Koleksioni i letërkëmbimit të Nënë Jovankës
Fazlliç, letër nënës nga Tirana
E dashur nënë Jovanka!
Po të shkruaj nga një vend që s’ta tregoj dot, po mos ki merak, se jam në duar të sigurta. Ëndrra jote e madhe ka qenë që unë një ditë të bëhem i famshëm në Bosnjë dhe sidomos në Serbi. E kishe inatin me armiqtë tanë shqiptarë. Po unë në fakt të kam zhgënjyer pak. Jam bërë po kaq i famshëm dhe në Shqipëri. Tani më njohin të gjithë, të mëdhenj e të vegjël. Shumica nuk më duan, por ama ata që më duan, bëhen copë për mua. Sikur t’i kisha nënë dhe babë bëjnë. Dhe ata janë pjesa më e shëndoshë e Shqipërisë. Janë qeveria, gjysma e deputetëve dhe çereku i shtypit. Janë njerëz që rrallëkund mund t’i gjesh. Të gjithë të përkushtuar ndaj meje. Më mbrojnë me argumente të pabesueshme. Njëri më i fortë se tjetri. Edhe pse nuk njoh shumicën e tyre, ata të magjepsin me fantazinë që kanë për të më mbrojtur.
E dashur nënë. Për kë të të shkruaj më parë. Ti nuk e njeh kryeministrin Berisha. E di që të kanë folur keq njerëzit në Serbi për të, se e kanë ditur nacionalist shqiptar. Po ai është njeri zemërbardhë dhe shumë i dashur me ne. Pas 18 vitesh demokracie në Shqipëri, e dashur nënë, ai ka futur më në fund biznesin serb në Shqipëri. Dhe jo serb dosido, por dhe serb nacionalist të Bosnjës. Është mendje shumë e hapur. E keni gjykuar keq nga gazetat. Tani biznesi serb ndjehet mirë në Tiranë. Kanë vërshuar dhe po blejnë gjithçka. Ja, unë i pari për tre vjet kam bërë 50 milionë euro. Nuk janë pak. Asnjë shqiptar s’ka mundur t’i bëjë dot kaq. Kosovar jo e jo. Ata i mban larg dhe mirë bën, se ata janë ndryshe, nuk janë si shqiptarët e Shqipërisë. Ata nuk na duan. Këta në Tiranë janë krejt ndryshe, të mirë dhe të dashur me ne.
Por nuk është puna që kryeministri na ka hapur dyert, por dhe na ka dhënë fonde publike. E njeh atë serbin që jeton në Vjenë, Aleksandër Lupsiç? E kam sjellë njëherë në shtëpi, se jemi ortakë tek e njëjta firmë në Qipro, “Altaria Research Limited”. Ai ka marrë 53 milionë dollarë nga qeveria ‘Berisha’ për dy vjet dhe shumica me prokurim direkt. Ka respekt të paparë për të. Por dhe ai ia bën respektin. Ndan ndonjë dhuratë për të. Po ai serbi i Bosnjës, Sllobodan Markoviç, të kujtohet? Ndoshta të kujtohet, se dhe atë e kam sjellë shpesh në shtëpi. Ai ka marrë 110 milionë euro rrugë. Ka marrë një rrugë që do të bëhet nga Vlora në Levan, një rrugë që do të bëhet nga Tepelena në Mallakastër dhe një mbikalim në hyrje të Tiranës. Dhe, a e di se kë ka administrator? Një drejtues të gazetës “55” që ne na kishin thënë se është nacionalist dhe i urren serbët. Sllobodani në fakt mbeti shumë i kënaqur me ta. Punoi shumë mirë. Pastaj u këmbye me një serb tjetër që dhe ky është shumë i kënaqur. Berisha iu ka thënë se “iu kam besuar te miku im që e akuzojnë për nacionalist, por mos kini frikë, se janë gënjeshtra. Është njësoj i hapur si unë”.
ǒtë të them tjetër moj nënë. Si s’i kisha njohur më parë këta njerëz? S’di kush më ka penguar. Kam tri vjet që rri vetëm me kunatin e Lulëzim Bashës, Argitën dhe Lulin. Nuk kisha besim te të tjerët. Tani po shikoj se janë të gjithë miq të mi dhe janë gati të shkojnë para plumbit për mua. Njerëz të tillë ne në Serbi s’kemi njohur në Tiranë që nga 1948. Siç më ka pas thënë kushëriri yt, Stanisiç, vetëm në atë kohë udhëheqja ishte gati të shkonte në plumb këdo që ngrinte zërin kundër Serbisë. E njëjta situatë është dhe tani. Është e pabesueshme, e dashur nënë, sa njerëz të mirë janë. Ndjehem aq i lumtur që më në fund kam takuar miqtë e mi të vërtetë, sa nuk më tremb asgjë, as burgu, as drejtësia që përpiqet të prishë këtë miqësi të pandalshme me shqiptarët e mirë.
I joti Damir
(Këtu emrit tim i thonë Demir dhe mbiemrit Faslliu, po ti mos u shqetëso.)
Nëna Jovankë i shkruan Damirit
Damir i dashur. E mora letrën tënde. E kam pas gjithmonë bindjen se shqiptarët në Shqipëri nuk janë armiqtë tanë. Madje, ata kanë qenë gjithmonë miqtë tanë të mirë, por na kanë ngatërruar këta të tjerët, që u thonë kosovarë.
U gëzova pa masë që jo vetëm ti, por dhe shumë serbë të tjerë kanë bërë para gjatë këtyre tre viteve në Shqipëri. Është për t’u gëzuar, se ata jo vetëm që kanë bërë biznes si puna jote, por kanë marrë shumica pará nga buxheti i shtetit të Shqipërisë. E mbaj mend Lupsiçin që shet energji elektrike, se më ke folur shumë për të. Më the në fillim se do ta ndihmonte një njeri i familjes së kryeministrit për të fituar tenderat, por s’të besova. Tani më vjen mirë që ka ndodhur kështu. Po më shumë u gëzova për Slobodanin. Slobodani na është gjendur pranë gjatë luftës në Bosnjë. Në atë kohë merrej me cigare dhe gjithë punët e pista të luftës. Kishte besim të madh tek ai vetë Karaxhiçi dhe nuk e prekte njeri, dhe kur vinte nga ana e boshnjakëve për ndonjë pazar. Unë, meqë isha serbe me burrë boshnjak, e kisha më lehtë për të kontaktuar me ta. Më vjen mirë që ai kryeministri në Shqipëri që ke mik ti, i paska dhënë tri tendera të mëdha rrugësh. Po ashtu më vjen mirë që ai Miroslav Mishkoviç i ka punët mirë.
Ne këtej jemi mirë, mos u bë merak. Kushëriri im, që ty të thonë se e ke dajë, krenohet me ty. Më tha që këta shqiptarët janë pak primitivë, se çdo kushëriri të parë të nënës i thonë dajë. Kështu të ngatërruan dhe ty dhe të thanë që e ke dajë Stanishiçin. Po kot lodhesh t’u thuash që e kam kushëri të nënës, se nuk ka rëndësi për shqiptarët. Ata dhe kushëri të tretë ta kesh, dajë të thonë prapë.
Nuk di si i ke punët me miqtë e tjerë aty në Shqipëri. Më pate folur një herë për një mikun tënd, Flamurin, që e kanë pas arrestuar njëherë, kur ka kaluar ilegalisht kufirin në Kosovë, kur ishte Stanishiç i madh. Nuk di a ta ka shpërblyer respektin me të cilin e kanë përcjellë këta prapë në Shqipëri. Kushëriri im më ka thënë fjalë të mira për të. Nuk e di si është në të vërtetë. Ti më ke thënë se atëherë në fushatë u tregua korrekt me lekët. Nuk e di si sillet tani.
