E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia dhe BE-ja nënshkruajnë marrëveshjen

 

Rusia dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord për monitorimin e transitit të gazit rus nëpërmjet Ukrainës, duke hapur kështu udhën për furnizimin e plotë të Evropës pas katër ditësh shkëputjeje mes temperaturave të ftohta. Kryeministri çek, Mirek Topolanek, i cili përfaqëson BE-në, u takua me kryeministrin rus, Vladimir Putin pas zhvillimit të bisedimeve të së premtes me liderët e Ukrainës dhe pas kthimit dje në Kiev për të siguruar aprovimin e tyre. Mbyllja e gazit nga Gazprom-i rus pas mosmarrëveshjeve të Rusisë me Ukrainën mbi çmimin dhe borxhet, gjallëroi thirrjet në Evropë për zhvillimin e energjisë nukleare dhe burimeve alternative të energjisë. Rusia, Ukraina dhe BE-ja ranë dakord në princip më 8 janar për monitorimin e transitit të gazit. Por pas kësaj marrëveshjeje, lindën të tjera debate se si do të kryhej monitorimi. Sipas “Bloomberg”, marrëveshja u nënshkrua nga zëvendëskryeministri rus, Igor Sechin, shefi ekzekutiv i “OAO Gazprom”, Alexei Miller dhe ministri çek i Tregtisë, Martin Riman. Gjatë ditës së djeshme Topolanek tha se kishte marrë garanci verbale nga Ukraina, se ekspertët rusë do të lejohen të monitorojnë transitin sipas agjencisë së lajmeve “Vesti”. Po ashtu monitoruesit ndërkombëtarë do të qëndrojnë në rrjetet e gazit në Ukrainë dhe në territorin rus. Ukraina dhe Gjeorgjia i kanë ftohur prej kohësh marrëdhëniet e tyre me Rusinë në përpjekje për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.  Çmimet e gazit natyral në Britani, si tregu më i madh në Evropë, ranë gjatë kësaj jave pas zërave se do të nënshkruhej shpejt marrëveshja mes Ukrainës dhe Rusisë. Gazprom e ndaloi furnizimin e tij me gaz më 7 janar, pasi akuzoi Ukrainën se shiste një pjesë të gazit që kalonte për interesat e veta, një akuzë që ky vend e ka mohuar. Monitoruesit evropianë kanë mbërritur të premten në Kiev. Skuadra do të përmbajë 18 ekspertë nga kompanitë më të mëdha të gazit në Evropë dhe katër zyrtarë të Komisionit Evropian.         (Bloomberg)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›