E Shtunë, 31 Tetor 2026

PLL bën thirrje për dekretimin e ligjit të dosjeve



Partia Lëvizja e Legalitetit nëpërmjet një deklarate për shtyp ka bërë thirrje dje për dekretimin nga Presidenti i Republikës i ligjit për hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit gjatë regjimit komunist. PLL bën të ditur se pavarësisht boshllëqeve që paraqiten në ligj, ai përbën një angazhim serioz që duhet vlerësuar si një hap në drejtimin e duhur për dënimin e komunizmit dhe krimeve të atij sistemi. “Partia Lëvizja e Legalitetit është e mendimit se, në përputhje edhe me disa dokumente dhe Rezoluta përkatëse të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ligji shqiptar ‘Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të të zgjedhurve’ duhet shoqëruar edhe me akte të tjera ligjore dhe nënligjore, që duhet të synojnë sensibilizimin e brezave të rinj për krimet e komunizmit dhe rrezikshmërinë e tij; ndryshimin dhe plotësimin e teksteve shkollore që i referohen periudhës komuniste; ngritjen e përmendoreve dhe memorialeve të viktimave të komunizmit në mbarë vendin; rehabilitimin e plotë të emigrantëve politikë dhe familjeve të tyre që u detyruan të largohen nga vendi për shkak të persekutimit komunist; hapjen e dosjeve dhe arkivave sekrete të shtetit lidhur me periudhën e diktaturës komuniste dhe krimet e atij sistemi”, - theksohet në deklaratën e PLL-së.

LZHK mbështet kërkesat e ish-pronarëve dhe të ish-të përndjekurve

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar mbështet qëndrimin e presidentit Topi në përkrahje të ish-pronarëve dhe të të përndjekurve politikë. Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, denoncoi tentativat e qeverisë, që sipas tij po kërkojnë të denigrojnë figurën e presidentit.
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar mbështet qëndrimin e presidentit Topi, në përkrahje të ish-pronarëve dhe të të përndjekurve politikë duke denoncuar, ato që i quajti tentativa të maxhorancës për denigrimin e institucionit të Presidentit. Kreu i kësaj force, Dashamir Shehi, denoncon tentativat e një pjese të medias dhe qeverisë, që sipas tij, po kërkojnë të denigrojnë figurën e presidentit. “Për herë të parë kemi një president që del në përkrahje të kategorisë së të persekutuarve dhe ish-pronarëve. Një pjesë e politikës, një pjesë e medias dhe qeveria kërkon ta denigrojë figurën e presidentit. Këto janë vetëm pjesë e klanit dhe klikës së komunizmit”, - deklaroi Shehi.

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut viziton Shqipërinë

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, pritet të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Shqipëri. Me ftesë të ministrit të Jashtëm shqiptar Lulzim Basha, kryediplomati i Luksemburgut, Jean Asselborn, pritet të zhvillojë takime të veçanta edhe me autoritetet më të larta të vendit. Asselborn do të pritet nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë Lulzim Basha dhe më pas do të zhvillohet dhe një konferencë e përbashkët për shtyp. Në mesditën e së enjtes ministri i Jashtëm i Luksemburgut do të pritet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. Më pas do të zhvillojë takime të veçanta me kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetarin e Bashkisë, Edi Rama. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri Jean Asselborn do të vizitojë edhe Muzeun Kombëtar si dhe muzeun “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

14 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›