E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolonel Malindi: "Ju rrëfej Shqipërinë e Traktatit të Varshavës"

Marrja e ftesës për aderimin e Shqipërisë në paktin ushtarak të NATO-s, gjë e cila me plot të drejtë është konsideruar dhe po trajtohet e festohet si një ngjarje apo eveniment historik nga më të mëdhatë që ka pasur ndonjëherë vendi ynë, nuk përbën rastin e parë të futjes së Shqipërisë në pakte të tilla ushtarake. Ndonëse në rrethana dhe kushte politike e ushtarake krejt të ndryshme nga këto të sotmet, ashtu siç dihet tashmë nga të gjithë, Shqipëria komuniste ka aderuar edhe në Traktatin e Varshavës. Nga i cili u largua de facto në vitin 1961, kur u prishën dhe marrëdhëniet e ngushta e miqësia e madhe që ekzistonte në mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Po si u prit hyrja e Shqipërisë në Traktatin e Varshavës dhe si u konsiderua ajo gjë nga Tirana zyrtare e asaj kohe? Çfarë përfitoi apo humbi vendi ynë nga anëtarësimi në atë pakt ushtarak ku aderonin pjesa më e madhe e vendeve komuniste të Lindjes dhe si u zhvilluan marrëdhëniet në mes Shqipërisë dhe Traktatit të Varshavës? Lidhur me këto e të tjera ngjarje e fakte që kanë të bëjnë me atë periudhë të luftës së ftohtë, na njeh intervista ekskluzive për gazetën "Shqip", e kolonelit në pension, Skënder Malindi, ish-komandant çete në Qarkun e Skraparit gjatë viteve të luftës (1939-1944), dhe më pas një nga ushtarakët madhorë të Ministrisë së Mbrojtjes e Ushtrinë Shqiptare për vite me radhë, derisa u godit në vitin 1975 si pjesëtar i të ashtuquajturit grupi puçist i Beqir Ballukut në ushtri.

Zoti Malindi, si e kujtoni hyrjen dhe aderimin e Shqipërisë në Traktatin e Varshavës. A ishte asokohe ajo gjë një problem për qeverinë e ushtrinë shqiptare dhe a pati entuziazëm në popull pranimi i vendit tonë në atë pakt ushtarak?

Në atë kohë, pra në vitin 1955 kur Shqipëria komuniste po përgatitej të anëtarësohej në Traktatin e Varshavës, Tirana zyrtare i kushtoi një rëndësi të madhe dhe vëmendje të veçantë atij problemi. Gjë e cila duhet thënë se përbënte një eveniment të veçantë për Shqipërinë dhe përgatitjet nga ana e të gjitha strukturave të shtetit shqiptar kishin filluar menjëherë qëkur ishte nënshkruar dokumenti përkatës për formimin e atij pakti ushtarak në kryeqytetin polak, Varshavë. Por duhet thënë se hyrja e Shqipërisë në atë pakt ushtarak nuk vihej në dyshim dhe nuk përbënte ndonjë problem të madh për vendin tonë, pasi dihej fare mirë se Shqipëria ishte një vend satelit dhe tepër i bindur i Bashkimit Sovjetik. Dhe gjithashtu, ushtria shqiptare ishte një pjesë apo më mirë të themi një shtojcë e Ushtrisë së Kuqe të Bashkimit Sovjetik të asaj kohe. Por kur ajo gjë u bë realitet, pra kur Shqipëria nënshkroi zyrtarisht aderimin në Traktatin e Varshavës, pati një jehonë mjaft të madhe dhe në të gjithë vendin u zhvilluan mitingje madhështore. Kësaj i parapriu miratimi në Kuvendin Popullor i atij traktati, ku në mes duartrokitjeve të deputetëve dhe të ftuarve të tjerë, u mbajtën dy fjalime nga Kryeministri Mehmet Shehu dhe ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku. Kjo gjë lidhej edhe me propagandën e madhe që i kushtoi PPSH-ja dhe qeveria atij evenimenti, ku Radio-Tirana dhe gjithë shtypi, i kushtuan ditë të tëra asaj ngjarjeje. Ndër sloganet që dallohej dhe përdorej më shumë në atë kohë, ishte ai që thuhej se; Republika Popullore e Shqipërisë tani është e mbrojtur dhe nuk na gjen gjë. Zyrtarizimit të Shqipërisë në Traktatin e Varshavës i parapriu miratimi në Kuvendin Popullor i dokumentit përkatës ku në mes duartrokitjeve të deputetëve dhe të ftuarve të tjerë, u mbajtën dy fjalime nga Kryeministri Mehmet Shehu dhe ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku. Por me gjithë këto që thamë, duhet pranuar se futja e Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, më shumë se në interesin e vendit tonë, ishte dhe një kërkesë e Bashkimit Sovjetik dhe e vetë atij pakti ushtarak.

