E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toka shtetërore e dhënë në përdorim, taksohet me 10 për qind në vit



Tokat shtetërore e dhënë në përdorim do të taksohet me 10 për qind në vit, sipas vlerës së tregut për çdo metër katrorë. E gjithë sipërfaqja e tokës, që është dhënë në përdorim nga shteti, do të shumëzohet me vlerën e çmimit të çdo metri katrorë dhe nga shuma që del, 10 për qind do t’i kalojnë shtetit në formë tatimi. Ligji i diskutuar kohët e fundit në Qeveri “Për rentën mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror”. Ligji, që botohet i plotë, prek ndërmarrjet që janë privatizuar pa truallin dhe truallin e dhënë në përdorim nga Qeveria, apo me qira. Pjesë e ligjit janë edhe ndërtesat e privatizuara, apo banesat, të cilët kanë blerë vetëm godinën dhe jo truallin. Ligji, parashikon se pronarët që kanë në përdorim tokën kanë të drejtën e privatizimit brenda 12 muajve, që nga dita e hyrjes në fuqi të ligjit. “Ky ligj, nuk e shtrin veprimin e vet mbi trojet turistike, mbi objektet dhe trojet e pranuara në proces legalizimi apo mbi trojet shtetërore, të dhëna me qellim investimin mbi to, të cilat rregullohen nga ligje të tjera”- thuhet në dreftin e qeverisë.

Renta
Të gjitha ata që kanë truall në përdorim, do të detyrohen që të paguajnë rentën në nivelin 10 për qind. “Renta mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, është detyrim vjetor. Niveli i rentës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror është 10% e vlerës së truallit shtetëror në përdorim. Për llogaritjen e vlerës së truallit, në vite të ndryshme, do të shërbejë harta përkatëse e vlerës së trojeve, e miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me dispozitat e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës”. Pagesa e rentës bëhet brenda 15 shkurtit të vitit tjetër. Rreth 20 për qind e vlerës, shkon për bashkinë apo komunën ku është vendosur prona në përdorim dhe 80 për qind për buxhetin e shtetit. Por duket se shteti nuk ka si synim të mbledhë rentën, por të privatizojë tokën e dhënë në përdorim.

Privatizimi
Me një normë taksimi prej 10 për qind, një individ apo një biznes ka më shumë leverdi ta privatizojë truallin (për 10 vite me 10 për qind në vit, toka paguhet vetëm nga taksimi). Për këtë arsye, në ligj është parashikuar edhe privatizimi. “Individët apo Shoqëritë tregtare, që preken nga fusha e zbatimit të këtij ligji, kanë të drejtën e privatizimit nëpërmjet blerjes së truallit shtetëror, nën ndërtesën e privatizuar, të blere apo të ndërtuar prej tyre”- thuhet në ligj. Në kushtet e privatizimit kthehen edhe një herë letrat me vlerë. “Nëse kërkesa për pagese të menjëhershme të vlerës së truallit i cili kërkohet të privatizohet, bëhet me shkrim brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji,dhe kjo pagesë realizohet brenda 30 ditëve nga data e pajisjes me autorizim për kalim pronësie trualli, individët përfitojnë një ulje prej 20 % e vlerës dhe 20 % e vlerës se mbetur mund të paguhet me bono privatizimi. Nëse kërkesa për pagesë të menjëhershme të vlerës së truallit, i cili kërkohet të privatizohet, bëhet me shkrim pas gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, por brenda një viti nga hyrja në fuqi e ligjit dhe kjo pagesë realizohet brenda 30 ditëve nga data e pajisjes me autorizim për kalim pronësie trualli, individët përfitojnë një ulje prej 20 % të vlerës”.

Ligji “Për rentën mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror”

Neni 1
Objekti i Ligjit
1. Objekt i këtij ligji, është rregullimi dhe sigurimi i mbledhjes së të ardhurave nëpërmjet vendosjes së rentës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror në përdorim të individëve, që kanë përfituar nga procesi i privatizimit të ndërtimeve mbi truallin shtetëror, sipas parashikimeve të nenit 2 të këtij ligji, si dhe në përdorim të subjekteve të tjera të parashikuara me ligj të veçantë.

