E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushëriri i parë i Oketës privatizon tenderin për pajisjet e Sanatoriumit

Korrupsioni në shëndetësi, skandal me kredinë austriake
Skandalet në sistemin shëndetësor janë pa fund. Tenderi për pajisjen me aparatura për Sanatoriumin është bërë në Austri pa u shpallur në Shqipëri, duke i hequr të drejtën në pjesëmarrje palës shqiptare. Djali i xhaxhait të një pushtetari të lartë shkon për tenderin e aparaturave. Në turpin dhe korrupsionin e lartë shtetëror që ka pllakosur sot shëndetësinë tonë spikat i ashtuquajturi tender i aparaturave mjekësore për Spitalin Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive Shefqet Ndroqi. Ky tender siç duket është përgatitur me kujdes nga pushtetarët e sotëm për tu vjedhur. Megjithëse kemi të bëjmë me një kredi tregtare të butë dhënë nga qeveria austriake për popullin shqiptar, çuditërisht Qeveria Shqiptare vendosi që tenderi të bëhej në Austri sipas rregullave të prokurimit austriak. Kjo ishte totalisht në kundërshtim me tenderët e zhvilluar më parë nga qeveritë e tjera të huaja që kanë akorduar kredi për Shqipërinë. Këtu mund të përmendim tenderët e Cooperazionit Italian që janë zhvilluar gjithmonë në Shqipëri me supervizionin (me të drejtë) të specialistëve italianë. Këtu mund të përmendim tenderin e neurokirurgjisë, poliambulancat e Tiranës, sistemin e urgjencave etj. Duke shtuar që këto ishin kredi politike dhe jo tregtare si në rastin e kredisë austriake, forca e vendit huadhënës ulet duke u shtuar valenca e vendit marrës. Mirëpo babëzia e qeveritarëve të sotëm rritet kur mendon që jo vetëm tenderi organizohet të bëhet në Austri, por i vetmi njeri që shkon nga qeveria Shqiptare është djali i xhaxhait të ministrit Oketa, ose e thënë ndryshe e ish zëvendës kryeministrit në kohën kur kaloi kredia dhe V.K.M, Rezart Oketa. Ajo që bie ne sy është që Zoti Oketa ishte i vetmi që mbante lidhje me konsulentin austriak dhe për të mos u hapur fjala për këtë mega korrupsion Z. Oketa shkon i vetëm në Austri. Që tenderi të bëhet sipas rregullave të prokurimit austriak nuk do të thotë që të mos ketë specialistë shqiptarë, nuk do të thotë që të bëhet në mënyrë klandestine ndaj popullit shqiptar. Përse ky tender nuk u botua në asnjë nga gazetat shqiptare ashtu siç bëjnë të gjithë vendet e tjera që i japin kredi Shqipërisë? Në cilin vend të botës specifikimet teknike vendosen nga konsulentët dhe mbahen sekrete pa u aprovuar nga mjekët që do i përdorin këto aparatura? Përse konsulentët janë sjellë sikur Shqipëria është një fis afrikan që ndodhet në ndonjë xhungël? Mendojmë kështu, sepse asnjë mjek nuk di gjë për këto specifikime dhe nëse ato i kanë marrë ndonjë firmë drejtorit ose nëndrejtorit të spitalit, atëherë na lind e drejta të mendojmë që ata janë bashkëfajtorë në këtë mega korrupsion. A i analizon ndokush që çmimet e aparaturave janë sa dyfishi i çmimeve që janë sot në treg? A i analizon ndokush që aty ka thjeshtë teknologji normale dhe nuk ka nevojë që shteti shqiptar të harxhoj para për të bërë trajnim me buxhete marramendëse. Mjekët e sanatoriumit, kanë kaluar ato faza dhe kanë bërë kurse trajnimi tashmë në spitalet më të mira të Evropës me teknologji të fjalës së fundit dhe nuk presin nga një firmë tregtare cilado qoftë, që të paguajë për të mësuar këto aparate. Përse këto firma kur i shesin këto aparate në Shqipëri, në privat nuk planifikojnë këto lloje buxhetesh për trajnime, por këto planifikime bëhen vetëm kur ka tendera të tilla të fshehura ndoshta për të justifikuar buxhete që askush nuk di se ku shkojnë. Atëherë lind pyetja: kush do ta mbajë përgjegjësinë për këtë mega vjedhje, ku paratë e kredisë tregtare do  të paguhen nga taksa paguesit shqiptarë? A nuk bie në sy që gjithçka u bë shpejt, përpara zgjedhjeve, në mënyrë të fshehur dhe të jashtëligjshme, pasi kanë frikë se mos pas zgjedhjeve ndërrohen stafet dhe prishet organizimi. Bie gjithmonë në sy që kjo është e vetmja pjesë e kredisë, që duan të shfrytëzohet, pasi ka kaluar në mënyrë të fshehtë. Prandaj kërkojmë ndërhyrjen urgjente e shtetit Austriak që të mos bëhet palë me njerëz të korruptuar të shtetit shqiptar si dhe të anulohet dhe të rishpallet tenderi, edhe në gazetat shqiptare,  natyrisht duke u bërë modifikimet e nevojshme në mënyrë që paratë e kredisë të shfrytëzohen më së miri dhe jo të vidhen nga organizatorët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›