Komandanti porosit Pecin: Mos trego për Afganistanin
Ndërkohë që komando Aleksandër Peci është kthyer në Atdhe pas trajtimit në një klinikë në Gjermani, ai nuk ka nguruar ta ndajë gëzimin edhe në rrjetin social Facebook gjatë gjithë ditëve të qëndrimit në Landstuhl. Në komentet me miqtë e tij, eprori i nëntetarit Peci e ka porositur që të mos tregojë atë çka ndodhi në Afganistan.
Një porosi të jap jo si shef, por si më i madh, mos trego se çfarë ka ndodhur me detaje dhe mos merr kontakt me gazetarët, se ata material duan, i ka shkruar shkujdesur komandanti Naim Dani në faqen e tij në Facebook, Pecit.
Ndërkohë, komando i plagosur ka reaguar duke iu përgjigjur: Jo more jo, sbëhet llaf, skam punë me gazetarët.
Naim Dani figuron në Ministrinë e Mbrojtjes si komandant i trupave komando dhe në vitin 2010 ka qenë në misionin shqiptar në Afganistan.
Ajo çka është e çuditshme është porosia e Danit për të mos treguar ngjarjen e Afganistanit ku Feti Vogli humbi jetën dhe Aleksandër Peci u plagos rëndë. Ngjarja u shpjegua vetëm nga një komandant amerikan, pak ditë më parë, në një letër ngushëllimi për familjen Vogli. Megjithatë, insistimi i ushtarakut Dani dhe porosia e tij për Pecin të bën të dyshosh se ngjarja e rëndë e 20 shkurtit mund të jetë e ndryshme nga versioni zyrtar. /A.Rada/