Po Lulëzimi si është? Dhe atë s’e heq nga goja Stanishiç. Ka punuar mirë në Kosovë. Ishte pak dembel, dhe kjo e detyronte për dosjet e Hagës të merrte të dhëna nga ata tanët. Dhe ia jepnin ata pa të keq. Kështu e bëri për Fatmir Limajn dhe për nja dy të tjerë. Ishte djalë i dëgjueshëm. Mbaj mend në vitin 2004, kur e takove për herë të parë, që të premtoi të shkonit në Shqipëri për biznes. Por nuk u pritën mirë ata socialistët. Atëherë vendosët t’i futeshit vetë politikës dhe ia dolët. Bëji të fala dhe miqve të tij. Po më vjen shumë mirë që tani ka ardhur kohë e mirë për biznesin serb në Tiranë. Se ata socialistët ishin të njëanshëm. Ata u lidhën me grekun dhe na lanë pas dore ne. Sa ishte Fatos Nano, gjithë biznesi grek në Shqipëri. Duket që jugu bën për jugun, veriu bën për veriun. Të paktën kështu jemi dhe më të qetë.
Uroj t’i kalosh shpejt këto telashet me prokurorinë. E dëgjova kryeministrin që kërkoi hetim ndërkombëtar. Kjo është gjë e mirë. Ja, flasim me dikë që t’ia rekomandojmë kryeministrit si hetues dhe e zgjidhim atë punë. Më shumë se aq s’mund të bëjë ai. Se dhe ti e ke vënë në pozitë të vështirë me atë fjalinë që the se, kur dole nga burgu, e more në telefon. S’është mirë t’i thuash këto publikisht, se e rëndon atë. Duhet ta ruash, se e ke mik për kokë. Dhe atë punën e moshës bë kujdes mos të dalë. Se ti e di atë punën e pasaportës false që na u desh të të bënim gjatë luftës. Se bie pak në sy që nuk je 33 vjeç, por ne kemi hapur fjalë se je djalë i vuajtur dhe tregon i rritur para kohe. Se ti, të keqen nëna, të gjitha gjërat i bën shpejt e shpejt. Si punë e lekëve në Shqipëri.
Të përshëndes me mall, nëna jote Jovanka
Damiri ankohet te nëna për marrjen në pyetje të Bashës
E dashur nënë Jovankë.
E mora letrën tënde. Me gjithë të mirat që ka ky vend sa i përket pasurimit të shpejtë dhe miqësive të mëdha, ka dhe shumë të këqija. Këtu ndodhin ca gjëra që s’ndodhin askund. Meqë nuk është letra e parë dhe e ke hequr merakun, po të them se ka disa shqetësime që duhet t’i dish.
Ti besoj e mban mend Lulin, atë djaloshin që ka punuar në Kosovë që e kemi pritur disa herë në shtëpi në Londër. E kam njohur që nga 2004 dhe atëherë më premtoi se do investonim bashkë në Shqipëri. Tentuam, siç e di mirë, por socialistët nuk na e varën shumë. Atëherë kaluam te plani B dhe i hymë vetë politikës. Por tani më vjen keq të të them se ai është në telashe.
Këtu seç kanë vënë një vajzë të re kryeprokurore, që nuk dihet se ç’bën. Kështu duket e qeshur dhe simpatike, por vetëm kur të pret fletë-arrestin, e kupton se me kë ke të bësh.
Tani, ky miku im “Salli”, siç i thua ti, ka bërë sa ka mundur. Çfarë s’i ka bërë kësaj vajzës. E ka marrë me të mirë dhe me të keq. I ka bërë elozhe të mëdha dhe kërcënime të mëdha. Por ajo duket tip i çuditshëm. Më duket se nuk kupton gjë fare nga kjo dynja. Unë erdha mirë e bukur për të dhënë intervistë, pasi fola me Sallin në Gjermani, ajo më kishte prerë fletëthirrjen. Unë po pija kafe për qejf te “Sheraton”-i, kur më thanë, shpejt, ik te “Klan”-i, jep intervistën dhe largohu, se do të thërrasin. Me thënë të drejtën jo se jam frikacak, por pak u tremba, se s’i dihet njeri i huaj jam. Dhe s’e kam hallin kur të më pyesin për emrin e babait, se ai është mysliman dhe s’u ngelet qejfi, por kur të them emrin tënd dhe e kuptojnë se jam serb. Nuk është se ka ndonjë inat me serbët, por mund të bëjë ndonjë provokim dikush, se miku im “Salli” u ka thënë që jam boshnjako-anglez. Unë mund t’iu them dhe emrin Jovi për ty, por kam hall se ma quajnë falsifikim dhe ajo më duhet.
E kisha fjalën tek ai miku im, Luli. Atë ma ka marrë kjo vajza e prokurorisë dhe po e torturon. E ka mbajtur dy orë në pyetje. Dyshojnë se mos atë “Ecorys Group”, firmën konsulente që i ka rekomanduar qeverisë të bëjë prokurimin me kosto për kilometër, e ka bërë për interesa të Lulit. Unë atëherë solla dhe Tom Ridge në Shqipëri, që t’i trembja pak, por s’ia dola dot. Akuzat vazhduan që vazhduan. Tani ky miku im, Luli, është pak i hutuar dhe ka bërë një budallallëk. Vendimin për të marrë konsulent “Ecorys Group” e ka marrë në korrik, kurse në maj ka bërë një vendim qeverie që e mbështet te konsulenca e “Ecorys Group”. Budallai kishte harruar që s’e kishte marrë me letra, por ishin thjesht miqtë tanë. Dhe këtu janë kapur tani dhe duan ta zbërthejnë. Duan të dalin tek unë, se kush ka hap fjalë që kemi marrë nja 100 milionë euro për llogari tonat. Po kjo nuk është e vërtetë. Dhe dy nënkontraktorët që futa unë, Erioni m’i gjeti, kunati i Lulit. Dhe atë shqiptarin ma gjeti një copë-copë që s’ka asnjë traktor. Më thanë ata të “Bechtel”-it t’i japim lekët e të iki se na pengon ritmin e punës. Atë kosovarin e gjeti vetë Luli, po dhe ai copë-copë është.
S’di ç’të them, e dashur nënë, po ky s’i ka punët mirë. Se kjo vajza e prokurorisë më duket pak e papërgjegjshme. As e vret mendjen fare. Ka dalë dhe një ambasador këtu, ky amerikani, që orë e minutë i shkon në zyrë dhe i thotë ti je heroinë. Epo ajo femër është, i rritet mendja dhe të merr më qafë. Se tani me amerikanë kam punuar dhe unë, po ky është teprim. Nuk i thuhet një vajzë të re 35 vjeçe do hysh në histori, se ajo të bën gjëmën. E ka fut në një siklet të pashoq këtë mikun tim. Ai bën sikur qesh gjithmonë, po ajo mund t’i ngrijë buzëqeshjen në buzë. Se s’i ka punët mirë as me presidentin. Është përpjekur t’i ruajë marrëdhëniet fshehurazi me të, të mos binte në sy të “Sallit”, por e kuptoi ai dhe i tha “o me Bamirin, ose me mua”. (Se mos e ngatërrosh, e ka me B, Bamir, jo Damir). Që atëherë Luli nuk i flet më presidentit dhe tani që duhet të ishte me të në vizitë zyrtare në Itali, nuk shkoi fare nga frika.
Kështu e dashur nënë, punët në përgjithësi i kam mirë, por miqtë e mi janë pak në telashe. Sapo të kem lajme të mira, do të shkruaj. Në këtë dreq vendi ndodhin aq shumë gjëra në një ditë, sa nuk del një letër.
Të fala nga Damiri (alias Demir)
Nënë Jovanka falënderon Bumçin, Bogdanin dhe Nishanin
I dashur Damir. I mora letrat e tua, por kam qenë e zënë në weekend, se kishim vizitorë nga Beogradi këtu në shtëpi. Na sollën lajme të çuditshme dhe andej. As aty s’i ke aq mirë punët, po mos u mërzit. Ai Vuk Jeremiç që e kemi mbajtur në shtëpi, paska filluar e flet keq për ty. U kishte thënë këtyre miqve tanë se ambasada amerikane në Beograd ka raportuar lidhjet e tua me Nikoliçin. Nuk di sa e vërtetë është kjo, por Vuku ishte trembur dhe i kishte thënë këtij mikut tonë, që “Damiri të mos më marrë më në telefon, se më prish punë”. Kur ke qenë në gusht në hotel “Hayat” në Beograd, ata të paskan filmuar për atë pazarin me tenderin e energjisë, që do t’i shisnit Shqipërisë dhe e kanë keqpërdorur. Po ashtu, më thanë se ambasadës amerikane në Beograd i ka ngelur qejfi që ti iu ke thënë radikalëve të Nikoliçit, që, nëse fitojnë, ti do t’u rregullosh punët me amerikanët dhe u ke përmendur Tom Ridge. Ambasada këtë e paska marrë shumë ters dhe ka raportuar në Uashington. Por këto janë vetëm llafe. Ti mos u mërzit. Fundja s’ke më punë në Beograd. Mirë i ke punët në Shqipëri.
