E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komandot shqiptarë i thonë lamtumirë Bagdadit

Lamtumirë Bagdad! Kthehen në Shqipëri 95 komandot që kryenin misionin paqeruajtës në Irak. Misionit, që nisi në vitin 2003 me dërgimin e trupave në Bagdad dhe Mosul nga pala shqiptare, i erdhi fundi. Shkak i kësaj është bërë skadenca e kontratës me trupat e koalicionit që morën pjesë në ruajtjen e kryeqytetit të Irakut.

Duket qartë se ndryshimi i kursit të politikës së SHBA-së për luftën në Irak ka sjellë edhe kthimin e kontingjentit të parë të trupave paqeruajtëse shqiptare në kryeqytetin e Irakut. Kontingjenti i parë prej 95 komandosh shkeli dje në tokën shqiptare për të mos u kthyer më në vendin e luftës. Burimet pranë Ministrisë së Mbrojtjes pohojnë se 123 ushtarët e tjerë do të mbërrijnë një ditë përpara Krishtlindjeve, në Aeroportin e Rinasit. Ndërkohë që sipas ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, misioni paqeruajtës për Shqipërinë vazhdon. "Ne kemi akoma trupa shqiptare në Afganistan, Çad dhe Bosnjë-Hercegovinë", u shpreh Oketa, duke shprehur mirënjohje për ushtarakët, të cilët mbajtën me nder flamurin ushtarak në Irak. Ulja e flamurit kombëtar shqiptar në Irak shënoi edhe përfundimin e misionit paqeruajtës të komandove shqiptare në Mosul e Bagdad. Pas 5 vjetësh, Shqipëria e përfundon me sukses misionin në vendin aziatik. Pas urdhrit për largimin e misioneve të vendeve të vogla që janë rreshtuar në një koalicion përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 218 ushtarët që kryenin shërbimin në Irak do të kalojnë festat e fundvitit në Shqipëri. Dje mbërritën 95 trupat e para dhe 123 të tjerët do të vijnë nga Mosuli ditën e mërkurë. Gjithçka ka ardhur pas një marrëveshjeje të qeverisë irakiane të Kryeministrit Nuri Al Maliki me forcat e koalicionit. Sipas kësaj marrëveshjeje, forcat e sigurisë irakiane do të nisin të marrin dalëngadalë kontrollin e vendit, duke marrë në dorë "frerët" e detyrave që kanë pasur trupat e shteteve të vogla aleate të SHBA-së në terren. Eksperienca e amerikanëve, veprimet në terren, mbrojtja e Bagdadit i kanë zbardhur faqen palës shqiptare, e cila vjen me kokën lart në atdhe, duke thënë se "misioni u krye".

Shqipëria përfundoi me sukses misionin në Bagdad dhe Mosul, ku detyrat kryesore të palës shqiptare kanë qenë patrullimi, kontrolli i objekteve dhe ruajtja e qetësisë e rendit publik.

Takimi me familjarët

Detyra dominon mbi familjen. 95 komandot e kthyer dje nga Iraku kanë zbatuar me rigorozitet të plotë rregullat e ushtrisë dhe pas himnit të flamurit janë përqafuar me familjarët e tyre, të cilët nuk i kishin parë prej muajsh. Lot në sytë e familjarëve dhe mall në përqafimet e komandove me prindërit, gratë, apo fëmijët e tyre.

Edhe pse misioni mbaroi, pa lëshuar armët, 95 komandot shqiptarë, duke u dhënë përshëndetjet familjarëve të tyre, kujtonin shprehjen se fundi i pritjes është më i gjatë se muajt që ata kanë qëndruar larg fëmijëve e të afërmve të tyre.