Në ç‘drejtim dhe pse?

Kjo gjë kishte të bënte me vetë pozicionin gjeostrategjik të Shqipërisë, e cila kufizohej me det me Italinë dhe Greqinë, të cilat në atë kohë dhe sot janë dy vende anëtare të NATO-s. Nisur nga ky fakt, pra konfiguracioni gjeostrategjik i Shqipërisë, ishte mjaft i nevojshëm për Traktatin e Varshavës dhe vetë sovjetikët, të cilëve iu interesonte me çdo kusht një dalje në det për të kontrolluar dhe mbajtur nën vëzhgim të përhershëm të gjithë Mesdheun.

Pas hyrjes së Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, si vijuan më tej marrëdhëniet në mes dy vendeve dhe ushtrive përkatëse, a pati ndonjë ndryshim të madh nga koha para nënshkrimit të atij pakti?

Patjetër që u vu re një farë ndryshimi dhe bashkëpunimi më të ngushtë në marrëdhëniet në mes dy vendeve dhe ushtrive tona, gjë e cila ishte e kushtëzuar edhe me zbatimin e pikave të atij pakti ushtarak. Menjëherë pas nënshkrimit të atij traktati, Shqipëria caktoi përfaqësuesin zyrtar të saj pranë Traktatit të Varshavës, që ishte kolonel Halim Ramohito, (më pas ai mori gradën e gjeneralit), një ushtarak mjaft i përgatitur që ishte diplomuar me rezultate të larta në akademitë më të njohura të Bashkimit Sovjetik të asaj kohe. Po kështu, më pas filluan edhe shkëmbimet reciproke të delegacioneve të larta ushtarake të dy vendeve, si dhe të dy drejtuesve kryesorë të vendit tonë, Kryeministrit Mehmet Shehu dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, të cilët ishin të detyruar të merrnin pjesë në të gjitha mbledhjet e Komandës së Bashkuar të Traktatit të Varshavës, që zhvilloheshin kryesisht në Moskë, ku ishte dhe selia qendrore, por edhe në vendet e tjera ku zhvilloheshin ato takime. Ndryshimet e tjera konsistuan edhe në shtimin e këshilltarëve ushtarakë sovjetikë në të gjitha llojet e armëve të Ushtrisë Shqiptare, si në flotën detare dhe ajrore, ashtu dhe në tanke, artileri, ndërlidhje, kimi, xhenio etj. Këshilltarët ushtarakë sovjetikë u vendosën jo vetëm pranë Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë, po ata u shtrinë edhe nëpër rrethe deri në rang brigade e regjimenti. Shumica e tyre mbanin gradat e kolonelit, ndërsa këshilltari që ishte pranë ministrit të Mbrojtjes Popullore, Beqir Ballukut, mbante gradën e gjeneral-majorit. Një ndryshim tjetër që u ndie në atë kohë ishte dhe shkollimi e specializimi i një numri të madh ushtarakësh shqiptarë në shkollat dhe akademitë ushtarake më të mira të Bashkimit Sovjetik. Pra, me anëtarësimin e Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, sovjetikët morën përsipër dhe kryen të gjithë shkollimin e përgatitjen kuadrit tonë ushtarak për të gjitha llojet e armëve. Të gjitha këto, ashtu si çdo gjë tjetër që kishte të bënte me ushtrinë tonë, kryheshin falas nga sovjetikët.

