E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kombëtarja, kundër Katarit me shirit të zi

Tragjedia e Himarës ka shkuar deri në Spanjë e pas shpalljes së ditës së zisë. Federata ka vendosur që ndeshja të luhet me shirit të zi në krah

E kanë ndjerë shumë, e kanë përjetuar jashtëzakonisht shumë tragjedinë e Himarës edhe futbollistët e kombëtares shqiptare. Në një njoftim, dhënë nga burime pranë federatës së futbollit,  mësohet se skuadra kombëtare shqiptare sot kundër Katarit do luajë me shirit të zi. Kjo si pasojë e asaj që ka ndodhur, kur kanë humbur jetën të paktën deri në këto momente 12 persona dhe janë në gjendje shumë të rëndë edhe 22 të tjerë.

Sipas informacioneve nga Spanja, të gjithë futbollistët e skuadrës tonë kombëtare janë pranë familjeve të viktimave dhe njëkohësisht janë në ngushëllim të plotë me të lënduarit, duke shpresuar që gjithçka të përfundojnë të paktën këtu. Ndërkohë që qeveria shqiptare nëpërmjet një njoftimi dorëzuar të gjitha medieve ka deklaruar se dita e sotme, 22 maj do shpallet ditë zie kombëtare.

Pak alternativa për formacionin e kombëtares. Të sigurtë, portieri Shehi dhe dyshja e sulmit Bogdani-Çani

Shumë futbollistë të rinj, por edhe pak te reja nga kombëtarja shqiptare. De Biazi ka nisur stërvitjen fundit dhe të vetme në stadiumin e Valekanos dhe disa prej zgjidhjeve i ka pasur të detyruara. Nuk ka asnjë dyshim, në portë do jetë i vetmi portier që trajneri ka në dispozicion, Orges Shehi. Një e re, e cila është shumë e rëndësishme, pasi portieri i cilësuar si më i miri i kampionatit shqiptar do ketë vend në formacion. Mbase do jetë i vetmi, pasi të tjerët të mbërritur nga 11 shtete të ndryshme do luajnë për 10 vende.

Në mbrojtje prania e Dallkut dhe Agollit në krahë e Canës në qendër është e sigurtë. Për futbollistin tjetër, që do përbëjë mbrojtjen dilemat janë të shumta. Mund të jetë Osmani, mund të jetë Andi Lila e pse jo edhe Franc Veliu. Pak ose aspak alternativa për mesfushën. Ervin Bulku është i konfirmuar ashtu sikundër edhe me shumë mundësi Jahmir Hyka.

E reja e vetme në këtë sektor është rikthimi i Sabien Lilajt, i cili me shumë mundësi do jetë në formacionin e parë. Në sulm dyshja Edgar Çani dhe Erjon Bogdani, duket se nuk kanë konkurencë, aq më shumë për faktin që mungojnë si Salihi ashtu edhe Besart Berisha, të cilët sipas trajnerit de Biazi janë pjesë integrale e kombëtares tonë. Shkurt, një kombëtare me shumë arna, në një miqësore që duhet bërë, por që mund të flasë pak ose aspak përpara ndeshjes së vërtetë të testit me Moldavinë në gusht e të tjerave zyrtare kundër Qipros në shtator.

Askush nuk merr përsipër transmetimin e ndeshjes së kombëtares

Doni ta shihni gjejeni te Al Xahzira

Askush nuk po arrin të kuptojë se çfarë po ndodh me futbollin. Nga njëra anë ai quhet ambasador i paqes e nga ana tjetër anashkalohet dhe quhet si një idiotësi e disa të çmendurve që gjithë dita i shkon me futboll. Të dyja definicionet mund të jenë të sakta, por që një ndeshje kombëtare në epokën moderne të mos transmetohet në tv është më shumë se absurditet. Ne po japim arsyet, komentet bëjini vetë

1-Luajmë një miqësore në Spanje kundër Katarit, një ndeshje, e cila për trajnerin e kombëtares de Biazi është shumë e rëndësishme ashtu sikundër tjetra në Stamboll kundër Iranit. Pak rëndësi ka se sa të vlefshme janë këto ndeshje për publikun, më i rëndësishëm është fakti që 3 milionë shqiptarë, të cilët duan të shohin e ndjejnë himnin e tyre kombëtar nuk kanë asnjë mundësi të shijojnë një gjë të tillë. Pra, asgjë nuk vlen.

