Familjarët kërkojnë paratë e lindjes së fëmijëve
LUSHNJE - Pranë arkës së Bashkisë së Lushnjës paraqiten çdo ditë me dhjetëra banorë të lagjeve, të cilët kërkojnë të marrin paratë e lindjes së fëmijëve. Prindërit e të porsalindurve thonë se janë paraqitur me ditë të tëra në bashki për të tërhequr paratë sipas ligjit, por janë kthyer pa mbaruar punë për arsye se nëpunësit e zyrës së bashkisë u kanë thënë se nuk kanë ardhur lekët nga qeveria. Në bazë të ligjit, për çdo lindje fëmije, prindërve u jepen 5 mijë lekë të reja si shpërblim. Ky ligj ka hyrë në fuqi katër muaj më parë, por që atëherë, deri sot, asnjë prind nuk ka marrë paratë e miratuara me ligj dhe që duhet t’i tërheqin në arkën e bashkisë. Ministria e Financave nuk e ka dërguar shumën e parave për të gjithë ata që kanë bërë regjistrimin e fëmijve në zyrën e gjendjes civile. Në arkën e bashkisë kanë ardhur deri më sot 177 certifikata regjistrimi, ndërsa prindërit e këtyre foshnjave, duhet të tërheqin shumën prej 5 mijë lekësh të rinj. Nëpunësi i arkës së bashkisë, Idret Merelli, thotë se shuma e parave prej 885 mijë lekësh, duhet t’i kishte ardhur dhe këto duhet të ishin shpërndarë me kohë. Sjellja e certifikatave të lindjes nga prindërit dhe ardhja e herëpashershme për të tërhequr paratë në zyrat vendore është bërë problem. “Shqetësimin e qytetarëve e kemi bërë prezent pranë institucionit përgjegjës, por edhe pse kanë kaluar disa muaj, transferimi i parave nuk është realizuar”, - thotë Merelli. Ai vazhdon duke thënë se “na vjen zor kur kthejmë njerëzit duke u thënë se nuk ka para, pasi Ministria e Financave nuk e lëvron fondin”, por kjo është e vetmja përgjigje që mund t’u japin atyre.