Nga Tirana mora lajme të mira. Më mori dje Lulëzim Basha dhe më kënaqi. E dua shumë atë djalë, më duket sikur flas me ty, kur më merr ai në telefon. Është shumë i dashur dhe i sjellshëm. Më tregoi ç’po bënin për të të mbrojtur ty. U kënaqa shumë dhe më erdhi mirë që të respektojnë aq shumë. Kurrë s’do më kishte shkuar në mendje që do të të dilnin zot shqiptarët dhe fati yt do bëhej Shqipëria. Basha më tha se ai miku yt, kryeministri, ka angazhuar gjithë qeverinë dhe gjithë partinë në mbrojtjen tënde. Paska nja tre vetë që i nxjerr përditë dhe i thonë opozitës të kërkojë falje, pse ka bërë miting për një trafikant armësh që qeveria tani e quaka burrë të mirë. Këtë e bëkan, tha ky Basha, që të mos merren me çështjen tënde. Dhe ata avokatët që kishin shkuar në prokurori, ishin sjellë mirë. Ata ua kishin nxirë fare realitetin, se iu kishin thënë do hetohet për pastrim parash, por ata s’kishin folur fare para medias për këtë. Vetëm se ka bërë shumë përshtypje që ke marrë avokatë të shtrenjtë që kushtojnë një mijë dollarë ora. Se ashtu bie në sy që ke bërë shumë pará.
M’i tregoi Basha të gjitha këto betejat që po bëhen. Lavdëroi shumë atë Aldo Bumçin. Tha është më i miri për të bërë luftë për të mbrojtur Fazlliçin. As që e çan kokën fare se ç’thotë. Mjafton të të mbrojë ty. Mos i harro kurrë këta njerëz që po të gjenden në ditë të vështira.
Tani dua të të pyes dhe për disa gjëra private. Ti e di që të kam merak, kur flet publikisht, se e ke zakon të gënjesh që nga koha që ike nga Bosnja në Londër. Për ca gjëra s’është nevoja të gënjesh. Paske thënë në intervistë te TV “Klan” që ke 5 vjet i martuar. Të gjithë e dinë se ke dy vjet, se kur ke qenë në Shqipëri për herë të parë, ishe beqar. Dhe me atë punën e moshës bë pak kujdes. Se kam dëgjuar që po kërkojnë certifikatën e lindjes tënde dhe mund t’i gjejnë. Ne na thanë që u dogjën në Bosnjë, po në fakt s’i dihet. Ti ke një të mirë, se s’ke mbaruar asnjë shkollë dhe nuk kanë ku të të verifikojnë nga dëftesa. Por, sidoqoftë, s’ke nevojë të gënjesh për të gjitha gjërat. Vetëm për ato që je në hall.
Dhe një herë të uroj të jesh mirë dhe bëju ta fala miqve të tu në Shqipëri. Tani më duken dhe mua si djemtë e mi. Gjithmonë kam menduar se shqiptarët dhe serbët duhet të jenë miq, por na ndau ajo e mallkuar Kosovë. Të shpresojmë që brezi juaj do ta lërë atë pas krahëve.
Me mall, nënë Jovanka
Fazlliç i shkruan nënës i shqetësuar për Bogdanin
E dashur nënë Jovankë.
E mora letrën dhe s’mund të rri pa të shkruar menjëherë, që sot. Shkak u bë një zhvillim negativ në Tiranë. Gerti Bogdani është një miku im, d.m.th., është mik i Lulit dhe i bie mik i mikut tim, po sakrifikohet për mua. Mos e ngatërro me atë akademikun Bogdanoviç që kemi pasur, se këta janë shqiptarë brez pas brezi. Janë vendas nga Tirana. Se ti e ke zakon që bëhesh entuziaste dhe çdo mbiemër e nxjerr serb. Se këtu gjithë fshatrat e Shqipërisë dhe qytetet kryesore serbisht janë dhe nuk e vrasin mendjen njerëzit. Janë përgjithësisht të dashur me serbët.
Ky Bogdani më ka mërzitur sot. E kanë hedhur në gjyq. Janë disa mistrecë të një partie të re, kalamaj hesapi, që e kanë paditur për shpifje, se ky paska thënë që ata i paskan ofruar një dëshmitari 500 mijë euro të flasë kundër mikut tim, Berisha. Ai s’i paska marrë. Çudi e madhe është në fakt, se këtu të bëjnë dëshmi të rreme pa marrë asnjë lek. S’e besoj dot që t’i kenë ofruar 500 mijë dhe mos t’i ketë marrë. Sidoqoftë, punë e mbaruar, se ai i ndjeri ka vdekur. Kusuret po i ha Bogdani. Ai miku im kryeministër ka dy javë që e nxjerr përditë në konferencë për shtyp, se do të largojë vëmendjen nga unë. Dhe ky Bogdani në fakt i papërtuar është treguar. Ka hedhur poshtë gjithë miqësitë e tij për mua. E ka pas mik për kokë Edi Ramën, i ka thënë mirupafshim. E ka pas mik për kokë Erion Veliajn, këtë kalamanin e keq që e ka hedhur në gjyq, i tha mirupafshim dhe atij. Çfarë s’ka bërë për mua. S’di si t’ia shpërblej. Ka dy javë që del përditë vetëm të më mbulojë mua krahët. S’kam parë djalë më të devotshëm. Por sot e kanë trembur. E kanë çuar në gjykatë dhe do t’i nisë procesi gjyqësor. E di që është në siklet, se ato akuzat që ka thënë ai, nuk provohen askund. Por më parë nuk ka qenë zakon që të të hidhnin në gjyq për gjëra të tilla. Tani është bërë ca keq. Të fusin një gjobë dhe hajde paguaje. Se ky miku im, kryeministri, nuk para çan kokë shumë se kush dënohet. Mjafton t’i përdorë njëherë do. Pastaj ata dergjen gjyqeve. Ta shikoje Gertin sot sa ishte trembur. Një dorë ishte bërë. S’ka faj. Nuk iu ecën si zyrë atyre. Se ky ka qenë këshilltar i Lulit dhe i vetmi që shpëtoi nga hetimi i rrugës për Kosovë. Shpëtoi nga rruga dhe e hëngri nga shpifjet. Fat i keq thuaj.
Përveç këtij punët janë mirë. Luli është mirë dhe të bën të fala. Lexon gjithë ditën Kodin Penal, se do që të jetë i përgatitur në gjyq. Se është djalë me sedër, gjithmonë ka dalë me nota të mira. Shpreson të marrë dhe në gjyq notë të mirë.
Berisha është mirë dhe të bën të fala. U prek shumë kur lexoi letrën tënde dje dhe më tha: “Ke nënë fisnike”. M’u bë shumë qejfi. Ai ndërkohë ka mobilizuar gjithë median që ka nën kontroll në mbrojtjen time. Ka bërë dhe kompromise i shkreti. Është një gazetar që kur nxehet i thotë kokëqepa dhe e ka shumë inat. M’u mbushën sytë me lot kur e pashë dje që po më mbronte. I thashë Berishës, si ka mundësi. Më shkeli syrin. Për këtë do ta mbaj tha. Po nuk shërbeu tani, kur do shërbejë.
Pastaj të tjerët po bëjnë sa të mundin, por ai vetë është në krye të punëve. Këta të prokurorisë po lëvizin ca si shumë, por s’kanë ç’bëjnë. Më kanë kapur disa pará që më kanë ardhur nga Zvicra në bankën italiane këtu në Tiranë. Ato s’kanë lidhje fare me bizneset në Shqipëri, janë pará të miat. Duan llogari dhe për ato. Njerëz të çmendur. Nuk të lënë të bësh pará, kanë zili. Është ngritur gjithë Shqipëria në këmbë, pse kam thënë unë që kam bërë 50 milionë euro për tre vjet. Po ç’të keqe ka këtu, s’kuptoj. Unë di një tjetër që ka bërë 100 milionë vetëm në një rrugë pa lëvizur dorën nga vendi, vetëm se tha: “I dal unë zot, po shkoi puna keq”. Mua më kanë marrë zët kot. Janë ca tipa që shpifin dhe thonë se kam vetëm lekët e familjes dhe nuk kam lekë të mijat. Më vjen për të qeshur, kur i dëgjoj. Po pse, ç’më dinë mua këta, budalla, të punoj pa pará? U marr paradhënie një për një.
