E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtarët në protestë, do t'u prishen dyqanet

 

KUKES - Dhjetë tregtarë të pakicës në tregun industrial në Kukës kanë rezistuar ndaj fadromës së ndërtimores së bashkisë, duke bërë që ajo të zmbrapset për ditën e djeshme. Një leje ndërtimi në vendin e pazarit industrial dhënë nga bashkia do t'u prishë dyqanet. Inspektorati i Ndërtimit dhe Urbanistikës ka udhëhequr tentativën për të liruar sheshin e ndërtimit, por pronarët kanë rezistuar duke thënë se nuk do të lejonin t'u prishin vendet e punës, me të cilin thonë se kanë lidhur jetën prej 15 vitesh. Përmes një shkrese bashkia kishte paralajmëruar pronarët që të lëshojnë territorin në favor të një pronari të ri, i cili kishte siguruar edhe lejen e ndërtimit nga ana e KRRT-së. Në vendin e ngjarjes kanë udhëtuar edhe forcat e policisë me grupet e gatshme pasi pronarët, sipas burimeve policore, kishin kërcënuar se do të mbronin pronën me gjak. Por polica ka qëndruar larg gjithsesi, pasi fadroma është detyruar të mos veprojë. Tregtarët i janë drejtuar bashkisë, duke takuar kreun e saj, Hasan Halili. Ata i kanë kërkuar anulimin e urdhrit për prishjen e objekteve të tyre, pasi janë shprehur se e kanë blerë tokën nga pronarë që pas viteve '90, ndonëse pa tapi por me dokumente të tjera, ndërsa i kanë paguar shtetit të gjitha taksat. Kryebashkiaku është shprehur se vendimet e KRRT-së janë të pandryshueshme dhe se për tregtarët do të gjendet një tjetër vend. Por, tregtarët nuk e kanë pranuar, duke pohuar se do të hedhin në gjyq bashkinë.                j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›