E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitrovicë serbët protestojnë sërish, EULEX-i në gatishmëri



Serbët e Mitrovicës kanë protestuar sërish dje kundër ndërtimit të shtëpive shqiptarëve. Ndërkohë një numër i madh forcash policore të EULEX-it patrulluan zonën për parandalimin e konflikteve mes palëve. Dy ditë më parë më shumë se 100 serbë protestuan dhe nisën të godisnin me gurë shqiptarët që po ndërtonin shtëpitë e tyre në lagjen Kroi i Vitakut. Si pasojë e përleshjeve u plagosën 7 vetë, pesë shqiptarë dhe 2 serbë.
Dje serbët u mblodhën në vendin ku shqiptarët po pastrojnë një zonë për të ngritur më pas shtëpitë e shkatërruara nga lufta. Edhe serbët janë lejuar, sipas një marrëveshjeje që të ndërtojnë 5 shtëpi në këtë zonë, por ata nuk kanë nisur ende ndërtimin pasi nuk janë dakord me marrëveshjen. Një prani e madhe e forcave EULEX u vendosën në zonën Berdani, ndërkohë vazhduan bisedimet për të shmangur përsëritjen e konflikteve etnike.

Greqi
21 mijë hektarë pyje të djegura
21 mijë hektarë pyje të djegur dhe 150 shtëpi të shkatërruara është bilanci i parë i zjarreve që shkatërruan Greqinë. Lajmin e bëjnë të ditur agjencitë greke, sipas të cilave opozita politike i ka kërkuar llogari qeverisë së kryeministrit Kostas Karamanlis. Ndërkohë, zjarrfikësit sigurojnë se aktualisht nuk ka asnjë vatër zjarri aktive në të gjithë Greqinë. Qeveria ka njoftuar një plan për pyllëzimin e Atikës, duke parandaluar çdo spekullim mbi abuzimet e mundshme me ndërtimet që mund të bëhen në zonat e shkrumbuara nga zjarri. Megjithatë ende nuk ka një plan konkret.

SERBI
Tadic dënon sulmin ndaj ambasadës greke
Presidenti serb Boris Tadiç dënoi sulmet me bomba molotov ndaj ambasadës greke në Beograd. Ai i quajti “të patolerueshme”. Tadiç bisedoi me ambasadorin grek Demestenis Stoidis dhe i premtoi se do të bëntë çdo gjë për të gjetur autorët dhe për t’i vënë ata para drejtësisë. Të martën, një grup personash ende të paidentifikuar goditën me bomba molotov ndërtesën e ambasadës greke në Beograd. Policia thotë se po heton ngjarjen ndërsa një grup i panjohur deri tani, i cili e quan veten Anarkistët e Beogradit kontaktuan me median dhe morën përsipër sulmin.

Afganistan
Karzai dhe Abdullah, numër të barabartë votash
Presidenti Hamid Karzai dhe rivali i tij kryesor, ish-ministri i Jashtëm, Abdullah Abdullah, janë në një garë të ngushtë pas numërimit të pjesës së parë të votave nga zgjedhjet presidenciale të javës së kaluar. Pas numërimit të 10 përqind të votave, rezultatet tregojnë se zoti Karzai ka marrë 40.6 për qind, ndërsa Abdullah 38.7 për qind të votave. Zëdhënësi i komisonit të pavarur të zgjedhjeve tha se rezultatet nuk u japin kandidatëve ndonjë bazë që të shpallin fitore. Zyrtarët e zgjedhjeve thanë se çdo ditë do të vazhdojnë të bëjnë publike rezultatet e pjesshme.

Kinë
Transplante me organet e të ekzekutuarve
Pas shumë debatesh, Kina ka bërë të ditur se shumica e organeve të transplantuara në vend vijnë nga të burgosurit e ekzekutuar. Raporti që u transmetua në median shtetërore është pranimi i rrallë për praktikën kineze, duke u konisderuar si i çuditshëm nga ndërkombëtarët. Grupet e huaja për të drejtat e njeriut prej një kohe të gjatë e kanë kritikuar praktikën e Kinës për transplantim të organeve si jo etike. Për organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut nuk është i qartë as numri i personave që u janë marrë organet.

27 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›