E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mezzotono, tre koncerte me ritme italiane

Tre koncerte me këngë tradicionale nga vendi fqinj Italia do të zhvillohen nga grupi i njohur italian Mezzotono. Ky grup, i cili është i njohur për spektaklet e tij në vende të ndryshme të botës do të jetë i pranishëm dhe për publikun shqiptar në disa qytete të vendit. Pjesëtarët e grupit, Daniela Desideri, Francesca Leone, Fabio Lepore, Marco Giuliani dhe Andrea Maurelli, do të këndojnë në qytetet e Fierit dhe Korçës në 8 dhe 9 maj për ta përfunduar turneun e tyre me shfaqjen në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, në 10 maj. Spektakli i tyre do të jetë i veçantë, sepse nuk do të shoqërohet nga asnjë instrument muzikor, pasi pjesëtarët e grupit janë në gjendje të imitojnë vetë tinguj të ndryshëm. Mezzotono vjen në Shqipëri me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës. Qëllimi është vlerësimi dhe prezantimi i kulturës italiane përmes një mënyre origjinale si muzika. Repertori që do të interpretohet do të jetë kryesisht muzikë nga rajoni i Puglias. Grupi "Mezzotono", i njohur si Ambasador i kulturës italiane nga rajoni i Puglias, është formuar në vitin 2004, dhe ka marrë pjesë në shumë koncerte, turne e festivale brenda dhe jashtë Italisë, duke u vlerësuar edhe me shumë çmime ndërkombëtare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›