E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Franc Konomit, një i dyshuar për pazaret në Spanjë

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 08-07-2011 13:43

Tiranë Një vit më parë, ekzekutimi i të fortit të rrugës “Bardhyl”, Franc Konomi do të përbënte lajmin kryesor të kronikës së zezë të Tiranës. Një vit më pas, kjo dosje e bujshme e mbetur ende pa autor po synon të zbardhet përmes fijeve të krimit shqiptar në Spanjë. Burime të rezervuara nga policia, bëjnë të ditur se gjatë 12 muajve që pasuan vrasjen e Konomit, është punuar në shumë pista për të identifikuar autorët dhe shkaqet e ngjarjes. Falë hetimeve të kryera deri më tani, nga Policia dhe Prokuroria, janë eliminuar një numër i madh pistash, duke u fokusuar kryesisht në pistën e vrasjes për shkak të konflikteve për trafiqe të paligjshme, kryesisht në shtetin spanjoll. Hetuesit pohojnë se është arritur të identifikohet një i dyshuar kryesor për këtë ngjarje, por mungesa e provave nuk ka mundur ta “gozhdojë’ atë pas prangave. Gjithashtu, mësohet se në listën e të dyshuarve janë dhe disa persona të tjerë, të cilët mendohet se kanë marrë pjesë në atentatin ndaj Konomit. Gjatë këtij një viti, hetimet janë shtrirë në të gjithë të shkuarën e Franc Konomit, në përfshirjet e tij në të ashtuquajturën banda e “Rrugës Bardhyl”, si dhe në disa ngjarje të rënda, të ndodhura në mes të viteve ’90 në Tiranë. Por nga të gjitha verifikimet e kryera, ka rezultuar se vrasja nuk ka ardhur nga konfliktet e vjetra, por nga konflikte që mund të kenë lidhje me trafiqe në shtete të Europës. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se hetimet janë drejt përfundimit dhe se brenda një kohe të shkurtër do të arrihet dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje dhe ndalimi i personave përgjegjës. Franc Konomi u vra mesditën e 8 korrikut 2010, pranë sheshit “Avni Rustemi”, në momentin kur ky i fundit sapo kishte dalë nga një kafene dhe ishte duke nxjerrë makinën e tij, tip Benz me targa TR 0626 S nga parkingu në rrugë. Në këtë moment, pranë makinës së tij ka ndaluar një motor dhe prej tij kanë zbritur dy persona me kokore në kokë, të cilët hapën zjarr me breshëri në drejtim të makinës së tij. Menjëherë pasi kanë qëlluar në drejtim të Konomit, motori me dy personat është larguar me shpejtësi duke humbur gjurmët. Sipas dëshmitarëve, të cilët ishin të pranishëm në vendngjarje, u mësua se motori bashkë me autorët kishte qëndruar për disa kohë jashtë lokalit ku ndodhej Konomi, duke pritur momentin që ai do të dilte për t’i qëlluar më pas.

Dyshimet e para, menjëherë pas ngjarjes, kishin të bënin me vrasje për shkak të hakmarrjes, pasi dyshohej se më 7 prill të vitit 1992, bashkë me Naim Zyberin, Konomi ka kryer atentat ndaj Gazmend Muçës. Muça ishte një nga të “fortët” e Tiranës, që njihej në gjithë vendin për bëmat e tij. Atentatorët e Muçës u identifikuan dy miqtë e tij, Naim Zyberi dhe Franc Konomi, të cilët e qëlluan me breshëri automatiku pas një zënke banale. Zyberi më pas u arrestua dhe la burgun vetëm në revoltat e 1997-ës. Por, që vetëm pak muaj më vonë ai u ekzekutua në një nga dhomat e spitalit të Milanos, ku kurohej pas një atentati. Ndërsa për të dytin, Konomin, prokuroria asnjëherë nuk ka pasur prova për përfshirjen e tij në këtë ngjarje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›