Neni 2
Fusha e zbatimit të Ligjit
1. Ky ligj, zbatohet mbi:
a) trojet e paprivatizuara, të ndërtesave të privatizuara nga shtetasit me ligjin nr. 7512 datë 10.08.1991 Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarur dhe privatizimit” (i shfuqizuar), sipas gentplaneve në momentin e privatizimit të ndërtesave;
b) trojet e paprivatizuara të ndërtesave të shitura nga ndërmarrjet shtetërore, përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 7512 datë 10.08.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarie private të pavarur dhe privatizimit” (i shfuqizuar), sipas gentplaneve në momentin e shitjes së ndërtesave;
c) trojet e paprivatizuara mbi të cilat janë ndërtuar ndërtesa, mbi bazën e lejeve të ndërtimit të lëshuara nga Komitetet Pluraliste të Këshillave në periudhën e funksionimit të tyre, sipas gentplaneve në kohën e lëshimit të lejes së ndërtimit.
d) trojet në përdorim të personave juridikë tregtarë, në përputhje me parashikimet e vendosura nga ligji i veçantë.
2. Ky ligj, nuk e shtrin veprimin e vet mbi trojet turistike, mbi objektet dhe trojet e pranuara në proces legalizimi apo mbi trojet shtetërore, të dhëna me qëllim investimin mbi to e të cilat rregullohen nga ligje të tjera.

KREU II
Zbatimi i ligjit dhe e drejta për privatizim për truallin në përdorim

Neni 3
Subjektet që i nënshtrohen rentës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror
1. Detyrimin për pagesën e rentës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror e kanë:
a) individët që kanë në përdorim trojet e paprivatizuara të ndërtesave të përshkruara në shkronjat a) b) dhe c) të paragrafit të parë të nenit 2 të këtij ligji;
b) personat juridikë tregtarë dhe ndërmarrjet shtetërore, sipas parashikimit të ligjit të veçantë;
c) personat juridikë tregtarë, që pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, me një akt juridik të vlefshëm, përfitojnë të drejtën e përdorimit të trojeve shtetërore.

Neni 4
Taksa mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror
1. Renta mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, është detyrim vjetor.
2. Niveli i rentës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror është 10% e vlerës së truallit shtetëror në përdorim.

Neni 5
Llogaritja e vlerës së truallit në përdorim
1. Për llogaritjen e vlerës së truallit, në vite të ndryshme, do të shërbejë harta përkatëse e vlerës së trojeve, e miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me dispozitat e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës.

Neni 6
Detyrimi për pagesën e rentës dhe pagesa e rentës
1. Për vjeljen e taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, ngarkohen drejtoritë rajonale tatimore.
2. Detyrimi për t’u paguar, llogaritet duke shumëzuar nivelin e taksës me vlerën e truallit shtetëror në përdorim.
3. Detyrimi për pagesën e kësaj takse, në rast të privatizimit nëpërmjet blerjes së truallit në përdorim llogaritet proporcionalisht, vetëm për periudhën e vitit gjatë të cilës është ushtruar e drejta e përdorimit të truallit shtetëror.

Neni 7
Mbledhja e rentës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror
1. Brenda datës 15 shkurt të vitit pasardhës, subjektet që i nënshtrohen rentës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, dorëzojnë në drejtoritë rajonale ku janë të regjistruar apo në territorin e të cilave banojnë, formularin e deklarimit të taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror.
2. Formulari i deklarimit miratohet me urdhër të Ministrit të Financave.
3. Renta mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, paguhet në bankë, për llogari të organeve tatimore.

Neni 8
Detyrimi për raportimin e truallit në përdorim pranë administratës tatimore qendrore
1. Detyrimin për raportimin e truallit në përdorim e kanë:
a) individët, që kanë në përdorim, trojet e paprivatizuara të ndërtesave të përshkruara në shkronjat a) b) dhe c) të paragrafit të parë të nenit 2 të këtij ligji;
b) personat juridikë tregtarë si dhe ndërmarrjet shtetërore, të cilat në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë në përdorim truall shtetëror, pavarësisht nga lloji i kontratës apo marrëveshjes mbi bazën e të cilës i gëzojnë të drejtat e përdorimit.
2. Subjektet që kanë detyrimin për raportim të truallit në përdorim sipas paragrafit të parë të këtij neni, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, raportojnë në drejtoritë rajonale tatimore, të dhënat për truallin në përdorim, sipërfaqen, vendndodhjen, si dhe aktin mbi bazën e të cilit e gëzojnë të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror.
3. Administrata tatimore qendrore, për të saktësuar rastet që përfshihen në fushën e zbatimit të këtij ligji, mund të kërkojë informacione shtesë në lidhje me truallin, apo të dhëna të tjera që i nevojiten.

