E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja dhe efekti Bush

Nga Dritan Ikonomi
Vizita e Presidentit George W. Bush, e sidomos synimi kryesor i ardhjes së tij në Tiranë, shumë shpejt do të ketë një efekt direkt në të gjithë jetën shqiptare. Brenda ndikimit do të jetë edhe kombëtarja shqiptare e futbollit. "Në një moment të caktuar – më shumë herët se sa vonë – duhet të thuash se kupa u mbush. Kosova është e pavarur", deklaroi Bush gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Ngjarja e madhe që po gatuhet prej kohësh tani është më pranë se kurrë, megjithë kundërshtimin e vendosur të Serbisë e përkrahëses së saj, Rusisë. Kosova rend drejt pavarësisë e bashkë me gjithë vendin edhe futbolli i saj. Është përfolur shpesh shqetësimi i drejtë për largimin e një numri cilësor futbollistësh kosovarë që tani veshin me krenari ngjyrat kuqezi të përfaqësueses së Shqipërisë. Në të vërtetë, problemi është më i madh se futbollistët që aktualisht përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Edhe në rast se të gjithë ata qëndrojnë në skuadër, kombëtares shqiptare i mbyllet një burim i mirë talentesh për vazhdimësinë. Prandaj është e udhës që vizita e Bushit dhe deklarata e tij e fortë për pavarësinë e Kosovës ta japin efektin që tani e të mos pritet koha kur pusi të shterojë. Për vite me radhë, Federata e Futbollit i ka pasur sytë nga talentet kosovarë, i ka marrë produktet të gatshme, duke lënë pas dore përgatitjen e futbollit të të rinjve në Shqipëri, që më së shumti është një terren sherresh, banalitetesh e rrugacërie të pashoqe. Talentet në Shqipëri nuk mungojnë, thjesht neglizhohen. Mjafton të kujtosh se Jahmir Hyka u bë i njohur vetëm pasi shkoi te Rozenborgu, apo rastin më të freskët, me të riun e Kastriotit, Ilir Kasmi, 17-vjecari që doli në "dritë" vetëm pas interesimit nga Empoli. Talentet janë këtu, ajo cka duan është vëmendje dhe stimulim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›