E Diel, 1 Nëntor 2026

Koleksioni i Galerisë Kombëtare të Arteve, 120 vjet art i pikturës dhe skulpturës në Shqipëri

Linja e re muzeale do të përmbajë koleksionin e GKA, i cili i përket periudhës nga fundi i shekullit të XIX deri në fund t shekullit të XX
Nesër në Galerinë Kombëtare të Arteve do të bëhet dhe përurimi i linjës së re muzeale, e cila pritet të jetë një ndër ngjarjet më të rëndësishme të këtij institucioni të arteve pamore në vendin tonë. Galeria Kombëtare e Arteve me këtë transformim pritet që të kthehet në një Muze Kombëtar të Artit Pamor. Linja e re muzeale do të sjellë krijimin e pavijoneve të përhershme me veprat e shquara dhe autorët më të spikatur të historisë së artit qoftë në pikturë, ashtu edhe në skulpturë. Sa i përket ndarjes mësohet se nuk do të ketë politizime, por gjithçka është konceptuar sipas koncepteve të muzeve modernë kudo në botë. Linja e re muzeale do të përmbajë koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve, i cili i përket periudhës nga fundi i shekullit të XIX deri në fund t shekullit të XX. Megjithëse ende nuk janë zbuluar detajet e përmbajtjes së këtij koleksioni, i cili do të zbulohet nesër në orën 18, ajo që është e rëndësishme sipas drejtuesve të këtij institucioni ka të bëjë me faktin se me hapjen e kësaj linje muzeale Galeria Kombëtare e Arteve vjen me një imazh tjetër pas gati dy dekadash. Periudha rreth 120 vjeçare e artit të pikturës dhe skulpturës në Shqipëri do të vijë në pavijonet e kësaj linje muzeale, për të cilën është nisur të punohet që prej një viti, ndërkohë që ndërtimi i kësaj linje muzeale ishte dhe një ndër objektivat e drejtorit të këtij institucioni Rubenc Shima, në momentin  kur ai mori postin si drejtues të institucionit të rëndësishëm të artit pamor në vendin tonë. Para se të ndërtohej kjo linjë muzeale për GKA nga shumë njerëz të artit është pohuar, se ky institucion duhet të kishte një muze të tillë. Ndërkohë që kjo u bë mundur vetëm falë ndërhyrjes së infrastrukturës së muzeut, pasi një muze arti i tillë do një strukturë më specifike, gjë e cila ndonjëherë nuk është shumë e thjeshtë, por që është shumë e komplikuar. Kur një vizitor e shikon me mure të pastra, me dysheme të rregullta, tavane të rregullta dhe sisteme ndriçimi, kaq mjaftojnë për një galeri, por më parë infrastruktura e GKA nuk ishte e përshtatshme për të bërë të mundur diçka të tillë. Për rreth një vit u bë ndërhyrja në të gjithë infrastrukturën e saj dhe tashmë për vizitorët e këtij institucioni do të ketë një muze, i cili i plotëson të gjitha parametrat, kushtet e ekspozimit të veprës së artit të çdo lloj standardi. Ndërkohë që janë zgjeruar hapësirat ekspozuese, janë bërë të gjitha rinovimit e infrastrukturës së GKA që i takonin dyshemesë, tavaneve, etj. Gjithçka në GKA është rinovuar ose zëvendësuar, përpos kësaj për linjën muzeale është marrë lëndë nga fondi i GKA, ku pothuajse do të prezantohet i plotë. Pavijonet do të kenë tituj, që do të bëhen të ditur gjatë hapjes së linjës së re muzeale. Kjo që po ndodh në Galerinë Kombëtare të Arteve, vjen për herë të parë në historinë e artit shqiptar. Hapja e këtij muzeu, ndryshon klimën që ky institucion do të transmetojë në publik. Me këtë muze institucioni më i rëndësishëm i artit pamor në vendin tonë del nga periudha e gjatë e tranzicionit, që kishte gati dy dekada që e kishte shoqëruar. Kjo është një ekspozitë historike, e cila është shumë funksionale dhe do të ketë në qendër të saj një prezantim të të gjithë periudhave të artit shqiptar. Periudha që ka zgjatur më shumë në shekullin e kaluar ishte realizmi socialist, që rrjedhimisht do të zërë një vend më të gjerë në këtë hapësirë. Me këtë linjë muzeale GKA do të kthehet në një nga institucionet më të rëndësishme kulturore që ka vendi ynë, duke bërë që të rritet dhe numri i vizitorëve të saj. Hapësira e muzeumit do të jetë e gjitha GKA, në tre katet e saj, ndërkohë që mësohet se vetëm salla e madhe do të jetë për ekspozita të përkohshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›