Kotbuz e Mynih 1860 duan Bunjakun
Albert Bunjaku vazhdon të shkëlqejë në ligën e tretë gjermane dhe një gjë e tillë e ka bërë atë të vihet në shënjestrën e klubeve të elitës së futbollit në këtë vend. Sulmuesi kosovar me pasaportë zvicerane ishte protagonisti absolut i fitores 2-0 së skuadrës së tij, Rot Vajs Erfurt, në takimin e luajtur në fundjavë në transfertë ndaj Vupertaler. Shënoi golin e avantazhit në minutën e 39 dhe dha asistin e golit të dytë të Kanizaros në të 65-ën. Goli i shënuar në këtë ndeshje ishte i nënti për kosovarin në 17 ndeshje të luajtura në këtë sezon. Treguesit e tij në këtë sezon janë shumë të mira. Sipas revistës prestigjioze sportive gjermane "Kicker", sulmuesi kosovar, i cili militon që në sezonin 2006-2007 te skuadra e Erfurtit, është një ndër futbollistët më të vlerësuar në Ligën e tretë. Aktualisht në moshën 25-vjeçare, Bunjaku ka bërë paraqitje shumë të mira në takimet e këtij edicioni dhe falë kësaj, ai është vlerësuar me nota shumë të mira nga revista e specializuar gjermane "Kicker". Pas 17 ndeshjes të luajtura, ai ka një notë mesatare të mirë (nota 2.97). Me kontributin e tij ka ndihmuar Erfurtin të ngjitet në kuotën e 31 pikëve në vendin e gjashtë të Ligës së tretë. Menjëherë pas performancës së mirë të tij në ndeshjen e javës së fundit, janë shtuar zërat që e shikojnë larg skuadrës në merkaton e dimrit. Kotbuz e Mynih 1860 nga Bundesliga janë interesuar për të. "Kontrata ime skadon në fund të sezonit", thotë ai vetë dhe thekson se nuk e përjashton një largim të mundshëm.