PD-PS i kanë borxh KQZ-së 8.2 milionë lekë
Eljona Ballhysa
Dy partitë kryesore në vend, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, i kanë borxh Komisionit Qendror Zgjedhor 8.2 milionë lekë për zgjedhjet lokale të vitit 2007. Drejtoria e Financave pranë KQZ-së bën të ditur se partitë politike kanë shlyer detyrimet që kanë ndaj këtij institucioni për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, por ende është i regjistruar një borxh prej afro 31 milionë lekësh, i bartur që nga zgjedhjet e vitit 2000. Kjo shifër është regjistruar e pashlyer gjatë tri proceseve zgjedhore të zhvilluara në Shqipëri, që nga viti 2000. Borxhlinj për këtë shifër janë mbi 20 parti kryesisht fantazma, të cilat nuk kanë arritur kurrë pragun e parashikuar në Kodin e vjetër Zgjedhor prej 2.5 përqindësh për t’u përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë.
Por, përveç partive “kërpudha”, që regjistrohen si të tilla në prag të proceseve zgjedhore, në borxh ndaj shtetit janë regjistruar dhe tri parti parlamentare, si PD-ja, PS-ja dhe PSD-ja, të cilat vazhdojnë të mos shlyejnë një detyrim që kap shifrën e 8 219 144 lekëve. Masat që do të marrë Komisioni Qendror Zgjedhor për të detyruar partitë për të shlyer borxhet është verifikimi i të gjitha subjekteve zgjedhore pranë Zyrës së Thesarit nëse i kanë shlyer ose jo detyrimet financiare. Ky proces do të realizohet para se KQZ-ja të shpërndajë për subjektet zgjedhore fondin e akorduar nga buxheti i shtetit për zgjedhjet e përgjithshme 2009. Në rast se vërehen subjekte në borxh ndaj shtetit, KQZ-ja nuk do t’i japë atyre fondin e parashikuar nga buxheti i shtetit.
Paratë
KQZ-ja ka regjistruar një fond prej 6 295 866 lekësh, i cili u është shpërndarë 9 partive politike dhe që nuk i është kthyer këtij institucioni nga zgjedhjet e vitit 2000. Ndërsa për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë të datës 24 qershor 2001 janë 7 parti politike që duhet të kthejnë fondet e marra nga buxheti me vlerë prej 6 330 815 lekë. Për zgjedhjet lokale të datës 12.10. 2003, 20 parti politike duhet të kthejnë një shumë prej 18 675 899 lekësh. Gjithsej detyrimi që u takon partive politike që nuk kanë arritur pragun e 2.5% në tri raundet zgjedhjeve është 31 302 580 lekë. Pas rezultatit të zgjedhjeve vendore të vitit 2007 rezultuan gjithsej 3 parti politike që kishin detyrimin ligjor që të kthenin paratë e marra nga KQZ-ja. Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Partia Socialdemokrate i detyrohen së bashku shtetit një borxh prej 8.2 milionë lekësh.
Kodi i Ri
Kodi Zgjedhor, i miratuar së fundi në Kuvendin e Shqipërisë, ka përcaktuar mënyrën e financimit të partive politike nga buxheti i KQZ-së. Në nenin 87 të Kodit të ri Zgjedhor parashikohet mënyra e ndarjes së fondit nga KQZ-ja. Sipas këtij neni, KQZ-ja vendos: “50 për qind e shumës ndahet ndërmjet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe që kanë mandate në Kuvend, e përcaktuar kjo sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse. Kjo shumë u jepet këtyre partive politike nga KQZ-ja jo më vonë se 5 ditë pas regjistrimit të tyre si subjekt zgjedhor dhe paraqitjes së listës shumemërore për çdo zonë zgjedhore. Shuma shpërndahet mbi bazën e numrit të mandateve të fituara në zgjedhjet për Kuvendin; 50 për qind e shumës së përgjithshme ndahet midis partive politike të regjistruara si subjekt zgjedhor dhe që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin kanë marrë jo më pak se 2 vende në Kuvend, në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare, sipas vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse. Partia që ka përfituar fonde publike dhe që nuk fiton asnjë mandat nga zgjedhjet e radhës, duhet të kthejë shumën përkatëse të përfituar. Depozitimi i këtyre shumave bëhet në llogarinë bankare të KQZ-së. Kthimi i fondeve bëhet jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi, pa shkaqe të përligjura, KQZ-ja i kërkon ministrit të Financave që të urdhërojë Zyrën e Thesarit që këto shuma t’i mbajë nga fondet e tjera buxhetore që përfitojnë këto parti dhe t’i kalojë ato në buxhetin e KQZ-së. Partia, e cila nuk kthen fondet përkatëse, humbet të drejtën e financimeve të tjera nga fondet publike për një periudhë kohe jo më pak se 5 vjet, si dhe nuk regjistrohet si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e radhës, pavarësisht llojit të tyre, as vetëm dhe as si pjesëtare e ndonjë koalicioni”.
14 Janar 2009