Kompanitë austriake, interes për të investuar në Shqipëri
Banka Botërore në bashkëpunim me Dhomën Austriake të Tregtisë, organizuan këto ditë në Vjenë (Austri), një takim mbi investimet në Ballkan, me pjesëmarrjen e vendeve të rajonit si, Shqipëria, Kosova, Maqedonia etj. Gjatë aktivitetit kompani të ndryshme austriake shfaqën interes për të investuar në Shqipëri. Agjencia "Albinvest" në këtë takim, prezantoi aktivitetin e kompanive austriake në Shqipëri. Në takim morën pjesë përfaqësues të kompanive austriake, një pjesë e të cilave kishin regjistruar filialet apo degët e tyre në Shqipëri dhe një pjesë tjetër kishte filluar dhe aktivitetin. Interesi që u shfaq për Shqipërinë ishte shumë i madh, bënë të ditur burimet zyrtare të "Albinvest"-it.
Në Shqipëri punojnë një numër i konsiderueshëm kompanish austriake si, "DCM DECO metal Gmbh", që aktualisht ushtron aktivitet në Bulqizë dhe Elbasan, "Rogner", etj. Përfaqësues të kompanive, austriake shprehën kënaqësinë për ndihmën dhe mbështetjen e ofruar nga strukturat shtetërore shqiptare për ecurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit të tyre në Shqipëri.
Ndryshon ligji, ulet mosha për të luajtur në kazino
Ligji "Për lojërat e fatit" ka pësuar ndryshime rrënjësore, duke nisur që në fillim nga delegimi i kompetencave nga Ministria e Ekonomisë drejt asaj të Financave. Dikasteri i Bodes do të mbajë përgjegjësi për tregun e lojërave të fatit, si në licencim dhe në monitorim. Konkretisht, ajo që ndryshon nga ligji i mëparshëm lidhet me moshën e personave që kanë të drejtë të hyjnë në kazino ose në ambiente ku vihen baste. Nga 21 është bërë 18 vjeç, mosha e lejuar për të frekuentuar ambientet e kumarit dhe po këtë moshë e sipër duhet të kenë edhe punonjësit. Për efekte të karakterit social, lojërat e fatit nuk duhet të qëndrojnë para ambienteve të shkollave dhe institucione fetare, ndërsa në hyrje të çdo subjekti privat që merret me këtë aktivitet duhet të vendosen në mënyrë të dukshme lojërat që ofrohen dhe mënyra sesi luhen. Në ligj janë të përcaktuar qartë edhe detyrimet ndaj shtetit, të cilat nisin nga 1 milion lekë të reja në vit deri në bllokimin e kapitalit në 1.2 miliardë lekë. Tjetër ndryshim lidhet me identifikimin e lojtarëve që vendosin baste për ndeshje të ndryshme sporti. Kështu, ata që luajnë “on-line” shuma mbi 200 mijë lekë ose fitojnë po kaq para, duhet të paraqesin të dhënat e tyre personale, të cilat regjistrohen pranë subjektit privat për llogari të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, pranë Financave. Punonjësit e kësaj njësie kanë të drejtë të mbajnë armë me vete gjatë ushtrimit të detyrës dhe kanë kompetenca të plota në zbatimin e ligjit.
Rritja ekonomike në 20 vitet e fundit, në favor të të pasurve
Grupi më i njohur i tregtisë ndërkombëtare thotë se rritja ekonomike gjatë 20 vjetëve të fundit ka shkuar në favor të të pasurve, duke zgjeruar hendekun mes të pasurve dhe të varfërve në vendet e zhvilluara. Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik thotë se një studim në 30 vendet e saj anëtare zbuloi se punonjësit e pakualifikuar e kanë më të vështirë për të gjetur punë, me Meksikën, Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara me hendekun më të madh mes të pasurve dhe të varfërve. Raporti i sotëm tregon se dallimet mes klasës së pasur dhe të mesme po zgjerohen në disa vende, përfshi Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Italinë dhe Kanadanë. Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Angel Gurria, paralajmëroi se rritja e dallimeve është e dukshme dhe se përpjekjet për të rishpërndarë pasurinë përmes sistemit të taksave nuk janë më efektive sesa ç'ishin 10 vjet më parë. Ai tha se, qeveritë duhet të gjejnë mënyra të tjera për të hapur vende pune dhe për të zgjeruar arsimin.
23 Tetor 2008