Tani po e mbyll letrën. Shpresoj të të gjejë mirë. Do të të mbaj në kontakt për çdo gjë të re rreth Bogdanit. Fundja do shes një copë tokë në Porto Romano dhe do ta nxjerr nga telashet, se prej meje i ka. Dhe gjynah, djalë i mirë, nuk kërkon asgjë vetë, po nuk i dhe diçka. Hallall e ka.
Nënë Jovanka, e gëzuar për mbrojtjen e Fazlliçit në “Opinion”
I dashur Damir.
Më mori dje Lulëzimi në telefon dhe më tha të hapja këto televizionet e Shqipërisë. Është ajo karta dixhitale që na ke sjellë ti herën e fundit. E hapa atje ku më tha ai, po ti e di që s’di shqip. S’e mësuam asnjë fjalë në Bosnjë, megjithëse kishim komshinjtë shqiptarë. I kishim marr inat kot atëherë e nuk e dinim që ishin kaq të mirë. Tani që po ua shikojmë të mirat, jemi larg dhe pleq dhe s’e korrigjojmë dot atë që kemi bërë.
E pashë atë emisionin që më tha Lulëzimi, por s’kuptoja gjë. Megjithatë, një gjë e mora vesh. Ishin dy djem të mirë që të mbronin me zjarr dhe një pak më indiferent. Por dhe ata të tjerët nuk është se të shanin. Njëherë në dhjetë minuta më merrte Lulëzim Basha dhe më shpjegonte. “E pe atë që bërtet? - më thoshte. - Ai është më i madhi. Është pronari i atij televizionit, ka sjellë Damirin me charter”. Më shpjegoi një gjë shumë prekëse. Ai paska thënë se Damiri ishte në besën time dhe prokuroria desh ta ndalonte. Paskan ca rregulla bese akoma këta shqiptarët, nuk e dija. Kisha dëgjuar, po atëherë ne nuk i besonim. Paska thënë që deri te rrugica e fundit e shtëpisë miku nuk u prekka me dorë. Dhe ky Frangaj paska shtëpi gjithë Shqipërinë dhe i binte që aty të mos të të preknin dot me dorë, derisa të ngriheshe në ajër. Ishte shumë prekëse. Ma shpjegoi gjatë ai Lulëzimi dhe si zakon shqiptar, por dhe atë djalin që ishte përfaqësues tipik i shqiptarëve të besës. Qenkësh nga një vend që qenka krijuar Besëlidhja Shqiptare dhe nuk tolerokan fare te besa. Nuk e dija që ishte kaq i fortë si zakon, të them të drejtën. U çudita shumë. Lulëzimi ma shpjegoi disa herë në telefon. Po mezi u binda. Ky qenka zakon shumë i mirë. Lulëzimi tha që këtë zakon e paska me Kanun dhe kryeministri, d.m.th., miku yt. Kjo gjë më lehtësoi shumë, se tani s’kanë ç’të të bëjnë më. Nëse ti je në besë të atyre, ajo çupëlina që është prokurore, nuk ka çfarë të bëjë. Paska qenë dhe këtu në Londër ajo, se e pashë në lajme. S’ia vlen të merresh me të. Derisa aty Kanuni qenka Kushtetutë, ç’të duhet ty ç’bën ajo me ligje. Ti mos e prish miqësinë me këta të dy që zbatokan kanunin. Qenka gjë e bukur kjo. Më pëlqen shumë.
Çfarë nuk paskëshin bërë për të të mbrojtur ty aty. Dhe ai djali tjetër që ka miq këta serbët e Bosnjës, Sllobodan Markoviçin dhe atë tjetrin, si e ka emrin, se ia harrova. Dhe ai të mbronte. Dhe më erdhi mirë. Ma shpjegoi Lulëzimi pastaj. Më tha që është zhvillim shumë i rëndësishëm, se ai është dhe gazetar nacionalist. Dhe kjo punë e Damirit e ka ndryshuar shumë. Ka ndryshuar mendim për serbët e Bosnjës, thotë që janë më të besës se serbët e Beogradit.
ǒtë të them tjetër. Vetëm i shikoja në televizor dhe pastaj plasja nga marazi që s’kuptoja gjuhën. Mirë që merrte Lulëzimi herëpashere në telefon. Mori në fund fare, pastaj. Më shpjegoi pak më gjatë.
Më foli për udhëzimet që iu kishte dhënë Flamuri, ai miku yt, para debatit. Të gjitha i kishin zbatuar. Më tha që ai djali i hollë në krah paska qenë kryeministër. Ai që të shante ty. Dhe kishte mbiemrin Majko, d.m.th., nënë. U çudita shumë. Ky që ka mbiemër sllav, thashë, të shan ty, kurse këta të tjerët të mbrojnë. S’merret vesh kjo punë tani. Ndaj nuk duhet nxituar njeriu kur bën miq, se s’i dihet ku e ka fatin. Ja, ty t’u bë fat Shqipëria.
Lulëzimi më shpjegoi se po e fitonin betejën. Tha që “e kemi bërë copë prokurorinë dhe po i kërkojmë që t’u kërkojë falje”. Ata në fakt nuk kanë kërkuar falje, por po kërkojnë dokumente. Të keqen nëna, kujdes me ato, se t’i nxitohesh dhe i lë rrugëve. Kam frikë për paratë që të dërguan ata miqtë më 2007 te Banka Italo-Shqiptare. Aman, se mos t’i gjejnë, se të marrin më qafë. Për të tjerat më ke thënë që s’ka problem. Shpresoj të kalojë pa zarar dhe këtë radhë. Nuk di si t’i falënderoj ata djemtë që të gjenden pranë. Nuk di si t’ua shpërblej. Po qe se duan të shkojnë në Serbi apo Bosnjë, më thuaj se u nxjerr njerëz të besës t’i presin. Këtu në Londër s’kam si i ndihmoj, se këta janë të pabesë, nuk të respektojnë mikun, po ka probleme.
Të puth nga larg, nënë Jovanka
Nënë Jovanka, e shqetësuar për mocionin me debat kundër kryeministrit
I dashur Damir,
Lajmet e fundit që po më vijnë nga Shqipëria, po më mërzisin si tepër. Por sa më të hidhura janë lajmet, aq më shumë po më shtohet respekti për miqtë e tu dhe vendosmërinë e tyre për të të mbrojtur deri në fund.
Kam marrë vesh se nesër do të ketë debat në Kuvend me kryeministrin për punën tënde. As në ëndërr s’do na kish shkuar që do vinte një ditë, që kryeministri i Shqipërisë të bëhej hero për të mbrojtur një djalë të thjeshtë serbo-boshnjak. Kjo do të thotë se s’i kemi njohur mirë shqiptarët dhe i kemi paragjykuar.
E kam parë me vëmendje përse duan ta akuzojnë. Thuaj shyqyr që po merren me shitje-blerjet e tua me toka dhe firma me vajzën e tij e s’po merren me tenderat e energjisë.
Ai ka treguar karakter që më 2005. Më kujtohet atëherë sa erdhi në pushtet dhe Shqipëria mbeti pa drita. Ti ia gjete energjinë nga ai miku yt serb, por ai mori lekët dhe s’mundi ta binte dot, se s’kishte linja. Do ishte bërë skandal i madh atëherë, por shyqyr që s’kishte opozitë dhe s’e mori vesh njeri. Po dhe ai guxim të madh mori që e mbrojti në mbledhje qeverie dhe e quajti të arsyetuar mos-sjelljen e energjisë. Ajo punë të dha shumë krah që u more me energji. Pastaj puna eci vetë. E kam parë që duan t’i bien në qafë dhe Lazareviçit. Po me atë ç’kanë? Ai i ka fituar vetë të gjitha. Ti thjesht ke marrë pjesë në tender dhe ke njoftuar fitoren e tij. Dhe atë mikun tënd nuk e kapin dot. Ai këtij drejtorit të ri të KESH, siç më ke thënë ti, vetëm një herë i ka thënë në telefon një porosi: “Gjergji, prite pak këtë Damirin, se ka ca energji për të shitur”. Pas kësaj ti i ke fituar vetë të gjitha garat në emër të Lazareviçit. Po dhe ti ke pak faj, se e ke tepruar me atë intervistën tek ai televizioni “Klan”, që ke thënë se je pronar i kompanisë së Qipros. Kaq u desh që ata të ta gjenin se je pronar dhe i kompanisë në Zagreb dhe kjo do t’i hapë telashe atij mikut tënd. Se ai është nxituar dhe ka thënë që ti s’ke marrë asnjë euro nga fondet publike.
