Rritet çmimi i ujit, kryeqytetasit do ta paguajnë dyfish metrin kub
Ervin KOÇI
Pikërisht në Ditën Botërore të Ujit, Enti Rregullator i Ujit i ka bërë një surprizë të pakëndshme qytetarëve të Tiranës. Pa u konsultuar aspak me grupet e interesit dhe në mënyrë krejtësisht të njëanshme, ERU-ja ka zbatuar kërkesën e bërë përpara disa javësh nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, e cila i propozojë Entit një rritje të çmimit të ujit për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Sipas këtij vendimi të njëanshëm duke filluar nga muaji prill të gjithë banorët e Tiranës do ta paguajnë ujin gati dyfish më shtrenjtë. Çmimi i ri i përafrohet propozimit të kompanisë UKT-ë. Pas kërkesës për 40 lekë të ujësjellësit, ERU-ja vendosi tarifën 33 lekë për metër kub nga 20 që ka qenë deri tani. Ashtu siç pritej, edhe rritja e çmimit të ujit ka shkaktuar iritimin e banorëve. Qytetarët thonë se, me çmimet e reja ata nuk kanë mundësi ekonomike ta paguajnë ujin që prej disa vitesh u faturohet edhe më tepër nga ndërmarrja. Por po ashtu në shumë zona të kryeqytetit edhe furnizimi me ujë nuk është i rregullt.
Ankesat
Edhe pse çmimi i ujit është vendosur të rritet në prill, ai prej kohësh u faturohet më shtrenjtë banorëve të kryeqytetit që kanë dy muaj që kanë nisur të ankohen për faturat e fryra. Edhe pse konsumi ka qenë i njëjtë, çmimi i ujit u ka shkuar më shumë se dyfish. Banorët e Tiranës kërkojnë pajisjen me matësa për të llogaritur konsumin real të ujit. Rritja e çmimit të këtij produkti jetik, bëhet në një kohë kur Tirana ka problemet më të mëdha jo vetëm me furnizimin me ujë por edhe me vjedhjet në rrjet. Mesa duket, për të mbuluar humbjet ujësjellësi ndëshkon konsumatorët me mosfurnizim të rregullt dhe tani e tutje edhe më çmim dyfish.
Furnizimi
Ndërsa ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve premton për sa më shumë ujë në banesat e qytetarëve, banorët e lagjes “Komuna e Parisit” në kryeqytet vuajnë mungesën e ujit prej vitesh. Kësaj lagje tashmë i është shtuar edhe një tjetër që është fqinjë me të parën, “Kodra e Diellit”. Edhe në këtë zonë banorët prej shumë kohësh vuajnë nga mungesa e ujit, në një kohë që as bashkia dhe as Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë nuk ka kryer asnjë ndërhyrje për zgjidhjen e këtij problemi. Në këtë lagje si dhe në atë më poshtë saj “Komuna e Parisit”, prej disa vitesh ka lulëzuar tregtia e ujit. Banorët janë të detyruar që prej mungesës ta blejnë atë nga autobotet private me një çmim shumë herë më të lartë se sa ai që duhet të paguajnë normalisht për ta pasur në rubinet. Por si për hironi të fatit, në të gjitha pallatet e këtyre lagjeve Ndërmarrja e Ujësjellësit vijon të çojë faturat e ujit. Edhe pse banorët e këtyre dy lagjeve janë ankuar shumë herë për këtë problem, moskoordinimi i punëve mes Bashkisë së Tiranës, NUKT-së dhe Komunës Farkë që kap një jesh të zonës, ka bërë që disa qindra mijëra banorë të vuajnë prej disa vitesh mungesën e ujit të rrjedhshëm në rubinet.
Shkurt///////////////////////////////////////////////////
Dorëzimi i bilanceve, Tatimet u kujtojnë bizneseve datën 31 mars
Dorëzimi i bilanceve, i pasqyrave financiare dhe deklarimi i pagesës së tatim-fitimit është një proces shumë i rëndësishëm për administratën tatimore, por edhe për bizneset. Këta të fundit duhet të jenë të kujdesshëm në paraqitjen në kohë të bilanceve, si dhe me rezultatet që duhet të pasqyrojnë. “Ju kujtojmë se data 31 mars 2010 është afati i fundit i dorëzimit të pasqyrave financiare dhe formularit të deklarimit dhe të pagesës së tatimit mbi fitimin, si dhe formularit të deklarimit dhe të pagesës së tatimit mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël”, thuhet në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Porosia e lënë lidhet me pasqyrat financiare që duhet të përgatiten sipas standardeve kombëtare të kontabilitetit Nr. 2 dhe Nr. 15 (për mikrondërmarrjet). Ky standard përqendrohet vetëm në disa nga çështjet bazë mbi organizimin e kontabilitetit, mbi mbajtjen e llogarive, mbi përgatitjen dhe deklarimin e raportimeve financiare vjetore të thjeshtuara nga mikronjësitë ekonomike. Mikronjësi quhet një njësi ekonomike ku punësohen më pak se 10 persona, e cila ka një shifër afarizmi dhe/ose bilanc total vjetor jo më të madh se 10 milionë lekë. Në kriterin e dytë, në rast se njëra, shifra e afarizmit ose bilanci total vjetor është jo më i madh se 10 milionë lekë, do të quhet mikronjësi. Këto kritere duhet të plotësohen për dy vitet e fundit.
INSTAT: Bie konsumi, pakësohen blerjet për veshje
Të dhënat e fundit zyrtare të Institutit të Statistikave konfirmojnë se kriza ka goditur konsumin e familjarëve, të cilët për herë të parë në vitet e fundit kanë pakësuar blerjet.
Sipas të dhënave zyrtare tregtia me pakicë ra në tremujorin e katër të vitit të kaluar me 3 për qind krahasuar me një vit më parë, kur dy vitet e mëparshme tregtia ishte rritur me shifra dyshifrore. Të dhënat tregojnë se familjarët po pakësojnë blerjet pikërisht për ato produkte, të cilat quhen si më pak të domosdoshme. Rënien më të fortë e kanë pasur shitjet e veshjeve të cilave në tremujorin e katërt të vitit 2009 ishin 65 për qind më të ulëta në volum se sa e njëjta periudhë e një viti më parë. Kjo është shoqëruar dhe me ulje të ndjeshme të punësimit, gati 23 për qind për këtë sektor. Rënie ka pasur edhe për pajisjet elektro-shtëpiake, ndonëse në ritme të lehta. Sipas INSTAT-it, në tremujorin e katërt të 2009-ës shitjet me pakicë të këtij grupi produktesh ranë me 1.1 për qind në sasi, krahasuar me tremujorin e katërt 2008. Për zërat e tjerë, si ushqimet, produktet farmaceutike, dhe karburantet INSTAT thotë se tregtia është rritur krahasuar me një vit më parë. Rritja e përvitshme e konsumit ka qenë burimi kryesor i rritjes ekonomike në Shqipëri. Por BSH-ë thotë se rënia e të ardhurave si pasojë e krizës ka goditur kërkesën për konsum, ritmet e të cilës vështirë se do të kthehen në të njëjtat nivele si përpara krizës.
23 Mars 2010