E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSD-ja, akuza LSI-së për bllokimin e buxhetit



Ndaj bllokimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës ka reaguar edhe Partia Socialdemokrate. Deputetja e PSD-së, Diana Çuli, tha se bllokimi i këtij buxheti cenon drejtpërdrejt interesat e mijëra qytetarëve të Tiranës. PSD-ja ka akuzuar LSI-në se është bërë pjesë e lojërave politike për të goditur modelin politik më të suksesshëm të së majtës, siç është qeverisja në Bashkinë e Tiranës. “Bllokimi i buxhetit bëhet pikërisht në vitin e fundit elektoral nga një parti që vazhdon të deklarohet e majtë. Ky është shërbimi më i mirë, ndonëse i pasuksesshëm, që i bëhet të djathtës. Këto lloj partish kanë qenë dhe janë gati të votojnë edhe buxhetin e propozuar nga qeveria e djathtë, gjoja me dy-tre rregullime po të merreshin parasysh prej tyre disa vërejtje.
Nuk është hera e parë që LSI-ja bashkon votat me PD–në, nuk është hera e parë që LSI-ja kërkon t’ia nënshtrojë të Majtën kushteve të Berishës. Veprimi i djeshëm është një dhuratë që LSI-ja i bën PD-së para zgjedhjeve, duke sakrifikuar interesat e qytetarëve të Tiranës, duke sakrifikuar kopshtet, parqet, lulishtet. Tirana është bastion i së majtës, si pasojë e punës 10-vjeçare, të pakrahasueshme, që Bashkia e kryeqytetit ka kryer. Kundër këtij suksesi të pamatë janë përdorur nga ana e së djathtës të gjitha mjetet për ta goditur, që nga komisionet hetimore e me radhë”, - tha Çuli.

14 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›