Nejse, shpresoj që ai ta hedhë lumin. T’i fusë një të kërcënuar atyre, t’u thotë që kam dosjet tuaja, dosjet e krimit, dosjet e mafies, por mos ta teprojë që ia ke dhënë ti, se s’e beson më njeri këtë punë. Se në Shqipëri e kanë akoma inat UDB, me sa shoh, s’u ka ikur inati me të. Dhe duket sikur të ka dhënë ndonjë gjë ai kushëriri im. Ku ta dinë ata të shkretët që ai as ka denjuar të të presë në takim ty.
Së fundmi kam parë dhe guximin me të cilin disa ministra mbrojnë ato që kanë bërë për shitjen e armëve dhe atë punishten afër Tiranës që shpërtheu. Më kujtohet që më flisje shpesh për të. Më the si ua tregove modelin dhe çfarë të bënin. Më kujtohet që u dukej çudi se si mund të bëheshin pará me atë punë, se s’kishin përvojë. Po ja, ti ua mësove dhe ata ecën vetë. Tani jam shumë e çuditur se si nuk e kuptojnë se ajo është punë e pastër dhe s’do merrej vesh sikur mos të shpërthente ajo dreq depo. Se e kanë këtë të metë shqiptarët, nuk janë shumë të kujdesshëm. Bravo i qoftë atij ministrit të Drejtësisë që e merr përsipër vetë gjithë këtë betejë. Dhe Aldo Bumçi mirë veproi. Duan t’i mbyllin gojën për një faks që i ka dërguar Shkëlzenit, mikut tënd. Po ai po nuk ndihmoi djalin e kryeministrit, kë do të ndihmojë? Ti s’je djali i tij dhe të është bërë baba e shkuar babait. Mos të flas për Lulëzimin. M’u bë zemra mal që i kërkoi ndjesë kunatit që i ka hapur telashe. Kështu duhet vepruar. Dhe ai miku yt, kryeministri, duhet t’i kërkojë ndjesë baxhanakut që e mori më qafë dhe e vrau për pesë lekë aty bashkë me të tjerët. Kjo është shumë korrekte. Falje duhet kërkuar për çdo gjë, jo vetëm për aksidentet.
Po që të mos ta humbasim fillin e atij debatit që do bëhet nesër. Çoji një mesazh atij mikut tënd. I thuaj të mos tërhiqet nga kjo punë, se do inkurajohen kundërshtarët. T’i hedhë të gjithë në betejë. Kush i shmanget betejës, ta heqë nga listat e deputetëve. Më mirë për ty që u nda puna, pro ose kundër teje atje. Ata që duhet të qëndrojnë në politikë nga partia e mikut tënd, duhet të jenë të qartë, o me ty e deputetë, o kundër teje e në rrugë. Nuk ka zgjidhje të mesme në këtë rast. Duhet ta kuptojnë qartë këtë. Ai është burrë i zgjuar dhe e di vetë, por sidoqoftë çoja këtë mesazh. Dhe t’i fusë dhe një të sharë atij gazetarit që merret me ty në gazetën “TemA”. Tender- gazetar s’ka lezet t’i thotë, se mërziten ata dy miqtë e tu gazetarë që fitojnë tendera, po t’i thotë ndonjë gjë tjetër, ta shpikë. E di vetë ai se ç’bën, se s’ia kam merakun për këto gjëra. Vetëm dorëheqje të mos japë, se aq duan ata, e vënë para pastaj. Dhe ti i ke punët hapur dhe do të hapin telashe. Të rezistojë pak, sa të rregullosh letrat të paktën.
Me zemër të ngrirë deri nesër.
Me dashuri, nënë Jovanka
Nënë Jovanka ankohet për Jozefinën, lavdëron Bumçin
I dashur Aldo.
Më fal se nuk njihemi, por kam krijuar një përshtypje të mirë për ty kohët e fundit. Mësova prej djalit tim, Damirit, se ke kohë që e mbron në televizion. Ma përkthyen debatin tënd me ato dy gratë socialiste në TV që del djali im. Më thanë që ishe ulur në të njëjtën karrige. E di që është karrige me shans aty ku ulet tim bir. Mbarë ka për të të shkuar dhe ty, si tim biri. Nëse ke 5 mijë euro sivjet, 50 milionë do kesh në 2011.
Së pari, desha të të them që je lodhur duke e shpjeguar atë punë e faksit që ti e ke nisur në datën 9. Këtë e dinë të gjithë. Ata duan të të ngatërrojnë me kokën e faksit që është nisur nga faksi yt më 13 mars. Damiri e mban mend, se ia ka kërkuar ai Shkëlzenit ato komentet, se e ndihmonte atëherë për kuadrin ligjor. Ti e di që ai ka përvojë në punë armësh dhe meqë Henry Tomey nuk vinte dot në Shqipëri, Damiri i hapi një zyrë në Bosnjë për firmën që kishte regjistruar në Qipro, dhe punuan bashkë sa u bë gati kuadri ligjor. Ti mos ça kokë fare për atë faks. Ai nuk është sekret shtetëror. Dhe ndonjë gazetari mund t’ia kishe dërguar. Nuk ka asnjë problem. Nuk di pse e merr me kaq emocion.
Së dyti, desha të të them se mos dil më me gra në debat. Se dukeshe shumë keq. Dukej sikur ishin tri gra që ziheshit dhe ajo Bregu dukej se ishte si burrë. Ti duhet të merrje peshën kryesore në debat dhe të ishe burri. Ti ziheshe si gratë me ato dy gratë socialiste. Le që të vinin dhe në lojë herëpashere. Se janë të poshtra ato. I kanë punët në terezi. Opozitë qejfi janë. Pará kanë, punë kanë, rroga marrin, askush s’i akuzon më. Janë rehat. Ti e humbe qetësinë, sikur të kishin kapur me armë në krah në Gërdec. Ruaj qetësinë, të keqen nëna, se është rrugë e gjatë! Pak miq të vërtetë i kanë mbetur Damirit aty. Ty nuk të lëshon nga goja.
Me atë Jozefinën i ka mbetur pak qejfi. Paska thënë në një televizion që “mua nuk më pëlqen Fazlliçi”. Nuk e kuptoj, ç’ka me djalin tim ajo? Dhe s’e marr vesh si po i ikën nga kontrolli doktorit partia. Si guxon një nënkryetare Kuvendi të thotë që s’më pëlqen një mik i kryeministrit?! Kjo i bie që asaj nuk i pëlqen kryeministri. Kjo më është dukur shumë e rëndë. Dhe dua t’i dërgoj një letër për këtë. T’i shpreh indinjatën time si nënë. Dhe nuk më duket se e ka dhe pozicion fetar. Se vërtet ne ortodoksët serbë nuk kemi shkuar mirë me katolikët shqiptarë, po ja, dhe ti katolik je, madje familje e mirë katolike, por na respekton shumë si familje. Asaj nuk ia fal atë fjali kundër djalit tim. Nuk e di nga i buron ai inat, po nuk ia fal.
Mora vesh dhe diçka tjetër që ka ngjarë dje në Kuvend. Paskan shkuar ca fëmijë shkollash në Kuvend që bëjnë si deputetë të vegjël. Dhe kjo Jozefina paska qenë në krye dhe iu përgjigjej pyetjeve të fëmijëve. Një fëmijë i poshtër, që duket e ka mësuar ndonjë socialist, e paska pyetur:
“Teta Jozefinë, - i ka thënë. – Ne, kur bëjmë provim në shkollë dhe na jepet një temë e caktuar nga mësuesi, nëse bëjmë temë tjetër në fletore, jo vetëm që marrim katër, por na përjashtojnë dhe nga shkolla”
- E di, - i kishte thënë Jozefina.
