Kombëtarja fiton 3-1 testin me U-19

Kombëtarja A fitoi 3-1 testin e kontrollit me përfaqësuesen e U-19 të drejtuar nga Ramadan Shehu, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin "Selman Stërmasi". Kuqezinjtë e vegjël shkaktuan një surprizë jo të vogël për shikuesit e paktë në stadium, kur e mbyllin pjesën e parë në avantazh 0-1, falë golit të realizuar me penallti nga talenti i Shkumbinit, Mustafaj. Pjesa e dytë solli edhe golat për Kombëtaren A, ku i pari shënoi Klodian Duro (autori i golit kundër Bullgarisë), për t'ia lënë radhën Edmond Kapllanit (i futur në pjesën e dutë). Goli i tretë për kuqezinjtë e Baricit ishte një dhuratë, falë autogolit të shkaktuar nga një mbrojtës i U-19. Trajneri Baric hodhi nga minuta e parë një formacion me theks sulmues, ky në vijën e parë u rreshtuan Erion Bogdani dhe Hamdi Salihi. Në 11-shin startues në skemën 3-5-2, ra në sy prania e Andi Lilës në mbrojtje, përkrah të zakonshmëve Dede dhe Vangjeli. Edhe në mesfushë Jahmir Hyka luajti nga minuta e parë së bashku me Duron, Lalën, Canën dhe Skelën dhe në vijën e parë Bogdani e Salihi. Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Hidi, Dallku, Curri, Rrustemi, Bulku, Bakaj, Bushi dhe Kapllani.
Shqipëria A-Shqipëri U-19 3-1
Shënues: Duro, Kapllani, Hyqmeti (aut)/ Mustafaj 11-m
Shqipëria A: Beqaj, Dede, Vangjeli, Lala, Lila, Hyka, Cana, Duro, Skela, Salihi, Bogdani (Hidi, Curri, Dallku, Bushi, Rustemi, Kapllani, Bulku, Bakaj).