Tiranë,gjendet i vetëhelmuar 35-vjeçari
TIRANE - Një 35-vjeçar është gjetur i vdekur nga familjarët, në banesën e tij në kryeqytet. Burime nga policia thanë se dyshimet e para të familjarëve por edhe të policisë, nisur nga shenjat në fytyrë, flasin për një vetëhelmim të mundshëm. Adriatik Hasani, 35 vjeç, sipas policisë dyshohet se vuante nga probleme psikike dhe dje rreth orës 20:45 është gjetur pa shenja jete nga të afërmit e tij, të cilët e kishin lënë në shtëpi dhe kishin dalë për një vizitë. Pasi kanë parë që ai nuk merrte më frymë, kanë lajmëruar menjëherë një ambulancë nga Spitali Ushtarak, por sipas të dhënave mësohet se ndërhyrja e mjekëve ka qenë e kotë, duke qenë se ai kishte ndërruar jetë. Ngjarja ka ndodhur në një banesë mbrapa një karburanti, në afërsi të urës Teknologjike në Tiranë, ku jetonte familja e viktimës Adriatik Hasani. Efektivat e policisë së Komisariatit nr.2, si dhe oficerë të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit kanë shkuar menjëherë në shtëpinë ku u gjet trupi i pajetë i 35-vjeçarit Hasani dhe kanë marrë deklarimet e familjarëve të tij. Policia dyshon se i riu mund të jetë vetëhelmuar, pasi sipas të afërmeve është gjetur i shtrirë në tokë dhe duke nxjerrë shkumë nga goja. Pranë trupit të tij është gjetur edhe një kuti, ku ai mbante disa hapa që i përdorte për sëmundjen depresive, nga e cila vuante prej disa kohësh. Sipas deklarimeve në polici, dyshohet se 35-vjeçari Adriatik Hasani mund të ketë konsumuar një sasi të konsiderueshme kokrrash kundër depresionit, pasi herë pas herë kalonte kriza të tilla, të cilat mund t’i kenë shkaktuar vdekjen. Familjarët janë shprehur për policinë, se në raste kur ai kalonte në kriza të tilla depresive, tentonte që të pinte disa kokrra njëherësh, por ata nuk e lejonin. “Edhe nëse ai mund të ketë vdekur nga konsumimi me shumicë i këtyre ilaçeve, gjithçka mund të ketë ardhur nga arsyeja se ai ka tentuar të qetësohet, por jo se ai mund të ketë pasur qëllim vetëvrasjen”, mësohet të kenë deklaruar familjarët e Hasanit në polici. e.d