Rinis beteja ligjore për ekzistencën e Cirkut të Tiranës
Laureta Rryçi
Brenda pak ditësh do të nisë sërish beteja ligjore për ekzistencën e Cirkut të Tiranës. Gjykata e Apelit vendosi dje të shfuqizojë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila pati vendosur në favor të ish-pronarit. Në seancën e djeshme, që u zhvillua në Gjykatën e Apelit në lidhje me pronësinë mbi një truall të ndodhur në Tiranë, ku aktualisht ndodhet dhe funksionon çadra e Cirkut të Tiranës. Ky proces gjyqësor ka nisur në vitin 2008 në Gjykatën e Shkallës së Parë me gjyqtar Ilir Mustafajn, palë paditëse Astrit Veliajn dhe palë e paditur Bashkinë e Tiranës, që në këtë proces është përfaqësuar nga juristja Linda Treqa dhe juristja e qendrës kulturore “Tirana”, Alda Ciko, dhe si palë e tretë Avokatura e Shtetit, përfaqësuar nga Saimir Nazifi. Objekti i gjykimit ishte: "Lirimi dhe kthimi i një pjese trualli të ndodhur në Tiranë, në pronësi të paditësit, shpërblimin e dëmit pasuror të shkaktuar nga pala e paditur në lidhje me truallin objekt gjykimi".
Shfuqizimi
Gjykata e Shkallës së Parë, me anë të Vendimit Nr. 11182, datë 24.12.2008, i ka dhënë të drejtë palës paditëse. Menjëherë pas këtij vendimi, pala e paditur i është drejtuar Gjykatës së Apelit. Seanca e djeshme drejtohej nga një trup gjyqtarësh të kryesuar nga gjyqtari Dalip Bushi. Në fund të seancës u mor vendimi për prishjen e vendimit të Shkallës së Parë si pasojë e shkeljeve të rënda procedurale. Procesi duhej të ishte gjykuar nga një trup gjyqtarësh për shkak se vlera e objektit e kalon shumën 10 milionë lekë. Për këtë arsye, kjo dosje do të rikthehej edhe një herë në Gjykatën e Shkallës së Parë për t’u shqyrtuar në themel. Gjatë kësaj seance, të pranishëm në sallë ishin artistët e Cirkut të Tiranës të cilët në duar mbanin pankarta. Pak ditë më parë ata paralajmëruan se nëse Apeli do të kishte lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, atëherë ata do të hidheshin në protesta për mosmarrjen e çadrës së Cirkut.
Ekzistenca
Cirkut të vetëm në vendin tonë prej gati dy vitesh po i rrezikohet seriozisht vazhdimësia normale e aktivitetit artistik. Arena e Cirkut, në përvjetorin e 50-të të saj, rrezikon të shkrihet tërësisht. I vetmi aktivitet artistik që iu ka mundësuar dhe ofruar një argëtim paksa ndryshe vogëlushëve të metropolit gjatë këtyre viteve kanë qenë numrat dhe premierat që ka sjellë trupa akrobatike e Cirkut të Tiranës. Bazuar në eksperiencat e vendeve europiane, ky debat, që është hapur për shkak të truallit ku është ngritur Cirku, lë shumë për të dëshiruar pasi cirku i Tiranës është i vetmi aktivitet edukativo-artistik në shërbim të të gjithë brezave. Ky institucion, si shumë institucione kulturore të tjera në Tiranë, është i rëndësisë së veçantë, ndërsa pronësia e tokës ka mbetur një çështje e pazgjidhur ende. Ky truall ka atributet e një objekti me vlerë të veçantë në historinë e institucioneve kulturore në Shqipëri. Janë bërë 50 vjet që nga krijimi për herë të parë i Cirkut shqiptar dhe që nga ajo ditë artistë të moshave të ndryshme kanë mrekulluar publikun me talentin dhe guximin e tyre. Numra të paharrueshëm për nivelin artistik dhe shkallën e rrezikshmërisë kanë ngelur në kujtesën e publikut për vite të tëra.