Mbërritja

Ora 12.40. Zhurma e avionit ushtarak amerikan që preku tokën e Aeroportit të Rinasit sfumoi thirrjet e familjarëve, të cilët ishin rreshtuar në radhë për të takuar të afërmit e tyre që ktheheshin nga Bagdadi. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i cili vizitoi për 60 orë Irakun, mbërriti më herët me linjë transite për të pritur kontingjentin e parë që përfundoi misionin në Bagdad. Pasi takoi familjarët e ushtarëve, Oketa u shpreh se "ndihem krenar për ta. Patëm kënaqësinë që gjatë qëndrimit në Irak të dëgjojmë vlerësimet maksimale për ushtarakët shqiptarë". Ulja e avionit u pasua me marshimin e komandove me flamurin shqiptar dhe armët në krahë për të thënë përfundimisht se misioni u krye. Në këto pesë vjet, në misionet e palës shqiptare në Mosul kanë kontribuar 1338 trupa. Në ceremoni morën pjesë drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes, të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, drejtues të komandës së Forcës së Bashkuar dhe familjarë të pjesëtarëve të kontingjentit.

Ministri i Mbrojtjes: Mbyllet me sukses misioni i Shqipërisë në Irak

Oketa: Në 2009-ën, anëtare e plotë e NATO-s

Ministria e Mbrojtjes vlerëson kontributin e paqeruajtësve shqiptarë që morën pjesë në misionin "Liria e Irakut". Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, që ndodhej për një vizitë në Irak, me rastin e përfundimit të misionit të paqeruajtësve tanë në këtë vend mbërriti dje në Aeroportin e Rinasit, para se aty të ulej avioni me kontingjentin prej 95 ushtarësh dhe ushtarakësh shqiptarë nga misioni i tyre në Bagdad. "Dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin për këtë kontingjent, por edhe për të gjithë kontingjentet shqiptare, të cilat në 5 vjet e gjysmë kanë përmbushur më së miri misionin e tyre në Irak", u shpreh Oketa.

Ai informoi se së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm kishte marrë pjesë në një ceremoni tepër domethënëse në Irak, në atë të uljes së Flamurit Kombëtar shqiptar, që simbolizoi dhe përfundimin e misionit të trupave tanë atje. "Patëm kënaqësinë e madhe për të disatën herë që të dëgjojmë vlerësimet maksimale për ushtarakët shqiptarë", shtoi Oketa. Ministri i Mbrojtjes u shpreh i sigurt se Shqipëria në vitin 2009 do të jetë anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Kreu i Ministrisë së Mbrojtjes falënderoi me këtë rast të gjithë aleatët e koalicionit dhe në mënyrë të veçantë shprehu mirënjohjen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen logjistike që i kanë dhënë për 5 vjet e gjysmë misionit shqiptar në Irak. "Ka qenë një bashkëpunim tepër i frytshëm, i cili ka bërë të mundur që ushtarakët tanë të shpalosin aftësitë e tyre më të mira dhe jo vetëm ushtarake, por të lënë përshtypje mjaft të mira njerëzore", u shpreh ministri i Mbrojtjes, Oketa.

Ai shprehu mirënjohje edhe për ushtarakët shqiptarë që do të vazhdojnë të përmbushin misionet e tyre në Afganistan, në Çad e në Bosnjë-Hercegovinë. Duke i falënderuar në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, qeverisë shqiptare, si dhe të qytetarëve shqiptarë, ai shprehu mirënjohjen ndaj këtyre ushtarakëve, të cilët kanë ditur të mbajnë lart me nder flamurin shqiptar.

Flet gruaja e oficerit Osman Nuredinit

Alketa: Arsyet pse burri më iku në Irak

Familjarët e Osman Nuredinit, i cili ndodhej prej katër muajsh në Bagdad, ishin mbledhur dje për t‘i uruar mirëseardhjen në atdhe. Vajza 1 vjeçe, Antea, dhe bashkëshortja e tij, Alketa, kanë qenë të parët që kanë përqafuar dje oficerin ushtarak Nuredini, që zbriti nga avioni amerikan në Aeroportin e Rinasit. Gruaja e tij, Alketa, tregon për "Shqip" pak minuta përpara uljes së avionit, diferencën 4-mujore Bagdad-Tiranë dhe mallin.