Pas sa kohësh nga hyrja e Shqipërisë në atë pakt ushtarak erdhën delegacione të larta të Traktatit të Varshavës në vendin tonë?

Menjëherë pas disa muajsh, në mos gaboj aty nga viti 1956, në Shqipëri erdhën 3 a 4 ushtarakë të lartë rusë që mbanin gradat e gjeneralit. Në atë kohë ata erdhën në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve "Enver Hoxha" në Tiranë ku dhanë disa leksione tepër sekrete për një numër të kufizuar ushtarakësh shqiptarë që ishin përzgjedhur nga ana e Ministrisë sonë të Mbrojtjes në Tiranë. Ato leksione që u zhvilluan për gati një javë rresht, ishin materiale udhëzuese dhe kishin të bënin me doktrinën e mënyrën e funksionimit të ushtrisë shqiptare. Siç thashë edhe me lart, ato ishin tepër sekrete dhe pas mbarimit të leksioneve, të gjitha fletoret që ne mbajtëm shënimet, u dorëzuan në sekretarinë sekrete me firmë dhe të dyllosura me vulat personale të gjithsecilit.

Tani ato nuk përbëjnë më sekret, a mund të na thoni se çfarë udhëzimesh ishin ato?

Pa diskutim që nuk përbëjnë më sekret. Bashkimi Sovjetik dhe Traktati i Varshavës në atë kohë e orientonin ushtrinë shqiptare në veprimet mbrojtëse dhe jo sulmuese. Dhe e gjithë doktrina ushtarake e jona duhej të bazohej mbi ato principe.

Po në drejtim të furnizimit të Shqipërisë me arsenal ushtarak a pati ndryshim pas anëtarësimit të vendit tonë në Traktatin e Varshavës?

Në parantezë të kësaj desha të sqaroj se edhe para futjes së Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, ushtria jonë furnizohej me gjithçka nga Bashkimi Sovjetik. Kur them me gjithçka duhet të kuptojmë; që nga gjilpëra e ushtarit, ushqimet, veshmbathjet, e deri tek armët më të rënda që dispononim ne në atë kohë, si nëndetëset, raketat, tanket e avionët. Pra, me pak fjalë, ashtu siç iu thashë edhe pak më lart, ushtria shqiptare ishte një shtojcë e ushtrisë sovjetike. Por pas futjes së Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, ushtria jonë nisi të fuqizohej gjithnjë e më shumë me arsenal ushtarak që vinte këtu nga Bashkimi Sovjetik në bazë të planeve dhe projekteve që ata kishin. Aq shumë automjete ushtarake erdhën në atë kohë në vendin tonë, saqë qeveria u dha edhe disa dikastereve të tjera civile automjete "ZIS" për t‘i pasur për nevojat e tyre. Nisur nga orientimi i ushtrisë shqiptare në sistemin e pozitave mbrojtëse, që ata i dhanë dhe planeve të tyre për të kontrolluar me çdo kusht Mesdheun, sovjetikët fuqizuan shumë Flotën tonë Luftarake Detare dhe armën e tankeve, e cila u orientua me drejtim mbrojtës nga vija bregdetare, nga ku pritej të vinte edhe ndonjë agresion i mundshëm ushtarak nga jashtë. Fuqizimi i Flotës sonë Luftarake Detare duhet thënë se ishte një gjë mjaft e madhe, pasi edhe një shtet sado i fuqishëm dhe i zhvilluar ekonomikisht që të jetë, nuk mundet dot ta mbajë një flotë të tillë, pasi asaj i duhen shpenzime financiare astronomike. Po kështu, përveç fuqizimit të Flotës Detare dhe deri diku asaj Ajrore, sovjetikët instaluan në vendin tonë edhe disa stacione lokacioni dhe radarë përgjimi, apo siç quheshin në atë kohë me termat ushtarake; Posta Radioteknike. Në atë kohë ato u vendosën kudo nga jugu në veri dhe kontrollonin pothuaj të gjithë hapësirën ajrore të fqinjëve tanë, kryesisht Italisë dhe Greqisë, dy vendeve anëtare të NATO-s. Me anë të atyre postave radioteknike, ne ishim në gjendje të kontrollonim edhe ngritjen e një avioni në aeroportet e Romës a çdo vendi tjetër të Italisë. Krahas fuqizimit të logjistikës për kontrollin e hapësirës ajrore, menjëherë pas aderimit tonë në Traktatin e Varshavës, sovjetikët na instaluan edhe një rrjet radiostacionesh për kontrollin e hapësirës ujore detare të vendit tonë. Në këtë kuadër u vendos një postë radioteknike në një manastir në fshatin Vuno të Vlorës, e cila ishte në gjendje të kontrollonte të gjitha lëvizjet e mjeteve në det. Po kështu, për këtë gjë në atë kohë u instalua edhe një stacion mjaft i fuqishëm diku në kthesat e Llogorasë, fare pranë detit.