Himnin shqiptar, nëse doni ta dëgjoni, kërkojeni ne dream boox dhe shiheni te Al Xhazira e nëse do kuptoni ndonjë fjalë në arabisht, atëherë bravo ju qoftë. Më keq se kaq nuk se ku të shkojë. Supersport nuk ka financa të paguajë 30 mijë euro, thjesht se kështu ka kërkuar Katari. OK, Kompani private dhe buxhetin e di ajo.

TVSH është duke u marrë me Eurosong, e natyrisht që 30 mije eurot për një miqësore futbolli mund të duken shumë, ndonëse prej taksapaguseve shqiptarë të paktën grumbullohen me shumë se 2 milionë euro. Mbase tarifat e kësaj ndeshjeje, e cila është thjesht miqësore, janë shumë, por një justifikim nga ata, të cilëve u kemi paguar lekët, duhet ta kishim.

Vërtet vlen xhiro e Italisë, turi i  Francës,  vuelta e Spanjës në çiklizëm, turnetë e përjavshëm të tenisit, që transmetohen çdo ditë, apo edhe ndeshjet e boksit shpesh pa emra të njohur. Të gjitha vlejnë, por kurrë më shumë se një ndeshje e skuadrës përfaqësuese. Nuk e dimë, por nuk besoj se ka komb në botë, nuk besoj se ka qeveri në botë që nuk transmeton për 30 mijë euro një ndeshje të skuadrës së saj kombëtare, ku këndohet himni kombëtar dhe vishet fanella që simbolizon kombin, pra ajo kuqezi.

U-21 gati për miqësoret në Austri. Gega nuk ka dilema për formacionin

Kombëtarja me shumë dilema, ndërkohë që trajneri i skuadrës U-21, Skënder Gega ka përcaktuar formacionin e skuadrës. Nëse de Biazi ka ende hamendje (kjo sepse një pjesë të futbollistëve nuk i ka parë realisht dhe nuk do formën e tyre) Gega është shumë i kthjellët. Në fakt ka pak ose shumë pak alternativa. Do luajë sot kundër Ukrahinës dhe sulmi është i përcaktuar.

Pas një performance të shkëlqyer dhe një triumfi në Kupën e Shqipërisë vendi i Bekim Balës është i padiskutueshëm. Në krah të tij do jetë një prej zbulimeve të këtij kampionati, futbollisti i Teutës, Dosti. Nuk ka asnjë dyshim që porta do mbrohet nga numri 1 i Bylisit, Frashëri, ndërkohë që pjesa tjetër e skuadrës do përbëhet thuajse totalisht nga futbollistë të përdorur edhe më parë.

Trajneri Gega jo një herë, por vazhdimisht ka deklaruar se të gjithë futbollistët e grumbulluar do aktivizohen. Nuk është qëllim në vetvete fitorja e një ndeshjeje. Qëllim është që ne të sjellim prurje për kombëtaren, por njëkohësisht që ky grup të përgatitet edhe për dy ndeshjet e radhës kundër Rusisë dhe Portugalisë. Kemi treguar një performacë mjaft të mirë e kështu shpresojmë të vazhdojmë.

E ritheksoj, qëllimi ynë është përgatitja e skuadrës për ndeshjet zyrtare ka deklaruar në një prononcim mjaft të shkurtër trajneri Skënder Gega. Në këto kushte nga ajo që është parë gjatë seancave stërvitore formacioni i mundshëm do jetë

Frashëri-Dita, Salliaj, Premçi, Matoshi-Delia, Bajraktari, Gashi, Delliallisi-Balaj, Dosti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›