E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e 17-vjeçares, Ekspertët ligjorë: Mjeku gaboi, qepjet, në indet e kalbura



Laureta Rryçi

Ekspertët ligjorë “kryqëzuan” dje mjekun Xhevahir Hoxhallari për vdekje e 17-vjeçares Matilda Petriti. Ndërsa Hoxhallari, mjeku i ORL-së, është shprehur se ende nuk di se ku gaboi, autopsia duket se i ka gjërat më të qarta duke e fajësuar atë. Në seancën e radhës në Gjykatën e Tiranës ishin të pranishëm katër ekspertë mjeko-ligjorë, Fatos Sinani, Gjergji Syko, Elmaz Shaqiri dhe Admir Sinamati, ky i fundit zëvendësdrejtori i Mjekësisë Ligjore. Nëpërmjet aktit të ekspertimit, mjekët ligjorë shpjeguan se i pandehuri ka pasur kohën e mjaftueshme për të gjetur se ku ishte gabimi i tij. Në 68 përgjigjet e pyetjeve të bëra nga i pandehuri dhe Akuza, ekspertët mjeko-ligjorë kanë argumentuar gabimet e Hoxhallarit, të cilat çuan në vdekjen e 17-vjeçares nga Pogradeci. Në seancë, ekspertët akuzuan Hoxhallarin se ka vepruar duke mbivlerësuar situatën, si dhe ka pasur kohën e duhur për të gjetur se nga çfarë vuante ajo. Madje këta të fundit i kanë bërë me dije trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Artan Broci, se Hoxhallari ka pasur të gjitha pajisjet e vendosura nga qeveria, në mënyrë të tillë që të shpëtonte një jetë.
Akti i ekspertimit
Sipas deklarimeve të djeshme, që u bënë publike në seancë, ekspertët, duke u bazuar në autopsinë që i është kryer vajzës më 28 prill, 13 ditë pas vdekjes së saj, shpjegojnë se gabimi i mjekut ka qenë në 2 centimetra në bajamen e majtë. Ata e kanë shpjeguar situatën duke e krahasuar me një tub uji. “Imagjinoni një tub ujësjellësi që vjen nga depoja ose burimi i ujit të ketë këputje të segmentit nga i cili vjen, atëherë do të jemi derdhje. Kjo gjë ka ndodhur vetëm në anën e majtë, pasi në të djathtën nuk ndodhej kjo gjë. Kjo derdhje ka ardhur në ndërhyrjen e datës 15 prill. Në ndërhyrjen e datës 6 prill nuk është prerë ena e gjakut, dëmtimi përfundimtar është më datën 15 prill. Këtë ditë janë hequr qepjet që janë vënë nga ana e mjekëve të Korçës. Ajo që ne kemi vënë re është se ka ndodhur kalbëzimi i indeve dhe ne nuk mund të themi ka pasur qepje apo jo nga ana që ka rrjedhur gjaku. Në anën e djathtë ndërhyrja ka qenë korrekte. Peshën kryesore e lëmë te data 15, por kjo gjë ka ardhur më parë. Në datën 6 kemi një dëmtim të pjesës së jashtme. Qepjet qenë vendosur në ind të kalbëzuar, gjë që nuk ka ndodhur në anën e djathtë. Ndërhyrjet traumatike mjekësore kanë qenë të vazhdueshme dhe nuk ka pasur mundësi për rigjenerim të indeve pas heqjes së tyre. Rigjenerimi i indeve ndodh pas një jave, por kjo gjë nuk është e prerë. Është bërë një vizitë sipërfaqësore në Pogradec. Nëse do të kishte fenomene vaskulitet, duhet ta kishte bërë nga i pandehuri në Pogradec. Është trajtuar si një rast pa probleme shoqëruese. Shkaku hemorragjik që çon në tkurrjen e enëve të gjakut. Transfuzioni nuk u aplikua”, - kanë shpjeguar mjekët-ligjorë.
Kartela
Gjithashtu ata shpjeguan se të gjitha veprimet e tyre janë bazuar edhe në kartelat mjekësore, të cilat nuk kanë pasur të dhëna të pasqyruara në to. “Në orën 11:40 mjeku i rojës njoftohet nga infermierja se pacientja kishte hemorragji. Ajo është marrë nga shërbimi i urgjencës, ku i është pastruar gjaku dhe rrugët e frymëmarrjes. Pacientes i vendoset oksigjen, por nuk reagon”, - shtuan më tej ata. Ndërkohë që në lidhje me shkakun e vdekjes së vajzës, katër mjekët ligjorë i kanë konfirmuar trupit gjykues se “vdekja e 17-vjeçares ka ardhur si pasojë e shock-ut hemorragjik, i cili ka ardhur nga ana e dëmtuar në të majtë nga manipulimet mjekësore që çoi në vdekjen e Matilda Petritit. Ne kemi gjetur gjak që ka qenë rreth 2 litra, ngjyrë e çelur. Sekretimi i lëngut të stomakut është në sasi të pakonsiderueshme. Përmbajtje ushqimore nuk u konstatua”. Në fund të deklarime të tyre mjekët shpjeguan se “në rastin konkret ka qenë koha e mjaftueshme si e mjekut, por edhe e spitalit që të shpëtonin pacienten. Mungoi bashkëpunimi, solidariteti për ta shpëtuar atë vajzë. Këtu shtrohen edhe çështjet e etikës dhe të deutologjisë mjekësore, pasi nuk gjejmë konsensusin. Nuk është arritur në një miratim mes mjekut dhe të afërmve të pacientes, ndërkohë që në rastin e operacionit ky miratim duhet të bëhet me shkrim, ku të sëmurit i thuhen të mirat dhe rreziku që ka operacioni. Nuk e gjejmë të pasqyruar që mjeku kurues dhe kolegët e tij të kishin konstatuar ndonjë patologji dhe tua kishin thënë familjarëve”. Ndërkohë që vetë Hoxhallari duke debatuar me mjekët ka shpjeguar se vajzës i kishte hequr një tampon që kishte në bajamen e majtë, por jo penj, madje ai ka shtuar se i kishte bënë edhe tre penj të tjerë. Kjo ka sjellë reagimin e mjekëve, të cilët kanë theksuar se mungojnë tre penj, sipas konstatimeve të tyre gjatë kryerjes së autopsisë.