Është thënë se baza ushtarake detare e Pashalimanit ka qenë një nga më kryesoret e Traktatit të Varshavës për Mesdheun, ç‘mund të thoni për këtë?

Është e vërtetë që jo vetëm baza e Pashalimanit, por i gjithë Karaburuni dhe ishulli i Sazanit kanë qenë pika kyçe jo vetëm tonat, por edhe të Traktatit të Varshavës ku aderonim ne. Më kujtohet gjatë vizitës që bëri në vendin tonë në vitin 1956, ministri i Mbrojtjes së Bashkimit Sovjetik, mareshali Zhukov, kishte marrë me vete edhe një numër të madh ushtarakësh të Shtatmadhorisë ruse. Gjatë asaj vizite, pasi ndoqi nga afër stërvitjen e madhe që ne bëmë në Voskopojë, ku ai mbeti i habitur e na tha: "Ju lumtë, e kënaqët plakun", ai shkoi edhe në ishullin e Sazanit. Gjatë vizitës në atë ishull, ku kisha rastin ta shoqëroja edhe unë, mareshali Zhukov dhe ekipi që e shoqëronte hipi në majën më të lartë dhe për disa minuta vrojtoi me mjete optike gjithë hapësirën detare rreth e rrotull. Pas kësaj ai iu drejtua komandantit të Detit të Zi, admiralit Kudetcov, duke i thënë: "Çfarë bën ti në detin e Zi? Ja ky është Deti i Zi për ty". Pastaj ai pyeti ushtarakët tanë: "Sa katera silurues keni planizuar këtu në Sazan?" Dhe kur ata i thanë se kishin planizuar 12, ai ua ktheu: "Çfarë 12, 72 duhet të planizoni". Pas ishullit të Sazanit, Zhukovi vizitoi edhe Karaburunin me qëllim që aty të vendosnim disa raketa tokë-tokë kundër NATO-s dhe Italisë.

Po pse nuk u vendosën këto raketa atje?

Vendosja e atyre raketave dhe e një arsenali tjetër ushtarak që Zhukovi na premtoi gjatë vizitës së tij në Shqipëri, nuk u bënë të mundura për shkak se siç dihet ai u shkarkua menjëherë sapo u largua nga vendi ynë. Por tre grupe raketash tokë-ajër erdhën, dhe ato u vendosën në Krujë, Patos dhe në një fshat në mes Durrësit dhe Tiranës.

A e kishte të nevojshme Shqipëria gjithë atë arsenal të madh ushtarak që sovjetikët, por edhe më pas kinezët, sollën këtu, dhe pse ndodhi kjo gjë?

