E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time, në nëntor Ministria do të publikojë kuotat dhe kriteret



Jonida Tashi

Kuotat dhe kriteret për studimet me kohë të pjesshme (part-time) do të publikohen në fillim të muajit nëntor. Lajmi bëhet i ditur nga shefja e zyrës së shtypit në Ministrinë e Arsimit, Ermelinda Muho, e cila sqaron se menjëherë pas mbarimit të fazës së tretë të pranimeve në universitete do të publikohet udhëzimi i detajuar për studimet e pjesshme. Mësohet se në këtë udhëzim, kandidatët për studimet me kohë të pjesshme do të informohen jo vetëm për kuotat dhe kriteret e pranimeve, por edhe për universitetet në të cilat mund të ndiqen këto studime. Ndërsa, pasi të miratohen kuotat e pranimit dhe kriteret nga Ministria e Arsimit, qeveria duke marrë parasysh propozimet e universiteteve dhe MASH-it do të miratojë edhe tarifat e studimit për çdo degë. Sipas udhëzimit të ministrit të Arsimit, Fatos Beja, viti akademik në institucionet publike të arsimit të lartë, në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe në distancë do të fillojë në datën 10 nëntor 2008 dhe do të përfundojë në datën 30 shtator 2009. Ndërsa faza e tretë e pranimeve në universitete pritet të mbyllet në 6 nëntor, datë në të cilën Ministria e Arsimit duhet të dorëzojë në universitete, në formë të shkruar dhe elektronike, listat përfundimtare të kandidatëve fitues sipas programeve përkatëse të studimit.
Kuotat
Rreth 3 mijë studentë pritet të ulen në auditorët e universiteteve publike këtë vit, për të ndjekur studimet e pjesshme. Nga këta, më shumë se një mijë të rinj do t’i ndjekin këto studime në Universitetin e Tiranës, i cili ka propozuar 1050 kuota pranimi për studimet e pjesshme. Ndërsa në disa degë të këtij universiteti hyrja do jetë e palimituar. Kuotat do të jenë të shpërndara sipas fakulteteve. Kështu, në Fakulteti Histori-Filologjisë do të ofrohen rreth 450 kuota për studimet e pjesshme, të cilat janë të ndara në mënyrë të barabartë sipas degëve përkatëse të këtij fakulteti, si Historia, Gjeografia dhe dega e Gjuhë-Letërsisë. Drejtuesit e Universitetit të Tiranës kanë propozuar që pranimi i studentëve në degën e Biologjisë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe në degët Financë dhe Administrim binzes të Fakultetit Ekonomik këtë vit të jenë të hapura. Për këtë vit akademik studime të pjesshme do të ofrojë dhe Fakulteti i Drejtësisë, i cili ka propozuar 400 kuota pranimi. Ndërsa katër fakultetet e tjerë të Universitetit të Tiranës, përkatësisht ai i Gjuhëve të huaja, Mjekësisë, Infermierisë dhe Shkencave sociale nuk do të ofrojnë studime me kohë të pjesshme për këtë vit akademik. Por, pavarësisht se janë bërë propozimet përkatëse nga universitetet, do të jetë Ministria e Arsimit, ajo që do të bëjë miratimin e këtyre kuotave, çka do të thotë se mund të ketë dhe ndryshime. Miratimi i kuotave për studimet me kohë të pjesshme pritet të bëhet gjatë këtij muaji. Pasi të ketë mbaruar sistemimi i studentëve në studimet me kohë të plotë, do të dalë udhëzimi dhe miratimi i kuotave për sistemin part-time nga Ministria e Arsimit. Studimet me kohë të pjesshme këtë vit pritet të rihapen edhe në universitetet private të vendit. Por, kushti kryesor që Ministria ka vendosur për hapjen e këtyre studimeve si për universitetet publike dhe për ato private është përshtatja e studimeve me Bolonjën. Kështu, studime me kohë të pjesshme do të kenë vetëm ato universitete që programet do t’i kenë sipas Kartës së Bolonjës. Në të kundërt, specialistët e Ministrisë nuk do t’i miratojnë. Ndryshe nga universitetet publike, ku kuotat që propozojnë universitetet i miraton MASH-i, privatët do të vendosin vetë për numrin e studentëve që do të pranohen në part-time. Kurrikulat duhet të jenë të përshtatura në atë formë që studenti të plotësojë 180 kredite për të marrë diplomën. Duke ditur që një kredit i korrespondon orëve të caktuara mësimore, universitetet duhet t’i organizojnë në mënyrë sa më efektive.
Kriteret
Mënyra e pranimit të studentëve në studimet e pjesshme ka përfshirë në debat drejtuesit e universiteteve dhe fakulteteve ku do të ndiqen këto studime me Ministrinë e Arsimit. Drejtuesit e fakulteteve e kundërshtojnë hapur kriterin e propozuar nga MASH-i për dhënien e provimeve të Maturës Shtetërore si një ndër kriteret kryesore për pranimet e kandidatëve në sistemin part-time. Sipas tyre, vendosja e këtij kriteri është një diskriminim që Ministria po u bën universiteteve publike karshi atyre private. Dekani i Fakultetit Histori-Filologji në Tiranë, Shezai Rrokaj, e kundërshton hapur këtë kriter duke e argumentuar me faktin se pse në universitetet private pranimet e studentëve bëhen pa u bazuar në këtë kriter jo vetëm për studimet me kohë të plotë, por edhe për ato me kohë të pjesshme. Sipas tij, universitetet publike janë të diskriminuara për pranimin e studentëve në studimet me kohë të pjesshme. Pikërisht, për të evituar këtë diskriminim të vazhdueshëm, rektorët e universiteteve publike në vend kanë kërkuar që kriteret e pranimit të studentëve të rinj duhet të jenë të njëjta si në universitetet publike dhe në ato private. Për këtë, ata i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit, që të unifikojë kriteret e pranimit të studentëve në universitetet publike dhe private. Por pranimet e studentëve në sistemin part-time kanë krijuar përplasje jo vetëm midis Ministrisë dhe universiteteve, por edhe midis këtyre të fundit. Kështu, ndërsa për dekanin e Filologjikut vendosja e kriterit të Maturës nuk është i drejtë, kryetari i Konferencës së Rektorëve, Jorgaq Kaçani ka kërkuar që pranimi i studentëve në part-time, të bëhet sipas të njëjtave kritere me atë të kohës së plotë. Megjithatë, pritet që rregullorja e plotë të bëhet publike në ditët në vijim, ku do të saktësohen dhe ndryshimet e bëra në lidhje me pranimet për studimet me kohë të pjesshme.

Propozimet e Universitetit të Tiranës për kuotat part-time

Fakulteti Histori-Filologji 450 kuota
Dega Histori 150 kuota
Dega Gjeografi 150 kuota
Dega Gjuhë-Letërsi 150 kuota
Fakulteti Ekonomik
Dega Administrim biznes pa limit
Dega Financë pa limit
Fakulteti i Shkencave të Natyrës
Dega Biologji Hyrje pa limit
Fakulteti i Drejtësisë 400 kuota
Dega Drejtësi 200 kuota

23 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›