E Diel, 1 Nëntor 2026

A do të veniten edhe në Shqipëri paragjykimet për ngjyrën?

Më vjen keq që ka ende njerez të habitshëm, që flasin me terma: zezaku, i bardhi, shqiptari, greku, italiani dhe harrojnë që kemi të bëjmë me individë dhe jo me grupe individësh. Më vjen keq edhe që në Shqiperi, fryma raciste ndaj njerëzve me ngjyrë nuk venitet dot, sepse që në djep na mësojnë se i ziu mban erë (vallahi nuk e kam ndjerë deri më sot), se ai është më pak i aftë se ne, na mësojnë se më mirë idiot i bardhë, se i zgjuar zezak etj.

Për të mos vazhduar pastaj te programi real që Obama paraqiti te amerikanët. Më vjen keq që ende në Shqipëri, siç thotë një barsoletë, nuk jemi 100 vite mbrapa, por jemi 10 vite anash, dhe ende nuk jemi të ndërgjegjësuar në liritë dhe të drejtat e njeriut, për të cilat flasim çdo ditë.

Sa për mbyllje, do të doja të mos harronim se Kenia që mund të na duket vend barinjsh të zinj, ka GDP-në për kapital më të lartë se Shqipëria, ka një traditë monarkike në antikitet, ashtu si edhe Shqipëria, dhe njësoj si ne që kemi “vallen e shpatave” (që për shumë të huaj është një idiotizëm), ashtu edhe kenianët kanë tradita kërcimi, që për ca prej nesh (super-krye-ekstra-paragjykues), quhen idiotë.

Mos ta ngatërrojmë ngjyrën e lëkurës, gjininë, kombësinë, etj. me aftësinë mendore dhe fuqinë bindëse.

Barack Obama i fitoi zgjedhjet si kandidat i një partie, jo si përfaqësues i racës së zezë; duke shpalosur një program të qendrës së majtë, të cilin e pranuan shumica e amerikanëve, jo ndonjë program racist supremacist bojëkafe apo ngjyrë vjollce.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›