Pa diskutim që arsenali ushtarak që dispononte Shqipëria në atë kohë si dhuratë nga sovjetikët dhe më pas nga kinezët ishte një gjë mjaft e tepërt dhe e pajustifikuar nga ana ushtarake. Që nga mesi i viteve ‘50 kur ne aderuam në Traktatin e Varshavës, bisedonim me këshilltarët sovjetikë dhe disa prej tyre na hapeshin për çdo gjë. Ardhja e të gjithë atij arsenali ushtarak në vendin tonë kishte të bënte dhe me planet e sovjetikëve për ta pasur Shqipërinë si një bazë gjeostrategjike të Traktatit të Varshavës dhe të synimeve të tyre në kuadrin e atij pakti ushtarak. Këshilltarët sovjetikë na e thoshin vetë herë pas here: "Ju mos u mundoni ta bëni ushtrinë tuaj si tonën, se nuk e bëni dot kurrë. Por ne do t‘ju furnizojmë dhe në rast të ndonjë sulmi nga jashtë, ne do të vijmë këtu të luftojmë dhe t‘ju mbrojmë nga çdo armik".

Aderimi i Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, a e rrudhi buxhetin e vendit tonë të varfër dhe a ndihej kjo gjë në atë kohë. A kishte shifra reale për atë se sa harxhonte Shqipëria për ushtrinë?

Edhe pse siç ua thashë më lart i gjithë arsenali ushtarak dhe çdo gjë tjetër që kishte të bënte me ushtrinë dhe mbrojtjen i vinte Shqipërisë falas nga ana e Bashkimit Sovjetik, përsëri vendi ynë gjatë atyre viteve e ka ndier mjaft peshën dhe shpenzimet që bëheshin për ushtrinë. Por shifrat reale të shpenzimeve nuk jepeshin kurrë, pasi ato konsideroheshin si një sekret i rëndësisë së veçantë dhe kur qeveria planizonte buxhetin e ushtrisë, i cili formalisht miratohej edhe në Kuvendin Popullor, ato gjithmonë raportoheshin shumë më pak nga sa ishin në të vërtetë.

Pas aderimit të Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, a dërgoi vendi ynë trupa ushtarake në ndonjë stërvitje të përbashkët që bëhej atëherë në kuadrin e atij pakti?

Trupa ushtarake ne nuk kemi dërguar kurrë, por disa herë kemi shkuar grupe oficerësh madhorë për të marrë pjesë si vëzhgues në stërvitjet e mëdha që zhvilloheshin në Bashkimin Sovjetik në kuadrin e Traktatit të Varshavës. Një nga këto ka qenë edhe ajo e zhvilluar në vitin 1959 në rrethin e Tbilisit në Kaukaz, ku bashkë me disa shtete anëtare të Traktatit të Varshavës, ishte ftuar edhe një delegacion nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, i cili kryesohej nga gjenerali Vaskë Gjino. Si anëtar të atij delegacioni ishin dhe: Muhamet Prodani (gjeneral, gjitharmësh), Sul Domi (kolonel për artilerinë), Petrit Cobani (kolonel për tanket), Dhori Gjoni (kolonel për kiminë), Skënder Malindi (kolonel, për përgatitjen luftarake) etj. Ajo stërvitje që u zhvillua për 7 ditë me radhë diku pranë kufirit me Turqinë, ishte me temë: "Korparmata në mësymje" dhe drejtohej nga komandanti i qarkut ushtarak të Okrukut, gjeneral-armate, Galiski, heroi i Bashkimit Sovjetik, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte qenë gjeneral-armate. Gjatë konkluzioneve të stërvitjes ai na kërkoi edhe neve që të thoshim vërejtjet tona dhe qeshi kur ne i thamë se nuk kishim vërejtje, pasi gjithçka kishte shkuar mirë. Ai vlerësoi delegacionin irakian që bëri vërejtje me vend për stërvitjen. Përveç kësaj stërvitjeje, ne ushtarakët shqiptarë kemi asistuar si vëzhgues edhe në një stërvitje tjetër të zhvilluar në Odesë në vitin 1958, ku si kryetar i delegacionit ishte Petrit Dume dhe anëtarë të tij: Dilaver Poçi, Et‘hem Gjinushi, Sulo Kozeli, Myslym Keta, Sul Domi, Skënder Malindi, Mendu Backa etj. Pra, gjithsej gjatë atyre viteve ne shqiptarët kemi asistuar në 2-3 stërvitje të Traktatit të Varshavës që zhvilloheshin në Bashkimin Sovjetik.