Box
Reagimi i artistëve të Cirkut pas konfliktit ligjor
Sipas udhëheqësit Artistik, Fatos Roshi, “kjo çështje vë në lojë fatin e ekzistencës së Arenës së Cirkut 50-vjeçar, i cili prej kohësh ka treguar se është ristrukturuar në formë, përmbajtje dhe cilësi artistike”. Ndërkohë që një tjetër mjeshtër i Cirkut të Tiranës, Kujtim Dume, lidhur më çështjen është shprehur: “Ne kërkojmë që të anulohet ky vendim, sepse pronat publike kompensohen. Në rast se është bërë gabim, të rikuperohet”. Më tej ai tha se “ne kemi respekt për të gjithë pronarët, por ky është oborri ku zhvillon aktivitetin Cirku i Tiranës. Në emër edhe të artistëve të tjerë të këtij cirku, ai ka kërkuar që ashtu siç mbrohen territoret ku janë ngritur çerdhet, kopshtet, shkollat apo spitalet, të mbrohet edhe Cirku i Tiranës. Ai ka argumentuar se ky është një institucion shtetëror dhe si i tillë, duhet të gëzojë mbrojtjen nga shteti. Drejtues të shumtë të Cirkut mbeten me shpresën se kjo çështje do të zgjidhet brenda të gjitha ligjeve të shtetit shqiptar, në mënyrë që ky institucion i rëndësishëm të vazhdojë të kryejë detyrën e tij, në vendin në të cilin është ndërtuar që nga periudha e qeverisjes së mbretit Zog. Nëntori i vitit 1959 shënon lindjen e Cirkut shqiptar me shfaqjen “Shkopi magjik”, ku dalloheshin artistët Ali Duma, Telat Agolli, Skënder Plasari, Vitore Rasha, Bajram Kurti, Arian Miluka, Pineu Shkurti. Regjia u realizua nga Mihallaq Luarasi, me një program i cili u vlerësua inkurajues nga publiku. Specializimet e mëtejshme në Kinë mundësuan konsolidimin e kapaciteteve të grupit të akrobatëve, duke ofruar rrugë të reja në zhvillimin e cirkut shqiptar. Sot, pas 50 vjetësh, cirku vazhdon të joshë publikun me numrat e larmishëm që ofron duke filluar nga numrat akrobatikë, të ekuilibrit, numrat e ajrit, zhonglerët, klounata etj. Në muajin dhjetor u festua 50-vjetori i Cirkut shqiptar ku u mbajtën sesione shkencore, ekspozita fotografike dhe u shfaqën dy premiera të reja, “Qielli pikon yje” dhe “Të kalosh ylberin”. Kjo shfaqje, përveç artistëve me përvojë si: Fitnete Duro, Kujtim Dumi, Fatos Alla, Sokrat Buzo, Pranvera Sallata prezantoi edhe emrat premtues të Cirkut të sotëm, si: Manushaqe Mullai, Stela Blloshmi, Erando Jucja, Xhejms Kodra, Juxhina Madhi, Rubin Zuna, Klaudia Duro etj.
Historiku
Cirku i Tiranës u krijua në vitin 1952, si bërthamë e parë pranë Estradës së Tiranës. Telat Agolli, Bajram Kurti, Xhuzepina Prendi (Shkurti), Bardhyl Jareci, Abdyl Karakashi ishin të parët që themeluan trupën e Cirkut, e cila në vitin 1959 doli me premierën e parë “Shkopi magjik”. Ndërsa në vitin 1964 premiera “Fluturime akrobatike” ishte vizioni drejt së ardhmes, ku Cirku u konsolidua me profile, u shtuan varietetet etj., si dhe fuqia artistike. Në vitin 1973, Cirku u nda më vete si institucion nga Estrada nga ana buxhetore dhe artistike, premierat u shtuan, po ashtu shfaqet në rrethe, niveli artistik pati rritje. Dy vjet më pas vjen çadra e Çirkut, ndërsa në vitin 1976 u shfaq premiera “Drejt lartësive”, e para në çadrën arenë të Cirkut. Kjo e plotësoi Cirkun me varietete të reja me kuadrin artistik, me koncepte regjisoriale dhe artistike. Kjo i dha hapësirë Cirkut në krijimtari duke fuqizuar aktivitetin artistik, ku “çadra shëtiste” ishte në rrethe të kategorisë së parë dhe të dytë. Shfaqjet u kthyen në manifestime. Studioja e Cirkut u arrit vetëm në vitin 1977, ku u përgatitën elementet brenda trupës profesioniste, që e kanë ushqyer trupën e Cirkut me elemente të reja. Studioja dhe sot e kësaj dite ekziston, po ashtu mjeshtrit e cirkut, kontributi i tyre mbi 30-vjeçar nuk është shuar, përkundrazi, në vite ka nxjerrë elemente që debutojnë e kanë debutuar në arenën e Cirkut e gjetkë.
Eksperienca
Bazuar në eksperiencën e vendeve të tjera që e kanë shumë të zhvilluar cirkun, si: Kina, Rusia, Franca, Italia etj., edhe në Shqipëri roli i mjeshtërve dhe i specialistëve të artit të cirkut nuk ka moshë. Ka dy sfida; e para është profesionale, ajo e të qenit artist në skenë, pavarësisht moshës; ndërsa pas saj vijnë mjeshtrit që e ushqejnë artistin me krijimtari. Deri tani nuk është bërë asgjë për një trajtim të mirë të pedagogëve të brendshëm dhe të jashtëm edhe pse dihet që baza e ekzistencës së artit varet nga këta njerëz. Madje këta njerëz trajtohen pamjaftueshmërish ndaj sot kemi vetëm 10 mjeshtër, 30 akrobatë profesionistë dhe rreth 50 nxënës. Tanimë mungojnë edhe kualifikimet dhe nuk është marrë asnjë masë në këtë drejtim, kur dihet që nga viti 1960-1975 janë bërë dy kualifikime me dy grupe në Kinë.
Cirku pas viteve 1990
Në fund të viteve ‘80 Cirku po luhatej. Kjo u quajt edhe faza e “mbijetesës”, që edhe sot vazhdon po me të njëjtin ritëm larg arritjeve bashkëkohore. Pati largime artistësh, të cilët emigruan në vendet e tjera dhe punojnë atje jashtë profilit të tyre. Cirku, nga 107 veta gjithsej, u katandis në 50–60, nga të cilët rreth 30 artistë. Pati probleme me çadrën-arenë pas dëmtimit të saj, e cila u rikuperua me vonesë pas vitit 2000. Pagat diskriminuese sollën largimin e dytë të artistëve, këto paga varionin nga 15 mijë deri në 20 mijë lekë, sot mbi 28 mijë lekë. Kufizimi i aktivitetit artistik brenda vendit dhe humbja e traditës në rrethe iu shtua faktorëve të tjerë negativë. Largohen profesionistët, quhen “të vjetër në moshë”, jo për aftësinë e tyre.
31 Mars 2010