- Po ju e keni këtë rregull në Kuvend? - i kishte thënë nxënësi.
- E kemi, - i kishte thënë Jozefina.
- Po xhaxhi Saliun do ta përjashtoni që ndërroi temën e mocionit nga Fazlliçi te hiçi? - e pyeti nxënësi.
Jozefina nuk i ishte përgjigjur, d.m.th., e kishte lënë pa përgjigje. E ka një inat ajo me tim bir, po s’e kam kuptuar ku i ka mbetur qejfi. Mos ndoshta ngaqë djali im është mik me Lulëzim Bashën. Nuk di të them më gjatë, por do ta hetoj. Do të pyes dhe zotin Berisha për këtë, se e kemi mik shtëpie dhe na i thotë gjërat hapur.
Që mos të zgjatem, të përshëndes për qëndrimin tënd dhe të siguroj se te familja jonë ke një strehë të sigurt për çdo kohë.
Me respekt,
Jovanka Fazlliç
Nënë Jovanka e dëshpëruar për padinë penale ndaj Bashës
I dashur Damir!
Megjithëse u përpoqe të ma mbash fshehur lajmin, e mora vesh. Më në fund e morën të pandehur dhe mikun tënd më të mirë. Nuk e kuptoj ç’janë këta shqiptarë që u bën dora të bëjnë gjëra të tilla. Ti e di sa shumë kam ndryshuar unë mendim për shqiptarët, sidomos pas respektit me të cilin të pritën ty dhe të bënë të pasur për tri vite. Kam ndryshuar tërësisht. Tani kush më shan shqiptarët, unë jam gati të përleshem me ta. Por kjo që po i ndodh Lulit, është e padëgjuar. Si mund të jenë ata kaq të pamëshirshëm dhe të marrin të pandehur një njeri që i ka bërë aq shumë të mira atij vendi? Po ku do të gjejnë më ata një ministër si ai, që la punët e veta në Kosovë, braktisi pasionet e tij si përkthyes dhe D. J në klube nate në Prishtinë dhe erdhi në Tiranë të sakrifikojë duke hyrë drejt e në frontin më të vështirë, në qeveri? Ku do gjejnë ata më një ministër si ai, që mendon natë e ditë për njerëzit e vet? Që javën e parë të pushtetit, të përkrahu ty dhe kunatin e tij dhe hapët bizneset pa humbur kohë. Ai ka mentalitet krejt perëndimor, nuk është si ata mendjendryshkurit aty, që druhen të mos merren me biznes, se ua marrin për ters. Ai ishte më i qarti nga të gjithë. Ti më kishe thënë që në Prishtinë që e njihje, që ai ka plane të qarta se ç’do bëjë në Shqipëri, por nuk e kisha besuar. Kur e pashë si veproi, u binda. Duket që ishte i qartë dhe i ftohtë. U ndihmoi që javën e parë të hapnit bizneset tuaja dhe punuat bashkë aq mirë. E sajuat vetë dhe firmën konsulente për tenderin e rrugës, ai një holandez, ti një kroat, e kështu me radhë. I bëtë gjithë letrat në rregull dhe ia nisët rrugës. Tani nuk e kuptoj ç’duan këta prokurorët. Ata janë një tufë hajdutësh që u kanë zili juve pse kini bërë pará, ndaj duan t’u dënojnë.
Më kanë ardhur lajme të këqija dhe për ty. Ka zëra që duan të të shpallin fajtor dhe të të marrin si të pandehur. Por të të marrin të keqen. Dhe po ndodhi ajo, nxirr atë pasaportën tjetër origjinale, jo këtë falsen që ke shkuar aty dhe s’kanë ç’të të bëjnë. Nuk janë aq të zotë ata sa duken. Thjesht e kanë zili se ju keni bërë pará. Se aty ishin mësuar që vetëm gjykatësit dhe prokurorët bënin pará. Nuk ishin mësuar të bënin pará politikanë dhe biznesmenë. Ndaj u vjen inat.
E pashë dje Lulin në Bruksel me Oli Rehnin. I vuri ca kushte ai për luftë kundër korrupsionit dhe e pashë si u skuq djali deri te veshët. Më raftë pika sa keq më erdhi! E torturuan djalin. Tani s’del dot nëpër botë, se i thonë ke çështje penale. Dhe pse ia bëjnë thua, vetëm se rriti çmimin e një rruge që bashkon Shqipërinë me Kosovën dhe në të ardhmen me Serbinë. Ku e gjen një patriot të tillë si ai?
Sidoqoftë, të shkruaj që të kesh kujdes, të mos nxitohesh të shkosh papritur në Shqipëri për t’i qëndruar pranë Lulit. Përpiqu të takohesh me të, duku në Evropë, se dhe atë e vë në pozitë të vështirë. Se dhe ai ka armiqtë e vet brenda që e luftojnë. E kam dëgjuar një herë atë Topallin që ka thënë: “Nuk e dua Fazlliçin”. Nuk besoj se e ka me ty ajo, me Lulin duhet ta ketë. Të ka inat si shok i atij. Por dhe Berishën duhet ta ruash. E ke mik për kokë dhe s’ke pse e vë në pozitë të vështirë. Të ka ndihmuar sa s’bën. Ke marrë gjithë tenderat e energjisë. Dhe ti ia ke kthyer borxhin, por sidoqoftë ai ta ka bërë nderin. Më thanë se të janë kapur dhe ato lekët që janë dërguar nga Pluto Internacional te llogaria jote private në Tiranë. Qenka punë dreqi, se i paska tërhequr ajo Flutura Kola. Po dhe kjo Argita nuk gjen njeri tjetër të dërgojë për të tërhequr lekët, po për çdo gjë atë Fluturën dërgon. Se s’dihet si e marrin njerëzit. Pavarësisht se ti ke tërhequr 1,6 milionë euro nga llogaria private pa arsyetim, nuk i ke tërhequr vetë, po i ka tërhequr avokatja dhe mund të thonë që i ka marrë ortakja e saj. Bëj kujdes të keqen nëna me këto gjëra, se që i vogël ke qenë i rrëmbyer në ca punë dhe i bëje lëmsh gjërat. Dhe këtë punën e transfertave bankare e ke bërë ca rrëmujë. Se dërgon lekë nga firma jote nga Zvicra në llogarinë tënde në Tiranë dhe nuk shkon t’i marrësh vetë, po dërgon Flutura Kolën. Kjo nuk hahet, se duket si pagesë për studion dhe ti e di që e vë në pozitë të vështirë atë burrin.
S’di ç’të të them më, të keqen nëna. Më vjen shumë keq për Lulin, por kështu e desh fati. Nuk iu lanë t’u qeshë buza njëherë dhe ta gëzonit këtë pushtet, për të cilin luftuat aq shumë.
Me shumë mall,
Nënë Jovanka
Nënë Jovanka uron për “moshën e internetit”
I dashur Damir.
Lajme të mira më erdhën nga Tirana. Me gjithë telashet që përpiqen të të hapin ata të drejtësisë, duket që qeveria është në rrugë të drejtë. U gëzova që më në fund ta besuan ty moshën e internetit në Shqipëri. Nuk i thonë pak, por 650 shkolla në gjithë Shqipërinë, nga jugu në veri. Do t’i pajisësh me kompjuterë, do t’i lidhësh në rrjet. Është punë e madhe. Kisha besim se miku yt kryeministër do ta besonte këtë punë, por, kur pashë se si po ngatërroheshin punët, dyshova. Por tani u pa që miku mbetet mik.
Ti ma kishe shpjeguar atëherë se tenderin e kishte në dorë ministri i Arsimit dhe ai nuk shkonte mirë me Berishën. Ndaj pata frikë për këtë punë. Por ja që ti e kishe kuptuar më mirë skemën dhe funksionoi. Jam shumë e gëzuar se ia arrite që përmes këtij tenderi, ti jo vetëm të fusje për herë të parë një kompani serioze serbe të fitonte tender me lekët e qeverisë në Tiranë, por dhe ta përdorje atë për të afruar Pollon me Berishën.
