E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kola godet gazetarin e ‘Panorama Sport’

 

Jetmir Halilaj

Rikthehet dhuna ndaj gazetarëve, por këtë radhë vjen nga bota e sportit, madje nga dora e një trajneri. Agustin Kola, tekniku i skuadrës së Tiranës, në një shpërthim nervash e sipër, pa asnjë shkak goditi, fyeu dhe kërcënoi në mënyrë harbute gazetarin e “Panorama Sport”, Adriatik Ballën. Kolës, që shquhet jo vetëm si një ish-futbollist i madh dhe i talentuar, por edhe si një njeri me temperament impulsiv, i kanë mjaftuar pak minuta për të hedhur në erë gjithë reputacionin e tij, madje ka dhënë shembullin më të keq edhe te skuadra që drejton. Veprimi i tij, sa i guximshëm, aq edhe banal, i ka çjerrë maskën trajnerit, i cili në mënyrë krejt të paprecedentë ka goditur pa asnjë shkak gazetarin. Ky i fundit, i befasuar dhe tejet i shqetësuar nga sjellja e trajnerit të Tiranës, fillimisht e ka pyetur teknikun për motivin e fyerjeve dhe të kërcënimeve, por ka marrë si përgjigje një goditje nga ana e Kolës. Nëse nuk do të kishin ndërhyrë disa nga punonjësit e skuadrës, situata mund të kishte degraduar edhe më tej dhe pasojat e sjelljes së trajnerit të Tiranës do të kishin qenë edhe më të mëdha.
Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00, kur Agustin Kola ka fyer e më pas ka goditur gazetarin e “Panorama Sport”, Adriatik Ballën. Ky i fundit ishte duke intervistuar futbollistin e Tiranës, Andi Lilën, por në këtë moment Agustin Kola ka urdhëruar me një ton të ashpër mbrojtësin që të mos jepte asnjë deklaratë për Ballën. Kola ka kërkuar hapur që gazetari Balla të nxirrej jashtë kompleksit, por pa dhënë asnjë shpjegim. Më pas, kur gazetari nuk ka pranuar të largohej, Kola ka filluar të shajë e të fyejë me një fjalor banal dhe më pas e ka qëlluar gazetarin Balla me grusht. Në këtë moment kanë ndërhyrë disa punonjës të skuadrës bardheblu, të cilët kanë mbajtur Kolën dhe nuk e kanë lejuar që të ushtronte sërish dhunë fizike ndaj gazetarit Balla.
Denoncimi
I shokuar nga ngjarja e paprecedentë dhe nga veprimet e pakuptimta të trajnerit të Tiranës, gazetari Adriatik Balla ka vendosur që të bëjë kallëzim penal, ku ka denoncuar veprimet e dhunshme për shkak të detyrës, nga trajneri i Tiranës, Agustin Kola. Ndërkohë që drejtues të lartë të klubit të Tiranës, jo vetëm që nuk kanë denjuar të kërkojnë ndjesë për atë çka ndodhi në kompleksin stërvitor “Skënder Halili”, por nuk e kanë parë të arsyeshme qoftë edhe të japin një reagim formal për ngjarjen e shëmtuar, ku padyshim “hero”, ishte trajneri i tyre, Agustin Kola.

Drejtuesit e klubit bardheblu heshtin

Drejtuesit e klubit të Tiranës nuk kanë dhënë asnjë deklaratë në lidhje me veprimet e dënueshme të trajnerit të tyre, i cili dje ka goditur një gazetarët me grusht vetëm për shkak të detyrës. I kontaktuar nga gazeta “Panorama Sport”, kryedonatori Refik Halili ka thënë se pasi të informohej për atë çka kishte ndodhur, do të jepte një reagim zyrtar. I kontaktuar disa herë më vonë gjatë pasdites së djeshme, drejtuesi i Tiranës nuk e ka hapur telefonin, duke mos dhënë asnjë reagim zyrtar për këtë çështje dhe duke u shmangur nga kjo çështje. Ndërkaq, sekretari i klubit bardheblu, Eduard Gjini, e kishte fikur telefonin, dhe gazeta nuk ka mundur dot të kontaktojë me të. Drejtori teknik u Tiranës, Alban Tafaj, i kontaktuar nga redaksia e gazetës “Panorama Sport”, nuk ka dashur të japë asnjë reagim zyrtar për ngjarjen e shëmtuar.

Akti pa precedent

Asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur që trajneri i një skuadre të kampionatit shqiptar të ushtronte dhunë fizike ndaj një gazetari. Ky është rasti i parë kur një trajner keqtrajton fizikisht një gazetar sportiv vetëm për shkak të detyrës dhe është për të ardhur keq që kjo ka ndodhur në mes të kryeqytetit nga numri një i pankinës së Tiranës.

Slishkoviç

Ish-trajneri i Tiranës, Blazhe Slishkoviç, pak kohë para se të largohej nga pankina bardheblu, kërcënoi gazetarin e “Sport Ekspres”. Në nerva e sipër, i kërkoi gazetarit që të mos bënte më foto nga stërvitja dhe kur e pa që ai nuk u tremb nga toni i tij i ashpër, Slishkoviç i tha: “Do të të pres kokën”. Kjo ndodhi në një kohë që Tirana ishte e përfshirë nga kriza e rezultateve dhe trajneri boshnjako-kroat ishte vënë nën trysninë e opinionit sportiv dhe të drejtuesve të Tiranës. Pak ditë më vonë ai do të jepte dorëheqjen.

Precedenti me gruan

Nuk është hera e parë që Agustin Kola paditet në polici për ushtrim dhune apo akte të ngjashme. Në fillim të vitit 2003 ish-futbollisti i Kombëtares dhe i Tiranës, një emër i njohur në sportin shqiptar ka përfunduar në dosjet e policisë. Agustin Kola, trajneri aktual i Tiranës, gjashtë vjet më parë është denoncuar nga ish-bashkëshortja e tij, pasi ajo pretendonte se ai e kishte kërcënuar për një problem pronësie. Gjithçka ka ardhur pas një sherri para shtëpisë së ish-çiftit, në zonën që mbulon Komisariati Nr.2.

Federata dënon dhunën

Përgjegjësi i sektorit të garave në FSHF, Ilir Shulku, ka dënuar aktin e dhunës ndaj gazetarit të “Panorama Sport”. Ai ka thënë se është e patolerueshme që pjesëtari i një skuadre futbolli dhe aq më keq një trajner, të kryejë veprime të tilla të dënueshme. “Realisht nuk jam në dijeni të kësaj që ka ndodhur dhe nga ju po e marr vesh – ka thënë Shulku nëpërmjet telefonit për “Panorama Sport”. – Nëse kjo është e vërtetë, atëherë më vjen keq dhe padyshim që dënoj një akt të tillë. Njerëzit e sportit duhet të jenë shembull në sjelljen e tyre dhe jo të bëjnë veprime të tilla”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›