Neni 9
E drejta e privatizimit të truallit në përdorim për individët
1. Individët që preken nga fusha e zbatimit të këtij ligji, kanë të drejtën e privatizimit nëpërmjet blerjes së truallit shtetëror, nën ndërtesën e privatizuar, të blerë apo të ndërtuar prej tyre.
2. Kontrata e privatizimit nëpërmjet blerjes, nënshkruhet nga Drejtori i Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike dhe individit që ka qenë përdorues i truallit.
3. Kopje e kontratës i dërgohet për dijeni Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve si dhe Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Neni 10
E drejta e blerjes së truallit në përdorim për personat juridikë, shoqëri tregtare
1. Shoqëritë tregtare, kanë të drejtë të ushtrojnë të drejtën e blerjes së truallit, apo pjesë të truallit, sipas parashikimeve të bëra nga ligji i veçantë;
2. Kushtet dhe masa e përfitimit nga e drejta e privatizimit të truallit shtetëror apo pjesë të tij, në përdorim të personit juridik tregtar, bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Neni 11
Marrëveshja e pagesës me këste
1. Nëse subjekti që kërkon të privatizojë truallin shtetëror, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, ndodhet përpara pamundësisë për të paguar menjëherë, mund të kërkojë lidhjen e një marrëveshjeje për pagesë me këste.
2. Kërkesa bëhet me shkrim dhe depozitohet pranë Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike. Në kërkesë duhet të shprehet vullneti për blerjen e truallit të ofruar për shitje si dhe vërtetimin që ka paguar rregullisht rentën mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror.
3. Marrëveshja e pagesës me këste lidhet me Drejtorin e Drejtorisë së Administrimit dhe shitjes së pronës publike pranë Ministrisë së Financave.

Neni 12
Afati maksimal i lidhjes së marrëveshjes së pagesës me këste
1. Ne çdo rast marrëveshja e pagesës me këste nuk mund të jetë më e gjatë se 12 muaj.
2. Në rast të mosrespektimit të aftit të pagesës edhe të një kësti të vetëm, marrëveshja zgjidhet, dhe shumat e paguara deri në atë moment shkojnë për llogari të shlyerjes së rentës së të drejtës së përdorimit të truallit shtetëror. Për këtë qëllim, bëhet transferta përkatëse në llogarinë e administratës tatimore.

Neni 13
Pagesa e rentës gjatë marrëveshjes së pagesës me këste
1. Ekzekutimi i marrëveshjes së pagesës me këste, nuk pezullon pagesën e plotë të rentës vjetore mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror.

Neni 14
Përfundimi i detyrimit për pagesën e qirasë
1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, individët që i nënshtrohen pagimit të rentës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, nuk kanë me detyrimin për të paguar qira për truallin në përdorim.

Neni 15
Falja e qirave të papaguara
1. Në rastet kur individët, që përfshihen në subjektet që i nënshtrohen detyrimit për pagesën e rentës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, brenda dymbëdhjetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji:
a) depozitojnë kërkesën për privatizim dhe pagesë të menjëhershme të vlerës së truallit apo
b) nënshkruajnë marrëveshje për pagesën me këste, qiratë e papaguara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, falen.
2. Heqja dorë nga kërkesa për pagesë të menjëhershme apo nga marrëveshja e pagesës me këste si dhe mosrespektimi i afatit të pagesës qoftë edhe të një kësti të vetëm në rastin e marrëveshjes së pagesës me këste, rikthen detyrimin për pagesën e qirave të papaguara.

Neni 16
Të ardhurat
1. Të ardhurat e mbledhura nga procesi i privatizimit apo shitjes së truallit shtetëror, të kryer në përputhje me dispozitat e këtij ligji, kalojnë 20% në buxhetin e pushtetit lokal, sipas juridiksionit të vendndodhjes së truallit dhe 80% në buxhetin e shtetit.