Çfarë e shtyu bashkëshortin tuaj të shkonte në Bagdad?

Detyra. Ka punuar si oficer ushtarak dhe është 31 vjeç.

Nuk ishte në grupin e vullnetarëve?

Jo. Ka qenë në misionin e shpejtë që u bë. Dhe çdo gjë ka vështirësitë e veta, sepse ai ka shkuar në luftë.

Keni komunikuar gjatë këtyre katër muajve me bashkëshortin?

Po, përditë, me internet, me telefon. Kishim pak frikë për misionin në Irak. Kjo është normale, por nuk prononcoheshim në lidhje me këtë, sepse ata e kishin të ndaluar. Nuk e lejonin që të fliste dhe që unë ta pyesja për këtë gjë. Para dy jave e morëm vesh që do të ktheheshin në Shqipëri. Edhe vajzën e vogël nuk e ka harruar, sepse e ka fotografinë e saj dhe e ka parë edhe nëpërmjet internetit.

Çfarë do të ndryshojë tani që familja juaj do të jetë sërish e bashkuar?

Do të jetë më e lumtur, më e mirë, mezi po e presim.

Flet babai i ushtarit Sinan Sala

Beqir Sala: Djali solli 16 milionë lekë nga misioni

Akrepat e orës duket se kishin ngadalësuar rrotullimin e zakonshëm për babanë e ushtarit Sinan Sala. Babai i tij, Beqiri, në ankth për vonesën e avionit dhe i paduruar për përqafimin e munguar të të birit, tregon për "Shqip" misionin e djalit të tij, i cili ishte i dyti në këto pesë vjet.

Është hera e parë që djali juaj merr pjesë në misionet paqeruajtëse?

Është hera e dytë që djali im ka shkuar me mision në Bagdad. Herën e parë ka qëndruar 6 muaj dhe tani 4 muaj. Kam komunikuar me djalin herë pas here me telefon.

Cila ka qenë arsyeja që e shtyu djalin tuaj të shkonte në Irak?

Ka qenë në repartin e Zallherrit dhe ushtria e dërgoi me mision. I takonte për të shkuar. Por përsëri ai kishte dëshirë që të shkonte edhe në mënyrë vullnetare.

Sa para ka sjellë në shtëpi nga të dyja misionet?

Nuk e di sa janë paguar tani, por në misionin e parë djali solli 16 milionë lekë.

"Mbaroi kontrata me trupat e koalicionit"

Ushtari Sinan Sala: Misioni u krye

Megjithëse kishin një urdhër të prerë nga komandantët që të mos tregonin detajet e misionit të tyre në Irak, ushtarët e kthyer dje kanë treguar emocionet dhe vendimin e papritur për kthimin në Shqipëri. Sipas ushtarit Sinan Sala, misioni paqeruajtës nuk kishte përfunduar, por shkak i kthimit të ushtarëve në Shqipëri është mbarimi i kontratës me trupat e koalicionit që morën pjesë në këtë mision.

Sapo jeni kthyer nga Bagdadi. Pse përfundoi misioni pikërisht në fund të këtij viti. Çfarë ndodhi realisht?

Nuk kishte përfunduar. Kaq ishte kontrata me trupat e koalicionit që morën pjesë. Na erdhi urdhri për t‘u larguar, megjithatë ne ia kemi kaluar shumë mirë.

Ishte i rrezikshëm misioni juaj?

Kryesisht, kryeqyteti gjithmonë ka probleme më shumë se qytetet e tjera, por në bashkëpunim me amerikanët ia kemi kaluar mjaft mirë. Kemi fituar me këtë rast edhe eksperiencën e duhur nga trupat amerikane. Mund të them se misioni u krye...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›