Minoriteti grek dërgon në Gjykatë kërkesën për themelimin e partisë

Mbërrin në gjykatë kërkesa zyrtare për themelimin e partisë më të re në vend për minoritetin grek. Themeluesit e kësaj partie i janë drejtuar zyrtarisht Gjykatës së Tiranës për të ligjëruar partinë që pretendojnë se me anë të së cilës do të mbrojnë të drejtat e tyre. Kërkesa i ka kaluar procedurat e para dhe shorti ka përcaktuar gjyqtaren Altina Xhoxha për ta gjykuar. Pasi gjyqtarja të njihet me kërkesën pritet të thërrasë disa nga firmëtarët e parë për t’i pyetur se përse duan të jenë anëtarë të kësaj partie. Më pas do të ketë një vendim nëse do të ligjërohet kjo e nismë e minoritetit grek. Edhe pse ekziston një forcë politike për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por që historikisht është drejtuar nga njerëz të këtij minoriteti, tashmë partia e re do të jetë vetëm për këtë minoritet.
Komisioni nismëtar është mbledhur më 20 mars në komunën Finiq për të miratuar programin, statutin, emrin, emblemën, vulën, flamurin dhe këshillin drejtues të kësaj partie. Në këtë takim, në prezencë edhe të noterit, u miratua njëzëri i gjithë dokumentacioni ligjor. Firmëtarët e parë të MEGA-s janë 27 veta dhe përbëjnë një grup figurash të reja intelektuale dhe biznesmenësh. Në këtë mbledhje u zgjodh bordi i parë drejtues, i cili sipas statutit do të drejtojë gjithë veprimtarinë organizative dhe politike të partisë deri në zgjedhjet e përgjithshme me parimin “një anëtar–një votë”. Kryetari i këtij bordi u zgjodh Kristaq Kiço, ndërkohë që tre nënkryetarët do të jenë Dhori Terpo, Roland Vasili si edhe Jorgo Mano. Sekretar i Përgjithshëm është emëruar Stefan Shendi.

Ministri Nishani raporton për nismat para raportuesit Chountis
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, takoi dje Nikolaos Chountis, reporter i Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe Ballkanin, me të cilin bisedoi rreth ecurisë pozitive të Shqipërisë në proceset integruese të BE-së. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë thuhet se në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë bëri një raport mbi ecurinë e deritanishme të të gjitha detyrimeve ligjore që Ministria e Drejtësisë ka plotësuar në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Ministri Nishani gjithashtu bëri një paraqitje të arritjeve të Ministrisë në fushën e hartimit të ligjeve, siç është ai antimafie dhe ai i Bashkëpunimit Ndërgjyqësor Ndërkombëtar si një hap cilësor në fuqizimin e luftës kundër krimit të organizuar. Më tej, në prezantimin e tij, ministri e njohu reporterin e PE-së me hapat e ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë në kuadër të hartimit të strategjisë së reformës në Drejtësi, hartimin dhe miratimin e një pakete ligjesh për funksionimin e sistemit të Drejtësisë në vend, mbi një kuadër marrëveshjesh bilaterale si ajo me Mbretërinë e Belgjikës dhe marrëveshja e bashkëpunimit me EUROJUST, reformën në fushën e pronësisë, hapat e ndërmarra në përmirësimin e funksionimit të sistemit peneticiar në vend si dhe në dixhitalizimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

31 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›