E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, nisin aplikimet për studimet “Master”



Nisin aplikimet për ndjekjen e studimeve master në universitete. Çdo i interesuar për nisjen e këtyre studimeve duhet të paraqitet pranë sekretarive të fakulteteve për të bërë një kërkesë me shkrim si dhe dorëzuar dokumentet e nevojshme. Përveç depozitimit të kërkesës, personi i interesuar duhet të ketë në dosjen e tij personale, fotokopjen e noterizuar të diplomës universitare dhe listës së notave. Studentët kanë mbaruar sistemin 3-vjeçar sipas sistemit të Bolonjës, por që ende nuk janë pajisur me diplomë mund të dorëzojnë edhe listën e notave të vulosur nga fakulteti ku kanë kryer studimet. Po kështu, kandidatët, që synojnë të marrin një diplomë të dytë, duhet të paraqesin planin dhe programin mësimor të diplomave të realizuara, i cili tërhiqet në departamentin e degës, ku ata kanë kryer studimet në degën e parë. Këto janë dokumentet kryesore që nevojiten për të vazhduar studimet në degë të dytë. Me shumë rëndësi për të vazhduar këto studime është edhe CV-ja (Curriculume Vitae) e kandidatëve. Në vazhdimin e studimeve të dyta prioritet do të kenë kandidatët, të cilët kanë një CV të pasur nga ana profesionale. Dorëzimi i dokumenteve do të bëhet në sekretaritë e fakulteteve përkatëse.

Çelet sot panairi dy ditor i punës në Tiranë

Hapet sot “Panairi i Punës” në Tiranë, ku do të ofrohen rreth 2 mijë vende të lira pune për të papunët. Ky panair do të zgjasë dy ditë, sot edhe nesër dhe do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Panairi ka si qëllim nxitjen e punësimit në vend, duke krijuar një treg pune të hapur ndaj kërkesës dhe ofertës. Në këtë panair është parashikuar që të marrin pjesë rreth 70 biznese, nga të cilat do të ofrohen edhe vendet e punës.

Bashkia e Tiranës nis procesin e dëgjesave publike

Bashkia e Tiranës rinisi procesin e dëgjesave publike nga qytetarët “Thuaj fjalën tënde”, për hartimin e buxhetit të vitit 2009. Qytetarët, në takimet që do të organizohen në të 11 njësitë bashkiake, do të sjellin zërin, njëkohësisht dhe kontributin e tyre, si një domosdoshmëri për Tiranën, me qëllim hartimin e një buxheti gjithëpërfshirës për kryeqytetin, duke përmbushur objektivin: “Tirana është vendi ku dua të jetoj”.

23 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›