Ne të gjithë e dimë që ata nuk puqen askund me njëri-tjetrin. Por ti ia shtive në vesh Pollos se cila është rruga që ai të mbetet në lojë dhe të hyjë në zemrën e Berishës. I tregove rastin e Bashës, Alibeajt, Bumçit apo gjithkujt tjetër. Rruga është të bëjë një gjest pro teje, ose pro familjes së tij në përgjithësi. Dhe Pollos ti ia dhe këtë rast. Ishte rasti i fundit që ai kishte të afrohej me Berishën. Kishte dhjetë milionë euro në dorë. Mund t’ia jepte tenderin dhe një firme të tij dhe të bënte pará, por ai zgjodhi më mirë karrierën politike. Ta dha ty tenderin dhe kështu Berisha ia fali gjithë historitë e tenderave të tjerë të librit shkollor. Pas kësaj Berisha u qetësua dhe në ndryshimet e para që bëri në qeveri e mori zëvendëskryeministër.
Tani që doli lajmi për tenderin tënd, është vonë. Dhe Pollo ka fituar karrierën, dhe ti ke fituar lekët, dhe serbët kanë hyrë në Tiranë. Dhe doli në ditë të mirë lajmi. Në festat e Shqipërisë.
Ah, se harrova. Të keqen nëna, mos u përziej në këtë historinë e festave. Se atë 29 nëntorin ua kemi dhënë ne si festë, se e kemi festën e Jugosllavisë.
Por ty po të pyetën, thuaj jam vetëm për 28 nëntorin. S’ke punë të mbrosh ata të opozitës për 29 nëntorin se është punë delikate. S’ka ç’na duhet Titoja ne tani, ai ka vdekur. Kemi mikun tonë në Tiranë, kryeministër dhe duhet të respektojmë atë. Më 28 thotë ai, më 28 thuaj dhe ti.
Mora vesh dhe diçka tjetër. Një diplomate e ambasadës franceze qenka ankuar se donte të fitonte tenderin tënd një firmë franceze. Nuk i kuptoj më këtë francezët. Nga një anë na hiqen ne serbëve si miq, nga ana tjetër na pengojnë të bëjmë biznes me
shqiptarët. S’e marr vesh këtë punë, pse bëhen kaq ziliqarë.
Dhe në fund desha t’i çosh përgëzime sot dhe Flamurit, mikut tënd, se ka ditën e emrit. Është nga Novoseja dhe ti i e di që ne i kemi tanët ata në atë fshat. Ai në fakt e ka pas emrin Feim, por, atëherë kur lindi, gjendja civile s’ia ka pranuar emrin se ishte koha që vendoseshin emra të rinj dhe ia vendosën Flamur. U çudita shumë se në fshat i thërrasin akoma Feim, dhe me këtë luan me dy porta ai. Kur i kërkojnë ndonjë nder nga fshati, thotë s’kam gjë në dorë, se ai Flamuri është tjetër. Vetëm se i prishin punë gazetat që i botojnë dhe foton. Tani letrën po e mbyll. Bëji të fala dhe Bashës dhe më ka pëlqyer shumë që e injoroi prokurorinë dhe nuk i shkoi fare asaj vajzës që bën si e fortë. Shumë mirë ia bëri. As ti mos i shko. Le të hapë padi penale sa të dojë. Ju keni punë vetëm me një njeri, me kryeministrin. Sa të jetë ai, s’keni punë me prokurori e gjykata. Po iku ai, zamet e keni, do ikni dhe ju. Por ca detyrime ndaj tij i kemi. Me këtë që ka bërë me tenderin e kompjuterëve nuk jam e gëzuar për dhjetë milionët, por për gjestin, pasi të vuri dinjitetin në vend.
Të puth me mall nga larg,
Nënë Jovanka
Nënë Jovanka sheh në ëndërr Lulin e burgosur
I dashur Damir.
T’u bëftë nëna, kam marrë ca palo habere andej nga Shqipëria, ndaj po të shkruaj.
Atij mikut tënd, Lulit, sikur iu sos vaji i kandilit më duket, po i mblidhet litari ditë pas dite, thonë gojët e liga.
Unë sigurisht i marr me rezerva këto lajme që më vijnë, se e di që ju keni atë burrin që ju ruan si engjëll mbrojtës mbi krye. Engjëll jo xhanëm, po nejse, ashtu na e do puna të themi.
Jo dhe aq për burrni, siç i thonë andej nga Shqipëria, por më shumë për faktin se janë pleksur keq edhe fëmijët e tij me ju, dhe do, s’do ai, ju jeni në një varkë.
Po u mbyt njëri, mbyteni të gjithë, ndaj duhet ta mbani fort shoqi-shoqin, se vetëm kështu kini ndonjë shpresë mos shpëtoni.
Po nejse, s’është kjo arsyeja që të shkrova, por diçka tjetër, një ëndërr e tmerrshme që kam parë këto ditë e që s’mund të rrija pa ta treguar.
Jo se besoj tek ëndrrat, se ato ndodh edhe që s’dalin, por tani që e kemi mizën nën kësulë, siç i thonë fjalës, jemi bërë edhe pak paranojakë.
Që thua ti, pashë një ëndërr që më ngjethi mishtë.
Pashë atë shokun tënd, Lulin, sikur ia bënë gropën ata që s’e duan. E çuan në burg, se s’tregonte shokët: ty, Gitën, Erionin, Fluturën dhe Saliun.
U hap me vringëllimë llozi i parë i një dere të rëndë i një burgu me numër shansi, 313. Pastaj u hap llozi i dytë, i treti e kështu me radhë.
Dashkan ta mbyllin me shtatë kyçe më duket dhe çelësat kushedi ku i hedhin, qenka serioze puna dhe duhet vrarë mendja në duhet ta mbajmë më apo t’i bëjmë dalje, të themi s’e njohim që të shpëtojmë veten.
Pastaj m’u bë sikur përshkoi me një hap të gjatë një korridor burgu me dyer nga të dy anët, me penxhere të vogla katrore nëpër dyer.
- Hape 13-ën, - thoshte zëri i trashë i gardianit.
Prapë numër shansi është edhe 13-ta, mbase s’më del ëndrra ose mbase e shpëton Saliu.
Luli mbahej mirë deri atëherë, kokën lart dhe nuk shihte as majtas, as djathtas, si hero hiqej.
Pastaj u dëgjua një zë i trashë krimineli që e kërkonte.
- Ma bini mua, se qenka si vajzë, i bardhë e bukurosh. Do ta mësoj si të vjedhë e të mos lërë gjurmë. Për një muaj e bëj çeço, do ta shihni, e bëj usta.
Gardiani bëri sikur s’e dëgjoi, se më duket se edhe ai trembej për vete dhe i bindej të burgosurit.
Më e tmerrshmja qe kur i sollën drekën. Ca copa preshi që notonin në lëng, e që bënin be se kuzhinieri i grinte mbi thembrën e këpucës.
Lëre batanijet që i dhanë për të hedhur përsipër, ç’erë të shpifur binin, kushedi si e kishin pasur ngjyrën kur qenë blerë me tender e sa shtresa lëngjesh fiziologjike mbanin përsipër.
Për një gjysme dite s’kish mbetur gjë prej gjeje nga ai djali i kollarisur e kokoroç. U bë tjetri një grusht si tullumbace e shfryrë. Edhe heronjtë çoku tremben kur ua ndjen prapanica lagështirën.
Nuk e di si do ta përballojë po e futën me gjithë mend.
Vetëm bërja e urinës me orar dhe ajrimi një orë në ditë janë gjëra që s’durohen.
Lëre, lëre, po mynxyra ishte më tutje.
M’u bë sikur e lanë në baltë të gjithë. Xeni ishte fshehur andej nga ajo shtëpia e bixhozit të së shoqes dhe s’i dilte për karshi. Gita bënte parimoren duke thënë nëpër TV, “po ka gabuar, të marrë dënimin e merituar”. Ai burri iu shmangej gazetarëve dhe nuk prononcohej për të, e gjoja nuk donte të ndërhynte në punët e drejtësisë, megjithëse i kish zhytur duart deri në bërryl në atë gjiriz.
Edhe Aurela ia kish mbathur jashtë, në Holandë. Vetëm Xhaferri me Xhanen i binin nga një copë bukë e nga një palë tuta sporti.
Ti po kishe ikur i pari, se helbete i vdekuri me të vdekurit, i gjalli me të gjallët dhe do shpëtoje kokën tënde, domosdo, dhe kish mbetur vetëm i ziu djalë.
