E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muho: Po punojmë për një Luftëtar sa më solid

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Donatori dhe drejtori ekzekutiv i ekipit gjirokastrit, Qazim Muho, shpreh bindjen për një sezon të suksesshëm edhe në elitën e futbollit shqiptar

Pas 5 sezonesh Luftëtari do të luajë në Superligë, ku do të përballet me Tiranën, Vllazninë, Skënderbeun, Flamurtarin, Teutën e të tjerë, por jo me Partizanin, Dinamon dhe Elbasanin, që do të jenë në të parën. Luftëtari u shpall kampion i Kategorisë së Parë, duke marrë edhe 3 milionë lekë shpërblim nga FSHF-ja.

Medaljet i varën në qafë gjirokastritët Devolli, Nora, Sinani, Braho, Lluka, Bistri, Gaxhaj, Stoja, Shalari, Zholi, Brahimi, Gërxholli dhe Spiro (i fundit është i vetmi që nuk luajti në asnjë ndeshje, por kështu i ka ndodhur edhe Ronaldos më 1994-ën, kur Brazili u shpall kampion bote), shkodranët Selimaj, Baci, Ramadani dhe Raboshta, tiranasit Nino, Hithi dhe Mersini, beratasi Çaço dhe vlonjati Strati.

Ndrëkaq, fazën e parë u aktivizuan edhe gjirokastritët Këndella, Lazo, Shehaj dhe Grabovaj, shkodrani Pjetrani dhe elbasanasi Kermezo. Trajnerët kampionë janë Dede, Novi dhe Zeko, kurse fazën e parë ishin Hysi, Ciko dhe Kristidhi. President i ekipit është Flamur Bime, drejtor ekzekutiv Qazim Muho, drejtor sportiv Besim Brahimi, drejtor teknik Sefedin Braho dhe fizioterapist Bledar Late, kampionë edhe këta.

Golashënuesit janë Nora me 24 gola, Raboshta me 13, Mersini, Baci dhe Sinani me nga 4, Çaço dhe Strati me nga 2, Devolli, Braho, Ramadani dhe Lluka me nga 1, sikundër janë edhe autogolat e Peçit (Gramozi) dhe Shkallës (Mamurrasi), që shënuan në favor të Luftëtarit.

Pra, janë gjithë këta që ndikuan, kush më shumë e kush më pak, që Luftëtari arriti suksesin pas kaq sezonesh përpjekje, por natyrisht që janë edhe mjaft biznesmenë, të cilët investuan për ngritjen dhe mbajtjen e ekipit gjirokastrit. Nga të lartpërmendurit, një pjesë e konsiderueshme do të jetë edhe në ekipin e ri.

Ndoshta është me vend të kujtojmë thënjen e Xhovani Trapatonit të famshëm pas ndeshjes EstoniIrlandë, 0-4, kur ai u shpreh: Pas 30 vitesh, sot mendoj se kuptoj diçka nga ky sport. Në intervistën e mëposhtme për Sportin shqiptar, donatori dhe drejtori ekzekutiv i Luftëtarit, Qazim Muho, thotë:

Z.Muho, cilët janë faktorët që ndikuan në ngjitjen e Luftëtarit në Superligë?

Ne formuam një kolektiv, një grup, që punoi harmonikisht gjatë gjithë sezonit. Stafi drejtues, me në krye presidentin Flamur Bime dhe mua, e ndoqi ekipin këmba-këmbës në gjithë problematikën e tij dhe ndeshjet e kampionatit. Rol të rëndësishëm luajtën sponsorët, të cilët po përpiqemi ti shtojmë në numër për Superligën, sepse kërkesat janë më të larta dhe duhen financa më të shëndosha.

Çfarë po bëni aktualisht për sezoni e ri?

Nëse do të shprehesha në mënyrë figurative, do të thosha se nuk kemi kohë as për të marrë frymë. Jemi duke kryer bisedime me stafin e fundit, që përbëhet nga Dede, Novi dhe Zeko. Presim konfirmimin e tyre, ndërkohë që jemi duke biseduar edhe me disa futbollistë, sepse na duhen 4-5 blerje cilësore.

Në radhë të parë, do të përpiqemi të sjellim dy gjirokastritët Shameti dhe Shenaj, përkatësisht nga Tomori dhe Shkumbini. Natyrisht që fjalën e fundit për ata që do të përbëjnë ekipin do ta ketë stafi teknik, qofshin të lartpërmendurit ose të tjerë.

Kur parashikohet të rifillojë procesi stërvitor?

Them se në asnjë rast nuk duhet të vonohemi më shumë se 20 qershori.

Cili do të jetë objektivi për sezonin e ri?

Luftëtari do të luajë pas 5 sezonesh në Superligë dhe objektivi ynë do të jetë qëndrimi në të, madje denjësisht, ndërkohë që thuhet duke parë e duke bërë. Jemi të ndërgjegjshëm se duhet organizim, menaxhim dhe në radhë të parë investim nga ne, si dhe punë profesionistësh nga stafi teknik e përkushtim nga futbollistët, të cilët do të veshin fanellën e Luftëtarit. Ne po punojmë për të pasur një ekip sa më solid sezonin e ardhshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›