve fituan me rezultatin 3-0 të shtunën e fundit në "Selam Stërmasi". Kjo ndeshje i ka mjaftuar trajnerit të ri për të krijuar një ide më të qartë rreth potencialit që ka kjo skuadër. Prej katër ditësh në krye të saj, Kola ka besim se grupi i lojtarëve, që trashëgoi nga ish-trajneri Slishkoviç, jep garanci në realizimin e objektivave, që Tirana i ka vënë vetes për këtë edicion. Prandaj ai thekson edhe njëherë se klubi i tij nuk do të jetë aktiv në merkaton e dimrit, pasi nuk i nevojiten përforcime të tjera. "Jam i kënaqur me ekipin dhe gjendjen e tij, beson shumë te grupi, ka pohuar pas stërvitjes së djeshme trajneri bardheblu. Ekipi gëzon përgatitje të mirë fizike, gjë që e demonstroi si në ndeshjen me Apoloninë ashtu edhe në këto seanca stërvitore të zhvilluara. Mendoj se nuk do të jetë e nevojshme të futemi në merkaton e dimrit, pasi me lojtarët që kemi në përbërje mund të dalim kampion". Po ashtu, trajneri ka folur edhe në lidhje me ndeshjet e radhës, ku edhe pse nuk do përballet me kundërshtarë të nivelit të saj, ata do të shërbejnë për kolaudimin sa më të mirë të ekipit. "Shpresoj të shkojnë gjërat si me Apoloninë edhe ndaj Lushnjës e Flamurtarit", përfundoi Kola. Në stërvitje vihet re një përkushtim i madh i grupit dhe një angazhim serioz për të dhënë maksimumin. Po dje i është rikthyer stërvitjes me skuadrën edhe kapiteni Devis Mukaj. Ndërkohë që te bardheblutë vazhdojnë stërvitjen edhe Ilion Lika e Nevil Dede.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›