Po ushtarakë të lartë të Traktatit të Varshavës a vinin në Shqipëri për të ndjekur stërvitjet tona?

Përveç atyre tre a katër gjeneralëve që thashë më lart se erdhën te ne në 1956 në Shkollën e Bashkuar ku na bënë leksione teorike, nga Traktati i Varshavës në vitin 1959 erdhën në Shqipëri edhe 10 gjeneralë të lartë sovjetikë nga të gjitha llojet e armëve, të cilët asistuan në një stërvitje të madhe që ne bëmë në jug të Shqipërisë. Një herë tjetër, diku aty nga viti 1959, erdhi në Shqipëri dhe drejtori operativ i Komandës së Bashkuar të Traktatit të Varshavës, i cili mbante gradën e gjeneral- lejtnatit. Bashkë me të ishte edhe një gjeneral rumun dhe një çek, të cilët morën pjesë në një stërvitje shtabi me harta që u zhvillua në tunelet e Petrelës.

Po pas prishjes me sovjetikët në 1961, cilat ishin marrëdhëniet e Shqipërisë me Traktatin e Varshavës?

Edhe pas prishjes me sovjetikët, ata na konsideronin ne si pjesë e Traktatit të Varshavës dhe pavarësisht se ne nuk merrnim pjesë në asnjë mbledhje apo stërvitje, ata na dërgonin rregullisht ftesat. Kjo gjë vazhdoi deri në vitin 1968 kur sovjetikët u futën me tanke në Pragë dhe Shqipëria doli edhe de jure nga ai pakt ushtarak.

Malindi: Gjeneral-armate, Shtermenko, na sugjeroi të stërviteshim për bombën atomike

"Kreu i Traktatit të Varshavës na priti në zyrë Petrit Dumen dhe mua"

Gjatë karrierës së tij ushtarake si kuadër i lartë në ushtrinë shqiptare dhe drejtor i përgatitjes luftarake në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore në Tiranë, kolonel Skënder Malindi ka pasur rastin të merrte pjesë si vëzhgues edhe në disa stërvitje që zhvillonte Traktati i Varshavës në ish-Bashkimin Sovjetik. Në një nga këto stërvitje të zhvilluara në vitin 1958, ai ka takuar edhe vetë komandantin e Traktatit të Varshavës, gjeneral-armate, Shtermenkon. Lidhur me atë takim që do ta ëndërronte çdo ushtarak i karrierës, koloneli në pension, Skënder Malindi, dëshmon: "Pasi asistuam për 7 ditë me radhë në stërvitjen që u zhvillua në rajonin e qarkut ushtarak të Odesës, delegacioni ynë u kthye në Moskë. Gjatë atyre ditëve të qëndrimit tonë në kryeqytetin rus, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-lejtnant, Petrit Dume, më mori mua me vete në një takim që ai kishte planifikuar me komandantin e Traktatit të Varshavës, gjeneral-armate, Shtermenkon, i cili gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore kishte shërbyer si zv/shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe njëherësh si drejtor operativ i Ushtrisë së Kuqe. Gjatë asaj periudhe ai i raportonte dy herë në ditë Stalinit për luftën që ata zhvillonin me forcat gjermane. Ai na priti i vetëm në zyrën e tij që ndodhej brenda selisë së Komandës së Bashkuar të Traktatit të Varshavës, diku brenda qytetit të Moskës. Gjatë bisedës sonë që u zhvillua në rusisht, Shtermenko na pyeti për shumë gjëra që kishin lidhje me ushtrinë tonë. Pastaj ai na pyeti edhe nëse ne zhvillonim stërvitje imagjinare me bombën atomike dhe kur ne i thamë se e bënim atë gjë, ai na tha: "Te ju nuk kam qenë, por në Poloni e gjetkë, kudo ku kam shkuar, kam vënë re të gjitha hartat me rreth (shenja e bombës atomike). Dhe ata më thoshin se me një bombë atomike kishin nxjerrë jashtë luftimit një batalion. Kjo që më thoshin ata ishte qesharake, pasi gjatë Luftës së Dytë Botërore një batalion ne e nxirrnim jashtë luftimit vetëm me një regjiment. Prandaj edhe ju shqiptarët duhet të kini kujdes dhe të mos bini në gabimet e tyre që nuk kishin idenë se çfarë ishte bomba atomike. Ju duhet t‘i kushtoni një rëndësi të madhe stërvitjeve me bombën atomike, se ajo ka fuqi të madhe dhe është shkatërruese", kujton Skënder Malindi sugjerimet e kreut të Traktatit të Varshavës, në bisedën e tyre që zgjati më shumë se 30 minuta.

