Shkup, minikamera për të regjistruar manipulimet
Shkup- Disa parti politike janë mobilizuar për të ndjekur nga afër parregullsitë e mundshme të procesit zgjedhor, nëpërmjet sigurimit të kamerave të fshehta speciale, që përdoren për spiunime. Agjencia e lajmeve ‘INA’ bën me dije se mini-kamerat speciale do tu vendosen vëzhguesve dhe aktivistëve të ndryshëm, të cilët do të ndjekin nga afër procesin e votimit dhe do të xhirojnë gjithçka që mund të rrezikojë procesin e votimit. Regjistrimi do të bëhet gjatë gjithë kohës, sidomos në periudhat kohore kur mund të ketë tentime për të mbushur kutitë me fletë votimi të tepërta, apo kur mund të ketë raste për të votuar në grup. Këto mini-kamera janë shpërndarë nëpër zonat ku ka rreziqe për mbushje kutish. Kryesisht në komunën e Likovës, Haraçina, Hasanbeg, Çair, Saraj, Studeniçan, Tetovë dhe komunat përreth, Gostivar dhe komunat përreth, Zajaz, Osllomej si dhe zona të tjera që vazhdimisht në zgjedhjet e kaluara kanë qenë problematike. Gjithashtu, skenar i njëjtë është bërë edhe nga opozita maqedonase, e cila gjithashtu jozyrtarisht ka shpërndarë mini-kamera të tilla. Çdo xhirim i parregullsive do tu kushtojë aktivistëve dhe simpatizantëve që do të tentojnë të bëjnë manipulime. Qytetarët, të cilët tentojnë të bëjnë manipulime, apo mbushje kutish, rrezikohen me 3 deri në 15 burg, varësisht nga shkeljet që mund të bëjnë ata. Monitoruesit ndërkombëtarë bëjnë të ditur se nuk janë të njohur me veprime të tilla.