Pastaj m’u bë sikur e dënuan dhe e dërguan në një burg me emër të përafërt me Pekinin, ku qe komshi me Nehat Kullën dhe merreshin vesh me të trokitur në mur. Se ç’do Kina në Shqipëri, as sot s’e kam marrë vesh.
S’e di, s’e di, po keq m’u dukën punët, edhe pse qe ëndërr. I ka bërë punët lesh arapi djali, ka rendur pas parave dhe s’ka parë ç’gjurmë ka lënë pas. Edhe ti, të keqen nëna, s’para kujdesesh shumë për të fshirë gjurmët, ndaj ta kam aq shumë merakun. Dhe ti, po të futën brenda, s’hiqesh dot as si hero, siç bën Lulzimi, se s’të shkon, ndaj mos u duk ca kohë andej nga Shqipëria, edhe po të dha besë ai miku yt, Saliu. Më erdhi keq për Lulin, se duket dhe djalë i mirë.
Kam marrë vesh se mund të jetë dhe i fisëm, se e ëma thonë ka punuar infermiere në “Bllok” të udhëheqësve dhe është dekoruar për punë të mirë. Dhe këto infermieret bëjnë fëmijë të fisëm, e di unë.
Tani po e mbyll. Uroj që të ketë qenë ëndërr, se po u bë realitet, na mori lumi edhe ne, edhe ata miqtë e tu, se ai do fillojë të cicërojë, po e futën brenda dhe do t’ju nxjerrë cullak të tërëve, se nuk ka aftësi presionmbajtëse, është ca bythëpambuk.
Ndaj hiqi ato lekët nga Shqipëria e varrosi në ndonjë bankë në Qipro, atje ku s’t’i kontrollon dot njeri.
Të puth me mall, nëna jote Jovanka, që të do shumë e që të ka merakun edhe në gjumë
Nënë Jovanka solidarizohet me mbylljen e gazetës “TemA”
I dashur Damir. Lajme të mira më vijnë nga Tirana. Ia ka gjetur tamam ai miku jonë atij gazetarit që s’lë gjë pa thënë për ty. Po e nxjerrka me policë nga redaksia dhe po ia prish gjithë investimet. Hallall i qoftë! Atij i them burrë unë. Të kam thënë që në fillim që kisha shumë besim tek ai, se dukej burrë me tipare të forta. Njerëz si ai kanë karakter të fortë. Kur e pashë për herë të parë në fotografi, u mahnita. Njësoj si burrat e fortë të Srebrenicës. Me ato tipare si mjeku ynë Radovan, i cili la profesionin e mjekut dhe luftoi në Srebrenicë për të drejtat e serbëve. Ishte dhe poet madje. Dhe ky i ka qejf gazetat, siç më kanë thënë. Po atij i ka treguar vendin. Dhe ia ka gjetur shumë mirë arsyen për siguri kombëtare. Ai rrezikon realisht sigurinë kombëtare. E kupton ti, ç’do të thotë që ai të jetë një kilometër afër vendit ku bëhen kartat e identitetit? Është skandal. Ti e di mirë se ç’do të thotë kjo, se ti ke qenë vetë në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar në Tiranë bashkë me të dashurën tënde. Dhe shyqyr që s’ta ka njohur njeri që është e dashura tënde ajo biondja, se do bëhej nami. Për ty dhe ai gazetari bëri namin. Lëre sikur ta merrnin vesh dhe për atë. E kam fjalën që ti ke marrë pjesë rregullisht në Mbledhjet e Këshillit për Sigurim Kombëtar në Shqipëri dhe e di mirë sa i rrezikshëm është ai person për sigurinë kombëtare të atij vendi dhe tonën natyrisht. Se tani ai është atdheu ynë i dytë.
Po m’u bë qejfi shumë dhe për atë Genc Rulin. Kisha dyshime për të, se thoshin është hileqar dhe ia ka me hile atij burrit, por u tregua burrë. E ka hedhur firmën pa njoftuar fare dhe e ka bërë fakt të kryer. Burra të tillë i duhen Shqipërisë. Njerëz të besës. Lidhen me një njeri dhe nuk e tradhtojnë kurrë. Jo si ca të tjerë që hidhen sa andej-këtej.
Po dhe ky Bujar Nishani qenka djalë i zoti. Nga krevati është ngritur për ta firmosur më thanë. Bravo i qoftë! Tani t’i çojë policët aty, se vetëm ashtu merr vesh ai.
Nuk di si janë sjellë të tjerët, por këta kanë bërë përshtypje të mira shumë. Se isha pa gjumë, që kur kisha parë atë ëndrrën për Lulin në burg. Dje gjithë natën pashë ëndrra me policë dhe me atë burrin. Fytyra e tij më qetëson. Më duket vetja sikur e kemi marrë dhe një herë pushtetin tamam. Më shfaqet në ëndërr Radovani ynë, mjek, poet luftëtar, njeri i besës. Si dy pika uji ngjajnë. Nuk di si kanë reaguar ata të tjerët, por i thuaj atij burrit të ketë kujdes. Se tani ia kanë marrë dorën dhe bëjnë sikur janë të gjithë me atë dhe heshtin. Po ai është mirë t’i vërë në provë. Ja këtë Rulin e vuri në provë dhe e fitoi. E ka përjetë tani. S’ka ku i ikën, se ka dhënë prova. Dhe ata të tjerët mos të rrinë urtë, por të flasin. Të thonë pro ose kundër. Se ndryshe ia hedhin. I kam shumë frikë ata që bëjnë sikur rrinë dhe sikur janë me atë burrin. Presin t’i shkasë këmba dhe në shpinë i ka.
Luli më mori sot i gëzuar dhe më tha se ai gazetari nuk e ka të gjatë. Ishte gëzuar shumë të keqen nëna, se kishte besuar vërtet që ti kishe hapur padi këtu në Londër. Unë bëra sikur s’e kuptoja, që ti s’hap dot çështje nga këtu, por shyqyr as ai s’e kuptoi. U tremba kot, ngaqë mendova se është jurist, por, kur mendova si e ka bërë shkollën, e mora vesh që s’i kupton ligjet e Anglisë. Dhe bën mirë që s’i kupton, se kështu mbrohet dhe për atë gjyqin që ka lidhur kontratën sipas ligjit anglez. Thotë nuk e njoh dhe s’ka faj.
Të keqen nëna sa ishte gëzuar Argita, avokatja jote. Kur më merr ajo në telefon, sikur të kam ty këtu më duket vetja. Më tha kemi bërë plan ta shkatërrojmë. Do t’i mbyllim kompaninë, do ta bllokojmë gazetën, s’do t’i lëmë gjë pa bërë. Dhe ka lezet, se është e qetë dhe serioze në punë. E pyeta për Shkëlzenin, më tha që fluturon nga gëzimi. U lehtësova shumë. Të shikojnë dhe ata një ditë të bardhë, se u iku jeta duke marrë lajme të këqija.
Nuk di ç’të them tjetër të keqen nëna. Shiko punët e tua, se s’i dihet se çfarë shpik prapë ai gazetari për ty, derisa të mos ia dëgjojmë më zërin. Se çfarë s’i shkon në mendje atij. Mund të thotë që dhe këtë e ke nxitur tek ai burri. Po ti ruaj qetësinë. Ia jep vetë përgjigjen ai, siç ua dha atyre socialistëve në parlament, që u tha ua bie këtu dhe heshtën. Tani kam shpresë se punët do ecin mirë. Të kishte mundësi t’ua bënte dhe atyre gjykatësve dhe prokurorëve si këtij gazetarit mirë do ishte. Por s’duhet nxituar. Ngadalë, ngadalë. Se do t’i vijë dita të gjithëve kush të bie më qafë ty. Dhe ta shikojnë mirë pastaj se kush rrezikon sigurinë tonë kombëtare, ti apo ai maskarai. Ia tregon ai burri.
Si përfundim dua të them që jam shumë e gëzuar nga ky lajm dhe nga mënyra se si po e presin miqtë tanë në Tiranë këtë gjë. Kjo tregon që ti je idhulli i atyre dhe kush të prek ty, do ta pësojë. Kjo na detyron t’i jemi mirënjohës përjetë atij burrit për këtë që bën. Më bëri në këtë moshë të dua dhe Shqipërinë pa le të vdes. Ia arrita kësaj dite.