Neni 17
Sanksione
1. Mosdorëzimi në kohë i formularit të deklarimit të rentës, mospagesa në kohë e detyrimin për rentën mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror apo plotësimi në mënyrë të pasakte i formularit të deklarimit, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në përputhje me ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.
2. Administratorët e personave juridikë tregtarë si dhe drejtuesit e ndërmarrjeve shtetërore, që sipas nenit 8 të këtij ligji, kanë detyrimin për raportim të truallit në përdorim, dhe nuk dorëzojnë raportin përkatës pranë administratës tatimore, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, dënohen me gjobë administrative në masën e një page mujore. Organi administrativ që nxjerr vendimin për kundërvajtjen administrative në këtë rast është Ministri i linjës nga i cili varet personi juridik tregtar apo ndërmarrja shtetërore.
3. Administratorët e personave juridikë tregtarë si dhe drejtuesit e ndërmarrjeve shtetërore të cilët nuk i japin menjëherë apo refuzojnë t’i japin administratës tatimore qendrore, informacionet shtesë të kërkuara prej saj, dënohen me gjobë administrative në masën e një page mujore. Organi administrativ që nxjerr vendimin për kundërvajtjen administrative në këtë rast është Ministri i linjës nga i cili varet personi juridik tregtar apo ndërmarrja shtetërore.

KREU III
Dispozita tranzitore dhe të fundit

Neni 18
Lehtësirat për pagesë të menjëhershme të vlerës së truallit
1. Individët, që përfitojnë nga e drejta e privatizimit të truallit shtetëror sipas parashikimeve të këtij ligji, mund të kërkojnë pranë Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike në Ministrinë e Financave, shlyerjen e menjëhershme të pagesës së truallit. Shprehja e vullnetit për të privatizuar truallin dhe për të shlyer menjëherë pagesën për të fituar të drejtën e pronësisë mbi truallin, bëhet me kërkesë drejtuar Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike pranë Ministrisë së Financave.
2. Nëse kërkesa për pagesë të menjëhershme të vlerës së truallit i cili kërkohet të privatizohet, bëhet me shkrim brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe kjo pagesë realizohet brenda 30 ditëve nga data e pajisjes me autorizim për kalim pronësie trualli, individët përfitojnë një ulje prej 20 % të vlerës dhe 20 % e vlerës së mbetur mund të paguhet me bono privatizimi.
3. Nëse kërkesa për pagesë të menjëhershme të vlerës së truallit, i cili kërkohet të privatizohet, bëhet me shkrim pas gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji por brenda një viti nga hyrja në fuqi e ligjit dhe kjo pagesë realizohet brenda 30 ditëve nga data e pajisjes me autorizim për kalim pronësie trualli, individët përfitojnë një ulje prej 20 % të vlerës.

Neni 19
Pezullimi i detyrimit për pagesë të menjëhershme
1. Në momentin e bërjes së kërkesës për pagesë të menjëhershme të vlerës së truallit sipas dispozitave të nenit 18 të këtij ligji, pezullohet detyrimi për pagesën e rentës vjetore mbi të drejtën e përdorimit të truallit.
2. Pezullimi i detyrimit, hiqet në rastin kur individi heq dorë nga kërkesa e tij për blerjen dhe pagesën e menjëhershme të truallit, apo kur nuk paguan menjëherë detyrimin në ditën e caktuar nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike.
3. Në rastet e heqjes së pezullimit të detyrimit, llogaritja e rentës bëhet sikur pezullimi të mos ishte vendosur asnjëherë.
4. Urdhri i pezullimit të detyrimit për pagesën e rentës si dhe urdhri për heqjen e pezullimit, bëhet nga Ministri i Financave.

Neni 20
Dispozita tranzitore
1. Deklarata për pagesën e rentës për të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, për vitin në vazhdim në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, bëhet brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
2. Në vitin në vazhdim në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, renta llogaritet proporcionalisht vetëm për periudhën e vitit të mbetur nga hyrja në fuqi e ligjit.

Neni 21
Kompetenca në nxjerrjen e akteve nënligjore
1. Ngarkohet Ministri i Financave që brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore të parashikuara në këtë ligj.
2. Ministri i Financave mund, të miratojë udhëzim të përgjithshëm për zbatimin e këtij ligji.

Neni 22
Hyrja në Fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

23 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›