Ndizet Evropa e Lindja kundër sulmeve izraelite
Pothuajse e gjithë Evropa dhe Lindja e Mesme janë ngritur në protesta kundër forcave izraelite, për të ndalur ofensivën në Gaza. Përkundër thirrjeve, Izraeli ka premtuar një ofensivë më të ashpër kundër Hamasit në Gaza, duke hedhur dje fletushka nga ajri që i kërkonin forcave të ushtrisë të përforconin sulmet e tyre dhe duke paralajmëruar banorët të mbrohen. Ndërkohë që Izraeli sulmon nga toka dhe ajri, vazhdojnë të hidhen edhe raketat e Hamasit drejt territorit izraelit. Sipas mediave, ushtarët izraelitë kanë arritur të vrasin një përgjegjës ushtarak të Hamasit në Gaza. Emir Mansi, sipas radios ushtarake, ishte koordinatori i hedhjes së raketave të tipit Grad (122 mm) në drejtim të Izraelit. Mansi është identifikuar nga forcat tokësore dhe është goditur menjëherë nga një predhë ajrore. Sipas mjekëve në Rripin e Gazës, thonë se më tepër se 800 palestinezë janë vrarë prej ofensivës ushtarake izraelite, që filloi më 27 të muajit të kaluar. Janë vrarë 13 izraelitë. Ndërkohë në Kajro të Egjiptit po vazhdojnë përpjekjet diplomatike për ndaljen e luftimeve. Presidenti i autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas, u takua me homologun e tij egjiptian, presidentin Hosni Mubarak dje, duke deklaruar se plani i paqes së Egjiptit ishte themelor për zgjidhjen në Gaza. Ai po i bën thirrje zbarkimit të paqeruajtësve ndërkombëtarë në Gaza. Pas kritikave të marra nga OKB dhe organizatat e paqes dhe kryqit të kuq, Izraeli është zotuar se do të respektojë armëpushimin në kohën e kalimit të karvanëve të OKB-së me ushqime dhe ndihma për civilët në Gaza. Por edhe gjatë tre-orëshit të pushimit ka pasur të shtëna nga artileria izraelite, sipas dëshmitarëve. “Kanë qëlluar si të çmendur”, deklaruan për mediat dëshmitarët. Tre-orëshi i armëpushimit (13:00-16:00) do të shërbente për të furnizuar popullsinë me mjetet kryesore të jetesës. Ndërkohë në të gjithë Evropën mijëra protestues kanë dalë nëpër sheshe për të kundërshtuar ofensivën agresive të Izraelit kundër civilëve palestinezë. Protesta u shënuan në të gjithë qytetet kryesore të Evropës. Në Londër rreth 12 mijë vetë kanë protestuar dhe marshuar drejt ambasadës izraelite me flamuj palestinezë, madje disa prej tyre kanë djegur edhe një poster të presidentit amerikan në largim, Xhorxh Bush, duke fajësuar kështu Shtetet e Bashkuara për mbështetjen që i ka bërë Izraelit. Demonstrata të ngjashme janë mbajtur edhe në Athinë, Berlin, Budapest, Paris dhe Sarajevë.