Tatimet: “Nuk i njohim shpenzimet kur nuk kalojnë në bankë”
Biznesi duhet t’i paguajë tatimet jo më mbi xhiron, por mbi fitimin, duke u taksuar me 10 për qind. Kjo mënyrë e re kërkon që biznesi të mbajë dokumentacion të plotë për çdo të ardhur dhe shpenzim që ai kryen gjatë një viti. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, sqaron për bizneset se cilat fatura do të njihen si shpenzime. “Shpenzimet janë ato që i shërbejnë veprimtarisë, ndërsa janë renditur në mënyrë të detajuar shpërblimet, kontributet vullnetare etj”, - u shpreh Papajani. Një pikë problematike sipas biznesit mbetet dokumentimi i shpenzimeve për blerjet që bëhen nga fermerët, të cilët nuk mund të lëshojnë fatura. Por Papajani thotë se këtë biznesi mund ta zgjidhë me vetëfaturim, që do t’i njihet nëse do të plotësojë disa kushte. Por Tatimet nuk do t’i njohin asnjë shpenzim subjekteve, edhe pse ky mund të jetë i dokumentuar me faturë por nuk kryhet nëpërmjet bankës. Data 31 mars ishte afati i fundit për biznesin e vogël që të dorëzonte bilancet tek Tatimet sipas skemës së re. Për çdo muaj vonesë, ata penalizohen me 10 mijë lekë.
Vendimi, tre HEC-e në Mat do të jepen me koncesion
Hidrocentralet "German 1, 2 dhe 3" në Rrethin e Matit do të jepen me koncesion, sipas një vendimi të qeverisë në mbështetje të ligjit "Për koncesionet”. Sipas vendimit në fjalë, autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore, për dhënien me koncesion të formës “BOT” (Ndërtim, operim dhe transferim) të hidrocentraleve “German 1, 2 dhe 3”, është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Qeveria ka miratuar gjithashtu bonusin prej 2 për qind të pikëve për rezultatin teknik e financiar në procedurën konkurruese përzgjedhëse që i jepet shoqërisë “SIGERS sh.p.k.”. Ministria e Ekonomisë, në procedurën konkurruese për dhënien me koncesion të hidrocentraleve “German 1, 2 dhe 3”, do të kërkojë shprehje interesi dhe do të pranojë oferta për të gjithë pjesën e lirë të skemës, ku përfshihet ndërtimi i këtij hidrocentrali.
3 Prill 2009