Malindi: Ato kishin vetëm ekuipazh rus dhe për 4 muaj vëzhgonin bazat e NATO-s

"Nëndetëset sovjetike të Pashalimanit lëviznin në fshehtësi nëpër Mesdhe"

Në intervistën ekskluzive të dhënë për gazetën "Shqip", koloneli në pension, 88-vjeçari Skënder Malindi, rrëfen dhe hedh dritë edhe për një fakt jo shumë të njohur, si para viteve ‘90-të, ashtu edhe gjatë këtyre 17 vjetëve të periudhës së post-diktaturës. I cili ka të bëjë me rolin e ushtarakëve sovjetikë në vendin tonë dhe bazën ushtarake detare të Pashalimanit, e cila ka qenë e njohur si një nga më të rëndësishmet që ka pasur në dispozicion Traktati i Varshavës në të gjithë Mesdheun. Lidhur me këtë, Malindi shprehet: "Në bazën e Pashalimanit, nga 12 nëndetëse që kishte gjithsej, në bazë të marrëveshjes që ne kishim me sovjetikët, 4 nëndetëse ishin me ekuipazh të përbashkët shqiptaro-sovjetik, kurse 8 të tjera ishin vetëm me ekuipazh sovjetik. Dhe po kështu, nisur nga ajo marrëveshje, 8 nëndetëset me ekuipazh rus, ishin të lira të lëviznin dhe të vepronin pa vënë në dijeni palën shqiptare. Nisur nga ky fakt, gjatë atyre viteve që sovjetikët qëndruan në atë bazë ushtarake, pasi furnizoheshin me ushqime, ujë dhe karburant, me 8 nëndetëset e tyre ata lëviznin jo vetëm brenda ujërave territoriale të hapësirës shqiptare, por për tre katër muaj rresht ata dilnin nëpër të gjithë detin Mesdhe. Qëllimi i tyre ishte të kontrollonin dhe survejonin të gjitha bazat ushtarake detare që kishte asokohe NATO në Mesdhe, si p.sh. ato në Taranto, La Speczia (ku kishte një bazë navale) Napoli etj. Madje, ato shkonin deri në afërsi të porteve të Tunizisë (në veriun e Afrikës), me të cilën në atë kohë sovjetikët kishin marrëdhënie miqësie shumë të mira. Nëndetëset ruse të bazës së Pashalimanit, i kryenin ato lëvizje në një fshehtësi mjaft të madhe dhe gjithçka mbahej në një sekret të plotë edhe nga ne ushtarakët e lartë shqiptarë. Kjo gjë ishte e kondicionuar edhe për vetë faktin se po të zbuloheshin nëndetëset sovjetike nga forcat e NATO-s, ato mund të goditeshin dhe bombardoheshin prej tyre. Duke parë rëndësinë e madhe që kishte Pashalimani për sovjetikët dhe Traktatin e Varshavës, mareshali Zhukov kishte plane për ta forcuar dhe më shumë atë bazë. Gjë të cilën na e shprehu deri diku edhe ne ushtarakëve shqiptarë që e shoqëruam gjatë vizitës që ai bëri në Sazan dhe Karaburun në vitin 1956".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›