Arben Laze nga burgu: Orët e vështira në qeli
ALDI KOZARIA
Është ora 13:48 e të premtes kur me lejen e drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë 313 na jepet “OK”-i për të vizituar presidentin e klubit të futbollit “Elbasani”, Arben Lazen. Ky i fundit do të vazhdojë të qëndrojë në qelitë e burgut deri në përfundim të hetimeve të akuzave të ngritura në adresë të tij. Sapo kalojmë të gjitha kontrollet që të çojnë për në vendin e takimit dhe sa hapim derën e dhomës, bie menjëherë në sy një fanellë me ngjyrat verdheblu. I veshur me kostumin sportiv të Elbasanit dhe me fanellën me numër 1, Arben Laze shfaqet me pamjen e tij të zakonshme. Si gjithmonë me mjekër, mjaft i qetë dhe sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Sapo e takojmë, presidenti i Elbasanit na jep dorën nëpërmjet hekurave. Në një dhomë prej 15 metrash katror dhe nën vëzhgimin e vazhdueshëm të një polici, Laze jep një intervistë ekskluzive për “Panorama”, ku tregon se si ndodhi arrestimi, ditët në burg edhe në shoqërinë e Delijorgjit, reagimin e presidentëve të klubeve pas arrestimit të tij dhe sa i mungon futbolli.
Z. president, si ndiheni kur keni afro dy javë këtu në qelitë e Burgut 313? A ju mungon futbolli?
E si mund të ndihem kur kërkojnë të më akuzojnë për diçka që unë nuk kam lidhje fare. Në burg ndihem mirë, jam bashkë me tim vëlla dhe gjatë gjithë ditës flasim gjatë për ekipin e pa dyshim për punën që po bëhet për të afruar lojtarë. Ndërsa futbolli më mungon shumë. Këto ditë jam ndjerë keq, teksa shikoj lajmet sportive në TV dhe për futbollin flitet shumë pak.
Si e kaloni ditën këtu?
Në fakt, dita në burg nuk kalon lehtë, aq më shumë për mua që jam mësuar të jem aktiv ndaj të gjithë problematikës që ka ekipi çdo ditë. Nga këtu nuk mund ta udhëheq dot atë, por mendoj se edhe ata që po vazhdojnë punën, të cilën duhej të kisha bërë unë, po e bëjnë mjaft mirë.
A jeni i informuar se çfarë po bëhet me skuadrën?
Po, normalisht. Më kanë vizituar disa herë drejtuesit e ekipit të Elbasanit dhe sigurisht që kam biseduar rreth problemeve që ka sot skuadra. Edhe përsa i përket afrimeve që janë bërë, kemi rënë dakord me dy aksionerët e tjerë, të cilët kanë ardhur e më kanë vizituar edhe këtu në Burgun 313. Në fakt, përsa i përket blerjeve, kisha biseduar në lidhje me idetë për merkaton e janarit para se të isha këtu. Mendoj se deri tani dy aksionerët e ekipit kanë bërë atë çfarë kishim në plan për të realizuar.
Te verdheblutë tashmë ka mbërritur Nevil Dede, një futbollist cilësor ky, dhe njëkohësisht një nga miqtë e tu më të ngushtë. Si e komentoni këtë?
Me Nevilin kisha folur kohë më parë. Më kishte premtuar se do ta vlerësonte ofertën për t’iu bashkuar ekipit të Elbasanit në muajin janar. Madje, më lejoni t’iu them se rreth orës 12:00, para se të arrestohesha, kam biseduar me Nevilin dhe i kam bërë ofertën për t’iu bashkuar verdhebluve, të cilën në fund të vitit të kaluar ia bënë edhe aksionerët e ekipit të Elbasanit. Nevili është një nga futbollistët më të mirë të Shqipërisë dhe besoj se do ta nderojë fanellën e ekipit të Elbasanit përsa kohë do të luajë për verdheblutë.
Pas arrestimit tuaj, disa nga presidentët e futbollit janë prononcuar, sipas mendimit të tyre. Ç’mendim keni për këtë?
I kam ndjekur të gjitha prononcimet që kanë bërë presidentët dhe dua t’iu them se, nuk më ka ardhur mirë kur disa nga ata janë përpjekur që të luajnë rolin e kompetentit. Megjithatë, do të jetë koha, ajo që do të vërtetojë se çfarë lidhjesh ka Arben Laze dhe se sa i pastër është ai në arenën e futbollit. Më lejoni që nëpërmjet gazetës suaj, t’i përcjell falënderimet përzemërta atyre njerëzve, që janë përpjekur të qëndrojnë konstantë me deklaratat që kanë bërë pas arrestimit tim.
Në Burgun 313 ndodhet edhe ish-presidenti i Dinamos, Mihal Delijorgji. A takoheni me të?
Është shumë e vërtetë që këtu ndodhet dhe Delijorgji, madje me të kaloj disa orë, pasi edhe ai ka qenë kontribuues në botën e futbollit në ekipin e Dinamos dhe ka pasur të njëjtin problem që kam unë sot me drejtësinë, teksa u arrestua vite më parë kur financonte ekipin e Dinamos. Me Mihalin bisedojmë rreth futbollit, por edhe për fushën e biznesit, pasi edhe këtu kemi qenë dhe do të jemi sërish kolegë.
“Po flisja në telefon me Bizhdilin kur u arrestova
“O Xhat prit një çikë se kush më ka dalë përpara”! Këto kanë qenë fjalët e fundit që i ka thënë presidenti i ekipit të Elbasanit, Laze, atij të Besës, Bizhdili, pak momente përpara se atij t’i vendoseshin prangat. Fillimisht Laze ka menduar se e kanë ndalur për ta grabitur, por më pas ka mësuar se kishte të bënte me forcat speciale, të cilat i kishin zënë pritë teksa ky i fundit ishte duke u kthyer nga Maqedonia. Laze kishte shkuar në Maqedoni për të bërë pazaret e Vitit të Ri për familjen e tij dhe për të biseduar në Ohër me menaxherin e dy lojtarëve maqedonas për t’i afruar në radhët e verdhebluve. Kreu i elbasanasve pak përpara arrestimit po fliste në telefon me presidentin kavajas, Nexhat Bizhdili. Ky i fundit e kishte ftuar Lazen për darkë në Kavajë në prag të ndeshjes Elbasani-Besa e fituar nga Kavajasit 0-1. Bizhdili kishte menduar që pjesë e kësaj darke të ishte dhe Laze, meqë ishte presidenti i ekipit kundërshtar por që fatkeqësisht ky i fundit nuk mundi të ishte i pranishëm.
A. Kozaria