Myftiu i Shkodrës njihet me shkarkimin
SHKODER – Një ditë pas deklaratës së myftiut të shkarkuar të Shkodrës, Imam Ndriçim Sulejmani, është mësuar edhe përmbajtja e shkresës zyrtare të ardhur nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.
Sipas drejtuesve të lartë të KMSH-së mësohet se shkarkimi i kreut të Myftinisë së Shkodrës ishte i rregullt. Me 77 vota pro dhe 2 abstenime e asnjë kundër, Këshilli i Përgjithshëm i këtij Komuniteti ka miratuar vendimin për shkarkimin e Sulejmanit. Thyerja e disiplinës, moszbatimi i vendimeve të kryesisë, shkelje të statutit dhe rregullores, si dhe shkëputja e Myftinisë së Shkodrës nga KMSH-ja janë shkaqet që përmenden se kanë çuar në largimin nga posti të ish-myftiut të Shkodrës. Ka qenë kjo përmbajtja e shkresës që KMSH e ka bërë të ditur zyrtarisht për këshillin e Myftinisë së Shkodrës, me qëllim shkarkimin e myftiut Sulejmani. Megjithatë, Komuniteti Mysliman nuk ka dhënë ende një emër pasuesi të Ndriçim Sulejmanit, i cili, po sipas shkresës, do të bëhet i ditur në ditët e ardhshme. Ndonëse Sulejmani nuk e kishte marrë ende në dorë shkresën kur doli në një deklaratë publike paraditen e së dielës, ai u shpreh se shkarkimi i tij pas mbledhjes së kaluar në Kavajë ishte i paligjshëm, kundër statutit të Komunitetit Mysliman. Për këtë, ai ka përgatitur dhe dorëzuar në Gjykatën e Tiranës një padi civile, për të kërkuar të drejtën e tij. Tashmë, myftiu Sulejmani rezulton i shkarkuar zyrtarisht, edhe pas njohjes së tij me arsyet dhe shkresën e Komunitetit. Nuk dihet se si do të procedohet me akuzat publike që ai bëri ndaj këtij Komuniteti, në lidhje me përfshirjen e tij në afera korruptive. Vetë myftiu i shkarkuar pohoi se largimi nga detyra i tij u bë pikërisht pasi nuk donte të ishte palë në abuzimet e kryera me pronat që Komuniteti Mysliman ka në Shkodër. Në deklaratën e së dielës ai kërkoi hetim nga organet e drejtësisë për këtë çështje dhe i bëri thirrje qeverisë dhe organizmave ndërkombëtarë për të ndërhyrë që të shpëtohet Komuniteti. r.d